Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ilir Meta flet për gjendjen e energjisë

Në një intervistë përballë gazetarit Sokol Balla, në emisionin Top Story në Top Channel, kryetari i Kuvendit z.Ilir Meta, përveç të tjerave shpreh mendimin e tij rreth gjendjes së sektorit të energjisë elektrike dhe masave që po ndërmerr qeveria pë ta përmirësuar.

Z. Meta… më pas, natyrisht energjia është një sfidë mjaft e madhe. Do t’ju pyesja më vonë, por le të flasim për energjinë. Sot prapë gjendja e OSHE-së apo edhe e KESH-it, pra të dyja këto ndërmarrje janë financiarisht në gjendje katastrofale. Kemi sërish një humbje për shkak të vjedhjeve që kap nivelin e 200 milionë eurove vjetore. A nuk duhet të ishte ky një prioritet i qeverisë, pasi këto 200 milionë euro të munguara në arkën e shtetit mund të futen dhe të investohen në një vepër infrastrukturore, në shkolla, në spitale. Pra, a shikoni që qeveria ka një problem me përcaktimin e prioriteteve dhe nevojave që ka vendi? E shikojmë Kryeministrin me ato që thatë ju, me projektin e restaurimit apo të themi të modernizimit të qendrave urbane edhe jashtë Tiranës sot, e ka bërë këtë në Farkë, në Kavajë, në Lushnjë dhe është pa dyshim gjë shumë e mirë, qoftë edhe estetika e munguar e infrastrukturës shqiptare është pa dyshim një gjë që të kënaq nëse rregullohet, pasi tani shqiptarët bredhin jashtë dhe thonë: pse nuk janë rrugët e Shqipërisë në këtë mënyrë? Por a është vetëm ky prioritet i qeverisë? A ju duket se ka një problem në përcaktimin e prioriteteve të qeverisë?

Unë mendoj se qeveria ka pasur shumë prioritete. Këto që ju përmendët janë disa prej tyre, por te çështja e energjisë është e vërtetë që situata në sistemin energjetik vazhdon të jetë mjaft problematike, po nuk mund të mos themi se nuk është e trashëguar. Problemi kryesor mendoj se është privatizimi i gabuar që u bë, i shpërndarjes nëpërmjet CEZ-it, që nuk mund të themi se u bë me qëllim të keq. U bë me qëllimin e mirë për ta përmirësuar këtë shërbim, për të shtuar investimet në këtë sistem, gjëra të cilat praktikisht nuk ndodhën, dhe sot ekziston një mal pafund me borxhe të cilat janë zinxhir: CEZ-i, KESH-i, OST-ja e kështu me radhë. Dhe nuk është thjesht problem energjetik, por është problem financiar.

Po pra, por opozita a ju akuzon ju si maxhorancë me marrëveshjen që u bë për t’iu shmangur arbitrazhit ndërkombëtar? I keni humbur arkës së shtetit miliarda euro.

Mendoj se ky është një justifikim për të mos njohur përgjegjësinë e këtij privatizimi të gabuar. Ka qenë një privatizim i gabuar. Kjo duhet pranuar dhe nuk duhet të shërbejë si akuzë se u bë me një qëllim jopozitiv, përkundrazi, është bërë me një qëllim të mirë, por është në padituri le të themi dhe në eufori. Dhe, natyrisht, kjo ishte një pasojë, e cila mbetet edhe sot. Për fat të mirë, është zgjidhur ky konflikt, sepse do të kishte probleme të mëtejshme dhe tani unë besoj se qeveria do të përqendrohet shumë fuqimisht për të bërë një ndryshim radikal në të gjithë menaxhimin e këtij sektori, sepse është një problem financiar. Nuk është thjesht një problem energjetik.

Dakord, problem financiar dhe ju thoni përmirësim radikal. A mendoni se rritja e çmimit të energjisë, siç deklaroi qeveria, është realisht ndryshimi radikal i kësaj?

Nuk mendoj se rritja e çmimit të energjisë është ndryshimi radikal. Ndryshimi radikal është ajo që thatë ju: është përmirësimi radikal i administrimit dhe i luftës kundër informalitetit, abuzimit dhe vjedhjes së energjisë. Së dyti, është gjetja e financimeve, të cilat do të bëjnë të mundur uljen e humbjeve teknike, sepse nuk është bërë pothuajse asnjë investim në gjithë këtë sistem dhe 20% të humbjeve janë teknike.

Pra, që ta kuptoj qartë dhe ndoshta e interpretoj më shumë se sa duhet, ju mendoni se rritja e çmimit të energjisë ishte një veprim i nxituar i qeverisë?

Nuk është bërë një veprim i tillë. Është diskutuar si një mundësi që mbetet gjithmonë për të zbutur sa më shumë këtë deficit, për të zvogëluar këtë gropë.

Ju jeni pro apo kundër kësaj mase? Pra, jeni pro apo kundër rritjes së çmimit të energjisë?

Unë jam për ta përmbysur këtë situatë me një mënyrë sa më të shpejtë, radikale dhe të sigurt, duke mos bërë përsëri atë gabim që bëmë me CEZ-in, përmes një privatizimi të ngjashëm, por kemi alternativa të ndryshme, të cilat mund të sjellin një dalje të sigurt nga kjo situatë dhe deri atëherë natyrisht duhet përqendrimi i të gjithëve në këtë fushë për të luftuar abuzimin dhe keqadministrimin që ndodh në këtë sistem për arsye të së kaluarës. Nuk është se nuk ka përmirësim. Ka përmirësim, por është shumë relativ në raport me atë që duhet të ndodhë.

Pra, ju jeni kundër një privatizimi të shpejtë, sepse do të ishte nxitim, sipas jush, apo jo?

Një privatizim i tillë CEZ-it do të ishte përsëritje e të njëjtit gabim.

Unë personalisht, për sa i përket CEZ-it pasi po vjen edhe dimri, dhe e dimë që dimri dhe dritat në Shqipëri janë një binom që nuk qëndrojnë shpesh bashkë, do të kisha preferuar, besoj edhe shumë të tjerë, se në vend që Kryeministri të ishte duke parë hartat e rrugëve dhe duke rregulluar anët e gjelbëruara të autostradave shqiptare të ishte me pinca në dorë duke shkulur lidhjet e paligjshme në vend. Jeni dakord me mua dhe me shumë të tjerë?

Ka shumë drejtues të tjerë që duhet ta bëjnë më parë këtë gjë, por absolutisht kërkohet një fokus shumë i fuqishëm në këtë drejtim.

energjia.al 11.10.2014