Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Arrestimet për vjedhjen e energjisë

“Do të fillojë koha e arrestimeve për vjedhjen e energjisë. Ka ardhur momenti që njerëzit të burgosen për vjedhjen, flas për biznese që përdorin energjinë, nxjerrin fitime dhe nuk e paguajnë, nuk flas për debitorët! Masat në Kodin Penal janë shumë më të ashpra, nuk ka më dënime me gjoba, është vepër penale e pastër, është krim që duhet trajtuar në flagrancë.”

Një ditë pas këtij paralajmërimi nga ministri i Energjitikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, policia ka arrestuar një pronar toke dhe një biznesmen, përgjegjës për vjedhje të energjisë elektrike.

Rasti i parë është shënuar në kryeqytet, ku punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kanë evidentuar një pallat në Unazën e Re, të lidhur në mënyrë të paligjshme me rrjetin e shpërndarjes. Për objektin e ndërtuar nga firma “Durbaku” figuronte një kontratë e pronarit të tokës, edhe ajo debitore. Pas konstatimit të shkeljeve të njëpasnjëshme dhe vjedhjes në kushtet e flagrancës, u padit në organet e rendit shtetasi Reni Bilbili.

Arrestimi i dytë u shënua në Tragjas të Vlorës, ku pronari i ujit “Tragjas” u kap duke vjedhur energji. Subjektit i ishte ndërprerë energjia si debitor, por ai e kishte rilidhur përsëri linjën në kabinën pranë. Pas mbërritjes së grupit të punës në vendngjarje, pronari i biznesit është larguar duke tentuar t’i shmanget përgjegjësisë, por në koordinim me forcat e rendit në Vlorë u bë i mundur ndalimi i tij.

Paralelisht me këto arrestime, punonjësit e OSHEE-së kanë dorëzuar dokumentacionin për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike për 39 raste në zonën e Kasharit në Tiranë, që do të ndiqen nga Prokuroria.

Top Channel, 12.10.2014