Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Super-aksion në të gjithë vendin, 52 të arrestuar

Policia e Shtetit dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, kanë nisur zbatimin e planit të përbashkët të masave për të evidentuar dhe arrestuar të gjithë personat që vjedhin energji elektrike.

Deri në mbrëmje, numri i të arrestuarve ka qenë në rritje pasi aksioni është shtrirë paralelisht në të gjithë Shqipërinë. Gjithsej janë arrestuar nga policia në të gjithë territorin, 52 persona. Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, paraditen e sotme bëri me dije nisjen operacionit për arrestimin e abuzuesve të energjisë, duke theksuar faktin se fillimisht grupet e punës janë të fokusuar tek pronarët e bizneseve e më pas tek konsumatorët.

“Jemi duke vepruar në pika të ndryshme të Tiranës dhe ky operacion do të shtrihet në shkallë të gjerë në të gjithë Shqipërinë dhe ditë për ditë do të shikoni që do të kemi raste konkrete të ndëshkimeve dhe personave abuzues. Çdo ditë të keni numrin e personave të arrestuar. Qytetarët që janë debitorë do t’ju ndërpritet energjia dhe ata që do të tentojnë ta rilidhin energjinë pa autorizimin e korporatës, do të kryejnë edhe ata një krim, sepse është një ndërhyrje e paligjshme në rrjet. Në momentin që vjen autoriteti i Kompanisë dhe ndërpret energjinë elektrike, kushdo që e rilidh atë do të përballet me forcën e ligjit”, tha Gjiknuri.

Qeveria thotë se për shkak të humbjeve të energjisë elektrike që vijnë si pasojë e vjedhjes së energjisë, financat publike humbasin çdo vit rreth 150 milionë euro.

Aksioni ka vijuar me intensitet të lartë edhe në Tiranë. Burimet policore thanë se vunë në pranga 21 persona, të cilët u kapën në kushtet e flagrancës me lidhje të dyta apo duke vjedhur energji.

Në prangat e policisë ka rënë edhe një punonjës i OSHE me detyrë faturist. Ali Malaj punonjës i Drejtorisë Rajonale Tiranë Njësia Nr.3, me detyrë faturist është arrestuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Gazeta Shqip,  28.10.2014

Prononcimi i Ministrit Gjiknuri:

Siç po  e shikoni dhe vet, po zhvillohet tanimë një aksion i gjerë nga punonjësit e Kompanisë së Shpërndarjes dhe forcat policore. Këtu jemi në një rast konkret, në një biznes, i cila ka bërë ndërhyrje të paligjshme në sistemin e energjisë elektrike. Po këqyret vendi i ngjarjes, po konstatohen provat dhe do të merren të gjitha masat siç duhet nga ana e organeve të policisë, në bashkëpunim me strukturat e shpërndarjes.

Njëkohësisht, jemi duke vepruar në pika të ndryshme të Tiranës. Ky operacion do të shtrihet në shkallë të gjerë në të gjithë Shqipërinë dhe ditë për ditë ju do të shikoni që do të kemi raste konkrete të ndëshkimeve të personave abuzues. Besoj, në fund të ditës do të keni dhe numrin e personave të ndaluar për ndërhyrje të paligjshme në rrjetin e energjisë elektrike.

Edhe me ndryshimet që kemi bërë në Kodin Penal, synimi ynë primar ka qenë ai grup që e vjedh energjinë elektrike për qëllime fitimi. Patjetër, abuzimi është i shtrirë në shumë drejtime, ka edhe abonentë familjarë të cilët abuzojnë, por e kemi filluar nga bizneset, do të vazhdojmë edhe me qytetarët e tjerë. Ka patur një lloj opozite politike që për mendimin tim ka qenë tërësisht e padrejtë dhe e pajustifikuar. Kjo është një betejë për ata që paguajnë, kjo është një betejë për stabilitetin e çmimeve të energjisë elektrike. Pa këtë betejë për jetë a vdekje për sektorin energjitik, vendi do të kalonte në një kolaps financiar. Sektori nuk mund të akumulojë dhe përballojë më humbjet e abuzimit me energjinë.

Kjo është betejë shumë e nevojshme, kërkojmë përkrahjen e qytetarëve të ndershëm, kërkojmë bashkëpunimin e tyre për të denoncuar çdo rast të vjedhësve të energjisë elektrike, qoftë në pallatet e tyre, qoftë në fshatrat e tyre, qoftë në biznese. Biznesmeni i ndershëm kërkon ta paguajë energjinë elektrike siç është, qytetari i ndershëm kërkon ta paguajë. Asnjëri nuk do të dojë që komshiu i tij apo dikush aty pranë të përfitojë në kurriz të tij. Realisht, mesazhi është shumë i qartë, beteja është në favor të të ndershmit, në kurriz të të pandershmit dhe keqbërësit të energjisë elektrike. Ky është mesazhi që ka vendosur të japë qeveria dhe ky aksion do të vazhdojë përditë dhe do të shikoni që do të ketë rezultate shumë konkrete.

Pyetje: Konsumatorët familjarë që kanë vite që nuk paguajnë, do bëhet një pagesë me këste?

Ministri Gjiknuri: Kjo është çështje tjetër. E rëndësishme është që qytetarët që nuk kanë paguar energjinë ta paguajnë atë. Të shkojnë në zyrat e kompanisë së Shpërndarjes, të kërkojnë edhe mundësi të pagimit pjesor sipas mundësive që ka shoqëria. Qytetarët që janë debitorë do t’ju ndërpritet energjia dhe ata që do të tentojnë ta rilidhin energjinë, pa autorizimin e korporatës, do të kryejnë një krim penal, sepse është  ndërhyrje e paligjshme në rrjet. Mesazhi vlen për këdo, në momentin që vjen përfaqësuesi i kompanisë dhe ndërpret energjinë elektrike, kushdo që e rilidh atë do të përballet me forcën e ligjit dhe ky mesazh duhet të jetë i qartë për të gjithë.

Prononcimi i Administratorit të OSHEE-së Arben Seferi:

Kjo është puna jonë e përditshme, e cila sigurisht që ka pothuajse një vit që është bërë, për faktin se ne kemi pasur 650 mijë prerje gjatë kësaj periudhe. Me vendosmëri dhe në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kemi marrë përsipër që ti japim fund njëherë e mirë abuzimit me energjinë elektrike. Ne kemi pasur edhe arrestime të tjera në zona të ndryshme të Tiranës, gjithmonë jemi fokusuar tek pjesa e biznesit. Do të vijë një moment i dytë që nuk do të harrohet edhe familjari që abuzon, po sigurisht fillon nga biznesi i cili e ka vetëm për qëllime fitimi.

energjia.al  28.10.2014