Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë, Llamkos mbetet pa energji

Sikur edhe shumë herë të tjera, edhe sot punëtorët e Llamkosit ka protestuar para dyerve të kësaj fabrike, duke kërkuar që t’ju paguhen rrogat të cilat pronari ua ka borxh.

Shemsi Pllana, inxhinier në Fabrikën Llamkos, ka thënë për Veriu.info se po protestojnë për shkak se u janë mbetur borxh 7 paga dhe është rënduar së tepërmi gjendja e tyre sociale. “Është shqetësues fakti se pronari dhe ish menaxhmenti nuk po tregojnë interesim për fabrikën, duke mos shkuar fare në fabrikë e as duke mos ju përgjigjur interesimit të punëtorëve”, thotë Pllana.

Për më keq, ai bën të ditur se që nga mbrëmë KEDS-i ka ndalur edhe energjinë elektrike në fabrikë, që tani paraqet edhe rrezik potencial për shkak të depozitave të amoniakut që janë aty. “Janë dy rezervar të amoniakut, të cilët të dy së bashku kanë rreth 7 ton amoniak, e që në mungesë të rrymës dhe përkujdesjes për ta, mund të paraqesin rrezik për sigurinë e fabrikës dhe banorëve rreth saj”, shprehet inxhinieri Pllana.

Zëdhënësi i Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP), Ylli Kaloshi në një prononcim për Veriu.info, tregon se Fabrika Llamkos ishte shitur përmes likuidimit me kushte të veçanta. “Si pasojë e mos përmbushjes së kontratës, AKP-ja me vendi të Bordit ka shqiptuar gjoba ndaj blerësit”, thotë zëdhënësi Kaloshi.

I pyetur për problemet me të cilët po përballet Llamkosi, Kaloshi thotë: “AKP është në dijeni për problemet me të cilat po përballet Fabrika Llamkos dhe në javën e ardhshme do të realizojmë vizita, për të parë për së afërmi gjendjen. AKP nuk do të toleroj shkelje të kontratës në dëm të punëtorëve, pasi që do t’i ndërmarrim veprime e nevojshme ligjore”, thekson ai.

Ndërkaq, sa i përket paralajmërimeve të punëtorëve se në hapësirat e fabrikës ndodhen edhe sasi të mëdha të amoniakut, e të cilat mund të paraqesin rrezik pa mirëmbajtje, Kaloshi thotë se AKP është në dijeni për këtë, mirëpo sipas tij, është përgjegjësi e pronarit që të kujdeset për sigurinë e fabrikës. “Megjithatë, edhe kjo çështje është njëra ndër arsyet që AKP do të realizoj vizita në fabrikë”, thotë Kaloshi

Kujtojmë së mbi 400 punëtorë janë pa paga që nga muaj mars, ndërkaq nga muaji qershor ata janë dërguar në pushim kolektiv, ku pronari u kishte thënë se do të paguhen me rrogë minimale.

Portali Telegrafi, 19.09.2014