Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri në Kongresin Karpato-Ballkanik

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri në Kongresin Karpato-Ballkanik:

Të nderuar pjesëmarrës!

Nё emёr tё Qeverisё sё Shqipёrisё dhe nё cilёsinё e Ministrit tё Energjisё dhe Industrisё, gjej rastin t’ju pёrshёndes dhe t’ju uroj punë të mbarë në zhvillimin e punimeve tё kёtij Kongresi tё rёndёsishёm.

Me kёnaqёsi, konstatoj se mbajtja e Kongresit Karpato-Ballkanik për herë të parë në Shqipëri, na jep mundësi bashkëpunimi e shkëmbimi eksperience në fushën e Gjeoshkencave, me gjeologët e vendeve partnere e pjesёmarrëse në këtë takim.

Në organizimin e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, që në fillimet e shekullit 20-të kanë funksionuar, zyrat gjeologjike të përfaqësuara nga gjeologë të huaj, austriakë, hungarezë, italianë, polakë, çekë etj, të cilët nuk jetojnë më, ndaj le të përcjellim një homazh për ta nga ky Kongres, për punën shkencore që ata kanë bërë në vendin tonë.

Në fillimet e organizimit të shërbimit tonë gjeologjik në vitet 50, kanë dhënë ndihmesën e tyre gjeologët e ish Bashkimit Sovjetik me specialistë dhe bazë materiale, ndërsa në vitet 60-70 një ndihmëse të madhe ka dhënë Kina.

Duhet nёnvizuar gjithashtu se pas viteve 90’, njё kontribut tё veçantё në zhvillimin e Gjeologjisë shqiptare kanё dhёnё padyshim edhe gjeologё nga shumё vende tё tjera tё botёs, si amerikanё, kanadezё, gjermanё apo austriake.

Sot, ne konstatojmë me objektivitet dhe krenari, se specialistët tanë të Gjeoshkencave e kanë përmbushur me cilësi e përgjegjësi misionin, pёr ti paraprirё zhvillimit ekonomik tё vendit nё fushёn e industrisё minerare, hidrokarbureve, ujёrave nёntokёsore dhe studimeve gjeologjike pёr ndёrtimin e veprave inxhinjerike.

Këto arritje, duhet ti avancojmë më tej në vazhdimësi, duke bashkëpunuar me gjeologët e vendeve partnere Europiane e më gjerë ku Shërbimi Gjeologjik Shqiptar është anëtar më të drejta e përgjegjësi të plota.

Shёrbimi Gjeologjik Shqiptar ka njё meritё tё veçantё nё njohjen shkencёrisht tё tokёs e nёntokёs shqiptarё nёpёrmjet kёrkimeve gjeologjike, duke zbuluar mjaft vendburime e objekte të mineraleve të dobishme e të ngurta dhe të lëndëve energjetike.

Studimet dhe përgjithësimet e kryera, kanë krijuar një bazë shkencore të qëndrueshme dhe afatgjatë për pasuritë dhe potencialin mineralmbajtës të Shqipërisë.

Me punën e bërë ndër vite, janё zbuluar 15 vendburime nafte, 6 vendburime gazi, 7 vendburime bitumi e rëra bituminoze, mbi 500 vendburime e objekteve të mineraleve të ngurta.

Njё rol shumё tё rёndёsishёm, Shёrbimi Gjeologjik Shqiptar ka nё kontrollin e operatorёve qё funksionojnё nё fushёn e industrisё minerare. Pёrmes njё angazhimi tё koordinuar edhe me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) dhe RISHM-in, po bёhet e mundur qё tё monitorohet nga afёr situata nё zonat minerare duke marrё masat e nevojshme që garantojnë sigurinë në punë dhe standardet e kërkuara.

Nё Kuvend po diskutohen dhe pritet tё miratohen shumё shpejt ndryshimet nё ligjin minerar, qё krijojnё mundёsitё pёr tё intensifikuar monitorimin dhe pёr tё shtuar masat e sigurisё nё punё pёr punёtorёt e nёntokёs.

Nё 1 vit qeverisje, pa asnjё mёdyshje e kemi parë sektorin minerar me prioritet, jo vetëm fatkeqësisht për shkak të një reputacioni jo të mirë të krijuar në vitet e fundit me mungesën e kontrollit, por mbi të gjitha për të siguruar jetën e njerëzve. Kemi qenë koshient se ka patur shumë humbje jete në veprimtaritë minerare. Ky profesion është i rrezikshëm, kuptohet se ka ngjarje me humbje jete kudo por është e papranueshme kur këto humbje jete vijnë për shkak të mosrespektimit të rregullave teknike apo mungesës së monitorimit nga ana e shtetit.

Edhe ndryshimet të cilat po diskutohen në Komision dhe shumë shpejt do të kalojnë në Parlament, do ti japin mundësi më të mëdha autoriteteve publike. Patjetër, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar do të ketë rolin e tij për të kontribuar në rritjen e elementëve të sigurisë dhe zhvillimin e sektorit minerar.

