Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Termokos”, as ngrohje e as sqarim!

Përderisa temperaturat e ulëta po vazhdojnë të mbretërojnë në kryeqytet, ngrohtorja “Termokos” ende nuk ka filluar me ngrohje, andaj qytetarëve u mbetet të gjenden si dinë e si munden vetë.

Mirëpo, ndërmarrja “Termokos”, përveç që nuk e ka nisur ende ngrohjen me mazut, është mbyllur plotësisht dhe nuk ka dhënë asnjë përgjigje se pse nuk ka filluar me ngrohjen dhe kur do të fillojë? A do të nisë kah mesi i nëntorit ngrohja me avull, siç është thënë, apo do të dështojë edhe kjo? Për të gjitha këto pyetje edhe dje sikurse ditë më parë “Zëri” nuk ka mundur të marrë një përgjigje nga “Termokosi”, në asnjë mënyrë, as përmes thirrjeve telefonike, as përmes shkuarjes tek objekti i “Termokosit” dhe as përmes SMS-ve.

Qytetarët me të drejtë shprehen shumë të mllefosur për mosfillimin e ngrohjes.

“Këto ditë sa ka marrë koha e ftohtë jemi ngrohur me nxehëse me rrymë, pasi që nuk mund të shpresojmë tek ndërmarrja “Termokos”, e cila sikurse viteve të kaluara as këtë sezon nuk e ka nisur ngrohjen me kohë. Madje, as që ka dalë me një njoftim se pse ende nuk kanë filluar?”, tha qytetari Behlul Krasniqi. Ai shpreh hallin se si do t’ia bëjë me faturat e rrymës për këta muaj kur do t’i vinë të larta, për shkak se është duke u ngrohur me rrymë.

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se derisa nuk dihet se çka do të ndodhë me projektin e kogjenerimit, a do të fillojë apo jo sivjet, nuk dihet se çfarë shume duhet për blerjen e mazutit.

Telegrafi, 29.10.2014