Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çuçi inspekton aksionin e OSHEE

Ministri për Marrëdhëniet me Pushtetin Vendor Bledi Çuçi, njëherësh edhe Koordinator Kombëtar për Strategjinë kundër Korrupsionit garanton se lufta nuk do të ndalet ndaj atyre që abuzojnë me energjinë apo bëhen bashkëpunëtor për vjedhjen e saj. Deklarata e Çuçit vjen gjatë një inspektimi në sheshin “Shqiponja” në kryeqytet ku disa bizneseve u është ndërprerë energjia pasi janë gjetur në shkelje të ligjit.

“Asnjë abuzim dhe asnjë vjedhje e energjisë elektrike nuk është bërë pa bashkëpunimin edhe të personave që janë përgjegjës për mbarëvajtjen apo të gjithë sistemin e transmetimit të energjisë. Kjo nuk është vetëm një betejë kundër abuzimeve por është gjithashtu betejë kundër korrupsionit dhe jemi shumë të vendosur që ta çojmë deri në fund. Ku ka vjedhje ka korrupsion. Ku ka abuzim ka korrupsion. Do të ndëshkohet çdokush që bëhet pjesë e marrëveshjeve korruptive”, tha Çuçi.

Kreu i OSHEE, Arben Seferi tha se deri sot nga aksioni kundër vjedhjes së energjisë janë 24 të arrestuar.

Pas inspektimeve në këtë zonë u ndërpre furnizimin me energji elektrike në disa biznese për shkak të mungesës së kontratave me OSHE si dhe mos shlyerjes së faturave të energjisë elektrike.

Aksioni i Ministrisë se Energjisë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka nisur në datën 28 tetor, fillimisht ai ka prekur bizneset, ndërsa do të vijojë edhe me të gjithë ata familjarë që kanë abuzuar me të.

Shqiptarja.com 07.11.2014