Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bankers shpjegon rrjedhjen e gazit në Fier

Kompania Bankers njofton se në mëngjesin e 15 shtatorit u zbulua një tentativë vjedhjeje nga persona të paidentifikuar në një pus gazi që ndodhet në pjesën veriore të fshatit Verri, komuna Mbrostar në Fier. Kjo ngjarje çoi në çlirimin e gazit në ajër në zonën përreth këtij pusi. Kompania Bankers u njoftua në lidhje me këtë incident dhe menjëherë nisi operacionet për vënien nën kontroll të këtij pusi.

Si fillim kompania Bankers instaloi aparatet matëse të gazit për të llogaritur sasinë e gazit prezent në zonë dhe me marrjen e rezultateve konstatoi se aty kishte nje përqindje të lartë gazi helmues, H2S. Kompania filloi evakuimin e banorëve nga zona potenciale e rrezikut dhe mori masat teknike për mbylljen e pusit me qëllim parandalimin e ndonjë ndërhyrjeje tjetër në të.

Bankers njofton se nuk ka patur dëmtime nga ky incident dhe njofton të gjithë banorët se ata do të mund të kthehen në shtëpi në një kohë të shkurtër, sapo pusi të jetë mbyllur plotësisht dhe cilësia e ajrit të jetë kthyer në nivele brenda normës. Aktualisht situata është e qetë. Kompania po punon për vënien nën kontroll dhe ndaljen e kativitetit të këtij pusi duke marrë të gjitha masat teknike dhe në të njëjtën kohë kërkon bashkëpunimin e insitucioneve që monitorojnë veprimtarinë hidrokarbure në nivel qendror dhe lokal, si edhe mbështetjen e policisë së shtetit që incidente të tilla të mos përsëriten më!

Kompania Bankers thekson edhe një herë se operon me standardet më të larta ndërkombëtare dhe siguron opinion publik dhe institucionet përkatëse se aktiviteti i saj është në harmoni të plotë me mbrojtjen e mjedisit. Në të njëjtën kohë kompania dëshiron të risjellë në vëmendjen e komunitetit se ndërhyrja me pajisje brenda në fushë jo vetëm është e paligjshme, por mund të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme, jo vetëm për individët, por gjithashtu edhe për banorët që jetojnë në atë zonë.

Revista Monitor, 16.09.2014