Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pranga kush vjedh energjinë, jo më gjoba

Fjala e Ministrit Gjiknurit në takimin e mbajtur në Kukës me strukturat e OSHEE-së në rajonet e veriut

Përshëndetje,

Falenderoj median për pjesëmarrjen në këtë aktivitet të sotëm. Simbolikisht u zgjodh Kukësi, që për fatin e keq ka fituar reputacionin e një zone ku kryesisht nuk është paguar energjia. Megjithatë, duhet të themi se vitin e fundit, siç jam informuar nga të dhënat, por edhe nga diskutimet që kam pasur me Prefektin, ka një përmirësim përsa i përket arkëtimeve. Njerëzit po ndërgjegjësohen, por kjo nuk është e mjaftueshme. Këtu nuk flas vetëm për Kukësin. Vjedhja dhe mospagesa  e energjisë ka qenë një problem i trashëguar me vite, i përkeqësuar jashtëzakonisht në vitin 2012 dhe në vitin 2013.

Rezultatet këtë vit kanë qenë të mira, megjithatë nuk janë të mjaftueshme për atë që presim. Nuk e kam vetëm për Kukësin, e kam për të gjithë Shqipërinë. Rezultatet flasin vet, kemi arkëtim gati në mbi 50 milion dollarë më shumë krahasuar me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë. Kjo tregon se masat që ka marrë qeveria, puna që është bërë nga kompania, e gjithë ajo fushatë sensibilizuese ndaj shoqërisë për detyrimet që kanë ndaj energjisë elektrike kanë dhënë rezultatet e tyre.

Humbjet janë reduktuar, madje edhe nga një diskutim që kam pasur me drejtorin, në muajin shtator mund të kemi reduktimin më të thellë historik të humbjeve në rang republike, krahasuar kjo me vitet e kaluara. Ky është një rezultat shumë i mirë që tregon që punë është bërë. Por, nga ana tjetër e thashë nuk jemi aty ku duhet. Gjithmonë, kur vjen puna tek energjia, ka një sensibilitet shoqëror dhe megjithëse kostot e energjisë rritën, njerëzit me të drejtë thonë “përse duhet të paguajmë më shumë, kur ka vjedhje, kur ka abuzim, kur ka mospagesa”. Sidomos Operatorin e Shpërndarjes, kjo situatë e vë përballë një trysnie shumë të madhe. Suksesi i reformave të qeverisë shqiptare varet nga puna e Operatorit të Shpërndarjes.

Ne jemi duke ndërmarrë shumë reforma. Një pjesë ka qenë edhe forcimi i kapaciteteve administrative dhe masave ligjore për të ndihmuar arkëtimin më të mirë, por njëkohësisht edhe për të luftuar vjedhjet. Një pjesë e arkëtimeve më të mira kanë ardhur si rezultat edhe të masave që kemi marrë, qoftë për shlyerjen reciproke të detyrimeve ndaj institucioneve, qoftë masat që shumë kompani nuk mund të marrin pjesë në tendera pa paguar energjinë, apo shumë shërbime nuk mund të jepen pa paguar energjinë. Këto kanë qenë masa pozitive që kanë dhënë rezultat. Gjithashtu, edhe ndryshimet e reja në Kodin Penal e ashpërsojnë vjedhjen e energjisë. Këtu theksi duhet vënë në bashkëpunimin mes Operatorit të Shpërndarjes dhe Policisë së Shtetit. Këto ditë do të shpalosim edhe një plan masash në terren, një bashkëpunim shumë i imët mes Operatorit të Shpërndarjes dhe Policisë së Shtetit për të goditur të gjitha fenomenet e vjedhjeve.

E rëndësishme është që njerëzit të nisin ta kuptojnë dhe të ketë dhe shembuj. Realisht, ka ardhur koha e arrestimeve për vjedhje të energjisë. Ka ardhur momenti që njerëzit të përfundojnë në burg për vjedhjen e energjisë. Flas për biznese që vjedhin energjinë, nxjerrin fitim dhe nuk e paguajnë atë. Nuk po flas për debitorët sepse nganjëherë ngatërrohet, debitorët janë një çështje civile. Masat në Kodin Penal janë shumë më të rënda, nuk ka më dënim me gjobë, është vepër penale e pastër dhe krim që duhet trajtuar në flagrancë. Ka ardhur momenti që këto masa të jenë akoma më të ashpra. Nuk mundet që Shqipëria të vazhdojë të mbajë 20% të energjisë së saj të vjedhur pasi ky është bilanci sot. Gati 20% e energjisë elektrike është vjedhje e pastër dhe pjesa tjetër rreth 20% është humbje teknike për shkak të mungesës së investimeve prej shumë vitesh.

