Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, Didi: Kontrolle për të dytën herë

Policia e Shtetit në bashkëpunim me OSHEE, kanë vijuar kontrollet e përbashkëta në të gjithë vendin për të identifikuar dhe vënë para drejtësisë autorët e lidhjeve të paligjshme të energjisë dhe vjedhjes së energjisë elektrike, ku vetëm gjatë 48 orëve të fundit janë arrestuar 16 persona si dhe janë shpallur në kërkim 15 të tjerë.

Lajmi u bë i ditur gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi si dhe Administratori i OSHEE-së Arben Seferi.

Në fjalën e tij, Didi theksoi se 196 grupe të përbashkëta polici dhe OSHEE, kanë kryer kontrolle në 2.950 raste, ku janë ndërprerë 1.443 lidhje të paligjshme të energjisë dhe abonentëve debitorë. Po ashtu vetëm në dy ditët e fundit janë prangosur 16 persona ndërsa 15 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Drejtori i Policisë, bëri të ditur se kontrolle janë ushtruar edhe në ato zona të kontrolluara më parë ku janë evidentuar rilidhje të paligjshme të energjisë, dhe siç u shpreh Didi, personat përgjegjës janë arrestuar në flagrancë.

Më tej, Didi bëri të ditur të dhënat e aksionit kundër abuzuesve të energjisë gjatë javës së kaluar ku nënvizoi se 108 persona janë arrestuar si dhe janë shpallur në kërkim 38 persona të tjerë.

“Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin kanë vepruar 196 grupe të përbashkëta Polici – OSHEE. Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren , në abonentët biznes dhe familjarë, janë arrestuar 16 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, si dhe janë shpallur në kërkim 15 persona . Janë kryer kontrolle të përbashkëta me OSHEE në 2.950 raste , si dhe janë ndërprerë 1.443 lidhje të paligjshme të energjisë dhe abonentve debitorë. Është ushtruar kontroll edhe në zonat e kontrolluara më parë , ku janë konstatuar raste të riligjdhjes së paligjshme të energjisë elektike që ishin prerë më parë nga OSHEE dhe Policia . Në këto raste është proceduar me arreste në flagrancë. Policia e Shtetit dhe Oshee , po vijojnë kontrollet në bazë kabinash duke kontrolluar çdo zonë dhe do ketë përsëri rikontrolle të vazhdueshme në zonat e kontrolluara më parë. Gjatë javës që lamë pas , në të gjithë vendin janë arrestuar 108 persona dhe janë shpallur në kërkim 38 persona. Nga analiza e statistikave të procedimeve penale konstatojmë se nga të arrestuarit në të gjithë vendin vetëm ndaj 41 prej tyre është marrë masa e sigurisë Arrest në burg , për 7 të tjerë është marrë masa e sigurie Arrest shtëpie dhe për 38 të tjerë është marrë masa e sigurisë Detyrim paraqitje. Ndërsa për 22 të arrestuar nuk është marrë akoma masa e sigurisë nga Gjykatat.” tha Drejtori i Policisë së Shtetit

Në fund Didi shprehu vullnetin e forave blu për të vënë përpara ligjit të gjithë abuzuesit që vjedhin energjinë elektrike.

“Policia e Shtetit dhe OSHEE , besojnë në bashkëpunimin edhe të angjensive të tjera ligjzbatuese, të administratës shtetërore dhe të qytetarëve për të çrrënjosur njëherë e mirë fenomenin e vjedhjes së pasurisë publike. Policia është organ i zbatimit të ligjit dhe është në detyrimin e saj ligjor garantimi i zbatimit të ligjit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.” u shpreh Didi.

Shqiptarja.com 18.11.2014