Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Aksioni në autostradën Tiranë-Durrës

Ashtu siç u paralajmërua një ditë më parë, aksioni kundër vjedhjes së energjisë elektrike ka nisur nga bizneset e mëdha. Operacioni ka vijuar sot me inspektimin e bizneseve në autostradën Tiranë-Durrës, ku ishte i pranishëm edhe Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri theksoi se aksioni do të jetë i përditshëm dhe asnjë abuzues nuk do të tolerohet. “Kjo është një betejë e njerëzve të ndershëm dhe abuzuesve. Sot ka pasur disa raste arrestimesh nga policia. Tolerancë zero ndaj atyre që vjedhin energjinë.”- deklaroi ministri Gjiknuri.

Ndërkaq edhe Policia e Tiranës njofton sot për disa arrestime të personave që janë kapur me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Kështu bëhet me dije se është arrestuar në kryeqytet pronari i një diskoje, me iniciale A.D për ‘lidhje të paligjshme’, M. K një pronar lavazhi për vjedhje energjie si dhe shtetasit A.H, L.B dhe K.Ll.

Qeveria lançoi dje planin operacional të masave dhe ndërhyrjeve kundrejt vjedhjeve dhe abuzimeve me energjinë elektrike.

Takimi kombëtar i organizuar me temë “Mbrojtja e energjisë dhe lufta kundër krimit urban, sfida të përgjegjësisë publike” shënoi edhe nisjen e aksionit kombëtar për evidentimin dhe vendosjen përpara ligjit të të gjithë vjedhësve dhe abuzuesve të energjisë elektrike.

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje, se ata që vjedhin energjinë do të dënohen me 3 vjet burg, ndërsa bashkëpunëtorët e tyre me 5 vjet.

Balkan Web, 28.10.2014