Nga njëra anë, ne si qeveri po marrim masa për investime dhe mbështetjen do ta keni. Pas zgjidhjes së konfliktit me kompaninë CEZ, këto ditë do të finalizohet edhe kalimi i aksioneve dhe kompania e shpërndarjes do të jetë në kontroll të plotë të shtetit. Kemi një program të plotë investimesh që shkon në rreth 160 milion dollar. Pra, përveç fondeve të Bankës Botërore ka dhe fonde të tjera nga partner ndërkombëtarë që do të investohen në sektorin energjitik. Do të investojmë për të reduktuar humbjet teknike por nga ana tjetër problem serioz mbetet vjedhja.

Kur themi 20% duhet ta bëni vet llogaritjen pasi shkon në 150 milion dollar humbje në një vit. 1% vjedhje arrin në vlerën e 7-8 milion dollarëve, në varësi të konsumit të energjisë elektrike. Duhet ta kuptojmë se kjo është një nga gropat më të mëdha financiare që po e gërryen me vite të tëra këtë vend duke vënë në rrezik dhe investimet publike. Ka ardhur momenti që humbja të reduktohet në mënyrë radikale. Tehu i punës duhet të orientohet në këtë drejtim. Natyrisht që ka vend për bashkëpunim me policinë dhe ndaj kemi këtu edhe përfaqësues të policisë. Shumë shpejt do të kemi një plan operacional në terren dhe goditjet do të jenë të njëpasnjëshme.

Njerëzit duhet ta kuptojnë se shpërdorimit të energjisë i ka ardhur fundi. Energjia është një mall si gjithë të tjerët madje shumë i çmuar. Falimentimi i sistemit energjitik sjell në pikëpyetje mbarëvajtjen e gjithë ekonomisë së vendit. Nuk është një vjedhje dosido, nuk është diçka që mund ta përballojë më shoqëria shqiptare. Nëse energjia nuk do të paguhet dhe do të vidhet, nëse gropa financiare nuk do të mbyllet, sistemi energjitik do të vihet në pikëpyetje dhe nuk do të ketë energji.

Përveç forcimit të kapaciteteve teknike, mbledhja e parave, reduktimi i humbjeve duhet të jetë gjeja kryesore për të cilën duhet të punojë Operatori i Shpërndarjes. Rezultate ka dhe nuk dua ti mohoj. Keni qenë edhe në kushte të vështira, ka patur edhe kundërshtim me dhunë siç qe rasti i para dy javëve kur u godit drejtuesi i shpërndarjes në detyrë. Këto raste shteti nuk do ti tolerojë, gjykata ka marrë vendimet përkatëse. Agresori vazhdon të jetë në gjykim por do të jetë i mbyllur në burg ashtu sikurse çdokush tjetër i cili do të guxojë të vërë dorë ndaj një punonjësi të sektorit të energjisë elektrike. Shtetin e keni nga prapa dhe duhet vetëm të zbatoni detyrën.

Patjetër që një pjesë e së keqes ekziston edhe brenda Operatorit të Shpërndarjes. Nuk ka mundësi që vjedhja të mos kryhet edhe me bashkëpunim nga brenda. Policia nuk duhet të merret vetëm me ata që vjedhin por edhe me bashkëpunëtorët brenda kompanisë së shpërndarjes. Shumë shpejt do të ngremë edhe struktura të tilla që kompania të vihet në monitorim për shkak të abuzimeve që mund të bëjnë punonjës të saj. Realisht, ka ardhur momenti kur duhet ti themi STOP këtij fenomeni, ta reduktojmë në mënyrë drastike që sektori energjitik të kthehet në fitimprurës e të nxisë investime të reja.

Shqipëria ka burime të konsiderueshme, energjia elektrike është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Jemi përpara reformave shumë të rëndësishme, do të kalojmë shumë shpejt ligjin për energjinë, do të miratojmë modelin e tregut, do të sigurojmë financime të mëtejshme. Që të jetë i dukshëm gjithë ky sukses, në fund të fundit do të varet nga puna e mirë e Operatorit të Shpërndarjes.

Vetëm me një punë të mirë e reduktime të humbjeve siç ndodhi këtë vit, ndonëse në kushte të vështira, do të kemi mundësi të realizojmë projektin që kemi si qeveri që në fund të këtij mandati ta kthejmë sektorin në fitimprurës. Është sektor i vështirë, ka trashëguar shumë probleme dhe nuk është aq e lehtë ta transformosh në një ose dy vite.

Ju uroj sukses në punën tuaj dhe jashtë prezencës së medias do të vazhdojmë me analizën e të dhënave dhe nevojat që keni për bashkëpunimin mes institucioneve.

Faleminderit,

energjia.al  10.10.2014