Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rusia dhe energjia në Europën juglindore

Vendimi i fundit nga Rusia për të reduktuar eksportet e gazit drejt Polonisë ‘rindezi’ shqetësimet në lidhje me furnizimin me gaz dhe çmimet në Europën Juglindore, si dhe në lidhje me tensionet mes Moskës dhe Perëndimit.

Sipas grupit shtetëror polak të energjisë PGNIG, vëllimet e gazit janë ulur me deri në 24%. Vendi ka qenë eksportues i gazit në Ukrainë duke “mbushur” mungesat ruse atje.

Ukraina varet nga këto “flukse të kundërta” për të furnizuar me gaz shtëpitë dhe bizneset pasi iu ndërprenë furnizimet ruse.

Ekspertët në rajon presin pasoja negative nga vendimi rus.

Sipas ministrit rumun të Energjisë, Razvan Nicolescu, Rusia do të reduktojë furnizimet me gaz ndaj Rumanisë me 10%.

“Ne po flasim për sasi absolutisht të parëndësishme. Unë nuk mendoj se do të ketë ndonjë rrezik për furnizimin e vendit dhe popullatës, as në rast se furnizimet ndërpriten tërësisht dhe rinisin në pranverë”,- tha ai pas njoftimit.

Edhe pse zyrtarët rumunë thonë se vendi ka rezerva të mjaftueshme gazi për të shmangur një problem afatshkurtër, analistët shprehen se këto masa nuk mjaftojnë dhe se duhet shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

“Ne kemi nevojë të gjejmë zgjidhje afatgjata dhe të mos kufizohemi thjesht në ato afatshkurtra. Ekziston rreziku se kriza midis Rusisë dhe Ukrainës të zgjasë më shumë se sa presim ne dhe më pas masat e reja do të kërkojnë më shumë për t’u zbatuar”, referoi Otilia Nutu, specialist energjie me Forumin e Ekspertëve për SETimes.

Jelena Miliç, drejtore në Qendrën për Studime Euroatlantike në Beograd, tha se ndërprerja e furnizimeve me gaz ndaj Ukrainës do të përkeqësojë furnizimin dhe do të rrisë çmimet për Serbinë.

“Por, kjo mund të shërbejë për disa arsye të tjera: më në fund, Serbia do të angazhohet për diversifikim dhe do të bëhet një anëtar serioz i Komunitetit të Energjisë së Europës Juglindore, sepse ajo ka detyrime kontraktuale”, – tha Miliç për SETimes.

Miliç paralajmëroi se gjëja më e keqe që mund të ndodhë është privatizimi i industrisë së energjisë elektrike të Serbisë nga rusët.

“Në këtë mënyrë, ne do të bëhemi krejtësisht të varur për energji nga Rusia dhe mund t’i themi lamtumirë integrimit në BE, për shkak se qëllimi i Rusisë është të destabilizojë dhe të ndajë Serbinë nga BE duke kontrolluar sektorin e energjisë”, – shtoi ajo.

Yavor Siderov, analist i çështjeve aktuale dhe ish-mësues në Universitetin Amerikan në Bullgari, tha se shantazhi për energjinë është një mjet krejtësisht i papranueshëm, sidomos për shtete të veçanta anëtare të BE-së dhe anëtarët e ardhshëm.

“Ndërprerjet e mëparshme të furnizimeve në mes të dimrit dhe cilësimi i Ukrainës si fajtore e kanë ekspozuar BE-në ndaj varësisë së rrezikshme të gazit rus dhe në të njëjtën kohë, zbuluan opsionet e saj të kufizuara për kundërpërgjigje. Megjithatë Rusia u tregua e shpejtë për të kuptuar se armiqësimi i klientëve të saj më të rëndësishëm në Europën Perëndimore nuk ishte një ide e mirë dhe gjatë krizës aktuale deklaroi vazhdimisht se furnizimi nuk do të ndërpritet”, – tha Siderov për SETimes.

Revista Monitor, 05.10.2014