Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mënyrë e re jetese në sistemin energjetik

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Arben Ahmetaj mori pjesë në aksionin e OSHEE për të ndjekur nga afër vazhdimin e punës për prerjen e lidhjeve të plaigjshme të energjisë elektrike. I shoqëruar nga drejtori i OSHEE Arben Seferi, Ministri shkoi në zonën e ish-Kinostudios në njësinë bashkiake nr 3, e cila ka qenë një zonë problematike sa i përket abuzimit me energjinë. Duke folur me qytetarët e zonës Ministri theksoi dëmin e madh ekonomik që ka shkaktuar vjedhja e energjisë dhe shpjesoi se ky është një hap i domosdoshëm për rimëkëmbjen e sektorit.

“Sot është një nga ditët në vazhdim të aksionit të ndërprerjeve të lidhjeve të paligjshme. Unë e theksoj që nuk është thjesht aksion, kjo është një mënyrë e re jetese në sistemin elektroenergjetik shqiptar.

Kjo njësi është një nga njësitë që ka pasur probleme serioze, 65% ka qenë niveli i humbjeve dhe vetëm në këtë njësi në këto ditë janë ndërprerë 370 lidhje të paligjshme. Është e patolerueshme që në vit Shqipëria humbet 150 milionë euro; humbet gati 7 spitale rajonale moderne; humbet 150 shkolla në vit.

Duket sikur do të duhej të ishin dyfishi i bizneseve që paguajnë tatim fitimin sepse aq është shuma që humbasim dhe kjo është e patolerueshme .

Aksioni dhe kjo mënyrë e re jetese do të vazhdojë të konsolidohet sepse është në favor të të gjithë qytetarëve. Nuk është në favor të një individi, një ndërmarrje apo të buxhetit të shtetit, por është në favor të të gjithë qytetarëve. Nuk mund të tolerohet më që një pjesë të paguajë dhe një pjesë të mos paguajë.

Jemi të bindur që mënyra e re e jetesës në sistemin elektroenergjetik shqiptar, aksioni që po i referohemi, nuk do të jetë aksion, do të jetë një punë e pandalshme e përditshme. Janë 16,000 lidhje të paligjshme që ndërpriten çdo ditë në republikën e Shqipërisë; efektet janë të dukshme.

Jam i bindur që do të vazhdojmë kështu, dhe në krye të tre viteve sistemi energjetik shqiptar do të duket krejt ndryshe dhe ato km rrugë që humbasim, ato spitale, shkolla e investime publike që humbasim për shkak të vjedhjes, do t’i rikuperojmë më shpejt nga sa kemi planifikuar.

Ka nevojë për mbështetjen e qytetarëve sepse nuk është një punë e thjeshtë, nuk është thjesht një çështje aksioni. Unë jam i bindur që sot qytetarët janë me ne dhe e mbështesin atë që ne po bëjmë” – u shpreh Ministri Ahmetaj.

energjia.al 07.11.2014