Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BB: Të hiqet fasha 300 kW

“Fasha e 300 kilovatëve është e domosdoshme të hiqet, që të mos lejohen abuzimet e mëtejshme.

Nuk duhen lejuar më vjedhjet. Kjo shumë prej 150 milionë dollarësh do ta ndihmojë qeverinë dhe do rrisë besimin që ky sektor të jetë çelësi i zhvillimit dhe jo i humbjeve. Kjo do i vendoste në një ambient të favorshëm dhe lejimin e investimeve, dhe zhvillimin e biznesit në vend”. Kështu u shpreh djedrejtoresha për Europën Juglindore në Bankën Botërore, Elen Goldstein, lidhur me marrëveshjen e nënshkruar me palën shqiptare për financimin me 150 milionë dollarë të sektorit energjetik. Duke mbështetur kështu edhe masën e marrë nga qeveria për çmimin e ri të energjisë elektrike. Teksa sakaq bëhet me dije se rreth 60% e kredisë së marrë nga institucioni i njohur financiar ndërkombëtar, do të investohet në sistemin e shpërndarjes, që sipas qeverisë shqiptare është edhe pjesa më e dëmtuar e sektorit për shkak të mungesës së investimeve prej shumë vitesh. Ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për Koorporatën Elektro-Energjetike Shqiptare dhe Operatorin e Sistemit të Transmetimit. Ndërkaq, nga ana e tij, ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri u shpreh se këto investime synojnë pikërisht shëndoshjen e sektorit, liberalizimin e tregut dhe kthimin e sistemit energjetik në një sektor fitimprurës për ekonominë shqiptare. “Me implementimin e suksesshëm të projektit, synojme të ulim humbjet totale në rrjet nga 40% mesatarja sot, në 17% në vitin 2019; të rrisim nivelin e arkëtimeve nga 84% që është sot, në të paktën 93% në vitin 2019. Synojmë ta kthejmë sektorin energjetik, nga një sektor i zhytur në borxhe sot, ku pa këto ndërhyrje vetëm Operatori i Shpërndarjes në vitin 2018 do të akumulonte 800 milionë dollarë borxhe nga 540 milionë dollarë që i ka sot, në një sektor financiarisht të qëndrueshëm duke filluar nga viti 2018”, tha ai. Nga ana e saj, qeveria thotë se në sinkron me kredinë e Bankës Botërore do të bashkëfinancojë edhe mbi 125 milionë dollarë të tjera për sistemin energjetik deri në 2020-ën.

Koha Jonë, 03.11.2014