Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Felaj: Vjedhja e energjisë, krim

Nëse flitet për një masakër si ajo e ndodhur dje, Ministrja e Shtetit Ermonela Felaj gjen gjakftohtësinë për ta trajtuar si një krim që ndodh. Madje arrin deri aty sa deklaron se masakra e një dite më parë që la pas katër viktima dhe tronditi mbarë opinionin publik, nuk do të kishte marrë kaq vëmendje nëse i dyshuari kryesor për vrasjen nuk do të ishte i biri i një deputetje. “Kjo s’ka lidhje fare me qeverisjen”, thotë ajo e ftuar në emisionin “Ditë e Re”.

“Janë ngjarje që kanë ndodhur dhe do ndodhin.Ju e nisët fjalën tuaj dhe thatë se ndoshta e keni të vështirë të ndaheni nga ajo pjesa personale por kjo nuk më pengon të mund të ndaj në mënyrë të ftohtë faktet nga emocionet. Kjo ngjarje nuk do të kishte marrë ndoshta kaq fokus nëse personi në fjalë nuk do të ishte djali i një deputeteje dhe nuk do të ishte lidhur fare me qeverisjen. Sepse kanë ndodhur dhe herë të tjera ngjarje kaq të rënda në vend”.

Por ndodh ndryshe kur flitet për një vjedhjen e energjisë. Për aksionin e ndërmarrë nga qeveria Ministrja, ndonëse juriste me profesion, ish-Prokurore në rrethet Fier e Berat, nuk është kaq gjakftohtë. Për Felaj, hajdutët e energjisë elektrike janë kriminelë. Me gjithë kundërshtimin e gazetarit Enkel Demi, se nga gjykimi i saj, i bie që të deklarojmë se 30-40% e shqiptarëve janë kriminelë se vjedhin, sërish Ministrja nuk tërhiqet.

Intervista

Felaj: Ju i quajtët kundravajtës vjedhësit e energjisë elektrike, por s’janë kundravajtës

Demi: Dhe kriminelë nuk janë..

Felaj: Janë kriminelë si gjithë të tjerët.

Demi: Ju jeni juriste..

Felaj: Janë njësoj si gjithë të tjerët, pikërisht se jam juriste do doja të ju shpjegoj se vjedhja e energjisë elektrike është krim sikurse një vjedhje e thjeshtë, një vjedhje banke, apo një vjedhje me dhunë apo armë.

Demi: Mund të jenë hajna, por hajni nuk është kriminel dmth.. Sa shqiptarë e vjedhin energjinë në Shqipëri, janë 40 % dhe i bie që të deklarojmë se 30-40% e shqiptarëve janë kriminelë se vjedhin?

Felaj: Nuk mund të them një shifër sesa shqiptarë e vjedhin, por është një fenomen shumë i përhapur nga veriu në jug, nga qëndrat urbane deri në rrethinat e Shqipërisë.

Ora News, 05.11.2014