Pёrmes ligjit tё ri, do tё mund ti japim zgjidhje edhe gangrenёs sё vjetër të Bulqizёs, pra aktiviteteve të fragmentuara e të pakontrolluara që më shumë kanë dëmtuar jetë njerëzish se sa kanë sjellë produktivitet për shoqërinë.

gjiknuri ne konferencen karpato-ballkanikePo pёrmes kёtyre ndryshimeve ligjore do tё mund tё zgjerojmё edhe hapёsirёn pёr sipёrmarrёsit e huaj dhe vendas qё duan tё investojnё seriozisht nё industrinё minerare duke thjeshtuar procedurat dhe garantuar transparencёn. Është menduar edhe për një element fatkeqësisht të lënë pas dorë në vitet e fundit dhe që ka të bëjë me rehabilitimin mjedisor. Shpesh kemi parë se ka patur aktivitete post-minerare të pamonitoruara, zgavra që shëmtojnë pamjen e vendit dhe nuk riparohet asgjë.

Njё prioritet i qeverisё, qё padyshim ka nisur tё japё rezultatet e para ёshtё zhvillimi i industrisё pёrpunuese tё mineraleve pёrmes fabrikave tё pasurimit dhe tё shkrirjes. Jemi dëshmitarë, kemi patur zhvillime të mira në këtë fushë siç është dhe puna për hapjen e posit nr.9 në Bulqizë. Një zhvillim që çon në zgjatjen e jetëgjatësisë së kësaj miniere me të paktën 20 vite të tjera. Një lajm shumë i mirë ky dhe ogur i mirë për ekonominë shqiptare.

Roli i Shёrbimit Gjeologjik Shqiptar ёshtё i rёndёsishёm edhe nё industrinё hidrokarbure. Zbulimet e reja nga aktiviteti kёrkimor i Shell-Petromanas kanё zgjuar interesin pёr fushat naftёmbajtёse nё Shqipёri. Një zbulim që në fakt është bazuar edhe në punën e bërë më parë nga gjeologët shqiptarë. Aty ku ata kishin menduar se kishte rezerva po bëhen kërkimet dhe qëlloi të ketë vërtet naftë. Kjo tregon jo vetëm për soliditetin e shumë gjetjeve shkencore në vendin tonë por njëkohësisht edhe mundësitë e reja që po hapen në fushën e hidrokarbureve.

Qeveria po krijon mekanizmat e duhura qё për fushat e mbetura, apo ato fusha që nuk po përformojnë siç duhet nga investitorët e ndryshëm që i kanë marrë përsipër por fatkeqësisht nuk kanë bërë asgjë, të hapet mundësia tu ofrohen këto fusha kompanive shumë të mëdha e të interesuara për naftën shqiptare.

Realisht, jam dëshmitar i një interesi të rritur nga kompanitë ndërkombëtare që kërkojnë të marrin pjesë në eksplorimin dhe nxjerrjen e Hidrokarbureve shqiptare. Shteti do të garantojnë një garë transparente e do të marrë interesat më të mira për publikun shqiptar, jo siç ka ndodhur shpesh herë kur interesat e publikut janë nëpërkëmbur në favor të kompanive.

Ne po auditojmë kompanitë e naftës dhe ato për herë të parë po kontrollohen me imtësi për të parë se sa është e mira që u shkon shtetit dhe se sa i shkon atyre. Në fund të fundit, ky është një biznes me risk të madh, kompanitë patjetër do të adresojnë rriskun e tyre ekonomik por edhe shteti dhe publiku meriton të marrë pjesën që i takon.

Për herë të parë në vitin 2014 me propozim të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Qeveria Shqiptare, bazuar në përvojën e shërbimeve gjeologjike Europiane, ka ngritur strukturën e Gjeologjisë Detare në përbërje të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, e cila do të merret me gjithë problematikën gjeologjike që ka bregdeti dhe shelfi kontinental që i përket vendit tonë.

Zhvillimin e këtij Kongresi në Tirane unë e konsideroj si mundësi të mirë që me punimet shkencore që do paraqiten nga Gjeologët tonë dhe Gjeologët e vendeve pjesëmarrëse, do të shkëmbejmë eksperiencën shkencore të arritur deri tani, si dhe do të përcaktojmë edhe drejtimet e mëtejshme të thellimit shkencor në aspekte të veçanta të shkencave të tokës ku të gjitha palët jemi të interesuar.

Ne e vlerësojmë dhe do e mbështesim në vazhdimësi këtë bashkëpunim shkencor me interes për shkencën Gjeologjike në përgjithësi dhe për kontributin e secilit vend në këtë fushë.

Të nderuar pjesmarrës të vendeve partnere në këtë Kongres:

Sipas programit të Kongresit, përveç prezantimeve shkencore, ju jeni organizuar që në këto dy ditë të shikoni territorin e vendit tonë me fenomenet më të spikatura gjeologjike.

Më vjen mirë që organizatorët e Kongresit e kanë programuar këtë aspekt, pasi ju do të shikoni jo vetëm fenomenet gjeologjike, por edhe natyrën e bukur të vendit tonë, e cila shpresoj se do të jetë joshëse për ju dhe miqtë tuaj, që të vini më shpesh në Shqipëri jo vetëm për probleme Gjeologjike, por edhe për Turizëm.

Ju uroj punë të mbarë në punimet e Kongresit tuaj.

Ju faleminderit.

energjia.al 24.09.2014