Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Keds lë Ferizajn pa ndriçim publik

Shumë pjesë të qytetit të Ferizajt, kanë mbetur pa ndriçim publik, shkaku i borxheve që komuna i ka KEDS-it. Kjo e fundit nuk brengoset fare se me këtë veprim po pësojnë qytetarët, të cilët njëherësh kërkojnë që ky problem të zgjidhet njëherë e mirë, ngase periudha e dimrit përcillet me vështirësi në qarkullim sidomos të nxënësve të cilët frekuentojnë këto rrugë.

Komuna është në dijeni për këtë situatë, e cila sipas zyrtarëve ka ardhur si rezultat i borxheve të trashëguara nga ish-administrata e kaluar, por edhe nga veprimet e papërgjegjshme të KEDS-it karshi kërkesave të komunës.

Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Fatmir Azizi, thotë se komuna ka trashëguar një borxh të lartë ndaj KEDS-it dhe kjo aryeja e se pse ne sot kemi telashe me ndriçim publik. Kemi pasur takime me zyrtarët e KEDS-it por nuk kemi hasur në mirëkuptim nga ta. Nga bisedat ata kërkojnë që së paku t’i shlyejmë 70% nga borxhi total që për ne është shifër e lartë, kur kihet parasysh se borxhi i trashëguar i komunës ndaj kësaj kompanie kap shifrën e 180 mijë eurove. “Kemi kontakte me zyrtarët e kësaj kompanie, e cila nuk po tregohet e përgjegjshme dhe po kërkon shlyerjen e pjesës më të madhe të borgjit, gjë që për ne është e vështirë në këtë situatë”, ka thënë Azizi.

Për më tepër, zyrtarët shpjegojnë se komuna për çdo muaj bënë pagesa në llogari të KEDS-it por problem mbetet borxhi, për të cilin komuna ka paraparë një buxhet më të madh për vitin e kaluar. Azizi, thotë se komuna është e vetëdijshme se borxhet duhet paguar dhe kërkon që të ketë një riprogramim të borxhit në suaza më të arsyeshme e jo në masën që e kërkon KEDS-i.

“Për vitin e ardhshëm kemi paraparë një rritje të buxhetit për këtë pozicion me qëllim të evitimit të këtij problem. Borxhi duhet paguar por kompania nuk po tregohet përgjegjëse karshi kërkesave tona dhe po kërkon që vlera e borxhit të paguhet në masën që për ne është e pa përballueshme”, shpjegon Azizi

Pa ndriçim publik kanë mbetur disa lagje të mëdha të qytetit. Banorët e tyre thonë se mungesa e ndriçimit është problem, në radhë të parë për sigurinë e tyre por edhe të fëmijëve, që i ndjekin mësimet në ndërresën e pasdites.

Ibrahim Rexha, banorë i rrugës “Naim Beka” thotë se problemi do të bëhet më i rëndë kur fillon llogaritja dimërore e kohës dhe kur terri mbizotëron ndaj ditës. “Kemi probleme sidomos me fëmijët e ciklit fillorë që i ndjekin mësimet pasdite, por problem është edhe siguria në përgjithësi, ngase mungesa e ndriçimit sjell edhe veprime tjera kriminale nga grupe apo individ”, ka thënë ai

Ndonëse zyrtarët thonë se po punohet që ky problem të zgjidhet, shqetësimi qytetarë është gjithnjë në rritje. Komuna e Ferizajt, viteve të fundit ka investuar shumë në ndriçimin publik dhe mos ndoshta kjo mungesë e energjisë do të thotë edhe dështim i këtij projekti.

Portali Telegrafi, 15.10.2014