Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ende në diskutim çmimi i energjisë

Qeveria nuk e ka përcaktuar ende sa do të jetë çmimi i energjisë elektrike me heqjen e fashës 300 kW.

Në një intervistë për TV Klan Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj thotë se energjia nuk do të paguhet me çmimin maksimal 13.5 lekë për kilovat sa aktualisht paguhet mbi 300 kW dhe as me një çmim mesatar, pasi kjo gjë është ende në diskutim.

Arben Ahmetaj – Ministri i Ekonomisë: “Jo në asnjë mënyrë as njëra as tjetra. Nuk kemi asgjë konkrete. Ministria e Energjisë që është edhe përgjegjëse për sektorin së bashku me Minstrinë e Financave dhe me Ministrinë e Ekonomisë janë duke punuar që të kenë një çmim ekuilibër.”

Qeveria shqiptare së shpejti do të publikojë paketën e re fiskale. Ashtu si një vit më parë një nga taksat që do të rritet është ajo e qarkullimit rrugor, për të cilën importuesit e naftës thonë se ndikon direkt në rritjen e çmimit të karburantit. Por Ministri Ahmetaj është i sigurt që nuk do të ndodhë kështu.

Arben Ahmetaj – Ministri i Ekonomisë: “Nuk ndodh kështu. Nuk ndodhi kështu në 2014 dhe jemi të bindur duke parë dhe tendencat në tregun ndërkombëtar të naftës që nuk ka për të ndodhur kështu as në 2015. Ne besojmë që kjo masë do të jetë e moderuar dhe jam i bindur ashtu siç rezultoi edhe vitin e kaluar që do të ketë pak kosto qoftë për biznesin qoftë për qytetarin”.

Një tjetër tatim që pritet të rritet nga 10% në 15% është ajo mbi dividentin që sipas Ministrit Ahmetaj nuk do të prekë pagat.

Arben Ahmetaj – Ministri i Ekonomisë: “Për dividentin po e kemi vendosur. Nuk ndryshon tatimi mbi të ardhurat personale që vijnë nga paga. Po flasim për atë fitim që merr sipërmarrësi për shkak të aksioneve që ka në sipërmarrje të ndryshme. Këtë pjesë të fitimit të sipërmarrësit si individ, jo si entitet do ta taksojmë në mënyrë të barabartë siç taksohet paga e një të punësuari.”

TV Klan, 26.10.2014