Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Anashkalimi i KEK-ut e Favorizimi i KEDS-it

Dy operatorët e energjisë elektrike-KEK e KEDS- u bazuan në të njëjtën ngjarje kur kërkuan nga ZRrE-ja rritje të të hyrave të lejuara përkatësisht rritje të çmimit të energjisë elektrike. Rregullatori shtetëror i dha të drejtë KEDS-it, por refuzoi shqyrtimin e kërkesës së KEK-ut. Kjo nxiti hidhërimin e operatorit publik të energjisë elektrike, shkruan Gazeta Jeta në Kosovë.

Shpërthimi i 6 qershorit i ndodhur në hapësirat e Termocentralit “Kosova A” që la dy të vdekur e shkaktoi mbi 180 mijë euro dëme bazuar në raportet zyrtare, bëri që rregullatori shtetëror i energjisë të marrë vendime që nxisin ankesa të prodhuesit publik të rrymës- KEK-ut ndaj shpërndarësit privat të rrymës-KEDS-it.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë më 29 gusht të këtij viti vendosi që të pranojë kërkesën e kompanisë KEDS që lypi rritje të tarifave të energjisë elektrike, por refuzoi kërkesën e KEK-ut që kërkoi lejimin e shpenzimeve për të investuar në riparimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi në “Kosova A”.

Adelina Murtezaj- Bajrami, zyrtare për marrëdhënie me publikun në ZRrE, tha se bordi i këtij institucioni ka vendosur që të mos e trajtojë kërkesën e KEK-ut për shqyrtim të jashtëzakonshëm, pa pranuar raport zyrtar mbi shkaqet e shpërthimit nga organet e hetuesisë. “ZRrE-ja nuk ka mundur t’i lejojë KEK-ut mjete shtesë pa pasur raportin që do të dëshmonte se kjo ngjarje ka qenë jashtë kontrollit të kompanisë”, tha Murtezaj- Bajami.

E pyetur pse ZRrE-ja ka vendosur në favor të operatorit privat KEDS dhe ka kundërshtuar operatorin publik KEK, zyrtarja Murtezaj – Bajrami tha se ZRrE-ja për marrjen e këtyre vendimeve është bazuar në ligj. “Fillimisht ZRrE-ja thekson se të gjitha vendimet e saj janë të mbështetura në ligjet dhe rregullat në fuqi. Këto ligje dhe rregulla në asnjë moment nuk bëjnë dallim në mes të operatorëve të licencuar, pa marrë parasysh se a janë këta operatorë privatë apo publikë”, pohoi Murtezaj – Bajrami.

ZRrE-ja ka mandatin të përcaktojë shkallën vjetore të investimeve dhe të të hyrave të KEK-ut. Kjo bëhet për shkak që tarifat e prodhimit të energjisë të mos ndikojnë në kosto të çmimit të energjisë elektrike.

KEK-ut i duhen investime milionëshe për riparime pas shpërthimit në “Kosova A” dhe në mënyrë që të mos ndikohet në koston e prodhimit të energjisë, këto para duhet të vijnë nga Qeveria e Kosovës.

Ndërkaq kompania KEDS që bleu shpërndarjen e energjisë elektrike për një çmim të kritikueshëm prej 26 milionë eurosh, kërkoi nga ZRrE-ja rritjen e tarifave duke përdorur për arsyetim avarinë që ndodhi në termocentralin “Kosova A”. Sipas tyre KEK-u nuk ka mundësi të prodhojë energji të bollshme elektrike dhe KEDS-i është i detyruar të importojë nga jashtë.

ZRrE-ja vendosi në favor të KEDS-it dhe lejoi rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 5.18 për qind. Vendimi për rritjen e tarifave të rrymës së importuar është kritikuar nga shoqëria civile.

52 organizata të shoqërisë civile kanë nënshkruar të dielën një peticion me të cilin kanë kërkuar nga KEDS-i që ta anulojë vendimin për rritjen e çmimit të rrymës, ose kjo privatizuesi i distribucionit të përballet me protesta dhe padëgjueshmëri në pagesën e faturave nga qytetarët. “Rritja e çmimit të energjisë do të ketë efekt zinxhiror, duke shkaktuar rritje të pakontrolluar të çmimeve të shportës së konsumatorit”, thuhet në arsyetimin e peticionit.

Në këtë peticion thuhet se rritja e çmimit prej 5.18 për qind vjen vetëm dy muaj pas një rritjeje paraprake prej 4.57 për qind, duke e bërë rritjen e përgjithshme brenda vitit mbi 10 për qind.

Kushtrim Puka nga organizata KOSID tha se rritja e tarifës së energjisë për 5.18 për qind është bërë nga ZRrE-ja gjoja për gjendje të jashtëzakonshme por, sipas tij, kjo rritje po mbetet permanente. “Këta po thirren në një situatë të jashtëzakonshme, por në anën tjetër ky është një vendim permanent dhe jo i përkohshëm”, tha Puka për Gazetën Jeta në Kosovë.

Pas vendimit të ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë, ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ( KMDLNj). “KMDLNj, vlerëson se kjo ngritje e radhës e çmimit të energjisë e rrezikon në skajshmëri standardin edhe ashtu të degraduar të konsumatorit kosovar, i rrezikon familjet e sistemuara në kategori sociale, pensionistët, studentët, amvisëritë dhe rrezikon bizneset”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së të dërguar të premten e javës së kaluar.

Ky këshill thotë se Kuvendi i Kosovës e sidomos Qeveria e Kosovës duhet t’i dalin në mbrojtje konsumatorit të varfëruar dhe jo të ndihmojë në pasurimin e kundërligjshëm të KEDS-it.

KEDS-i jotransparent

Përderisa ZRrE-ja vlerësoi se ngritja e çmimit të rrymës është e arsyeshme pas situatës së krijuar pas 6 qershorit-qytetarët nuk mund të shohin gjendjen financiare të KEDS-it, faturat e të cilit do të jenë më të shtrenjta tash e tutje.

Operatori KEDS, nuk i ka publikuar raportet financiare në faqen zyrtare të kompanisë.

Zyrtari për informim në KEDS- Guri Shkodra tha se operatori ka obligim të raportojë në ZRrE për financa. “Raportin financiar ne e dërgojmë në ZRrE, sepse jemi të obliguar. Nuk e di a jemi të obliguar që këtë raport ta bëjmë edhe publik”, tha Shkodra.

Por ZRrE-ja thotë se nuk e ka obligim të publikojë raportet financiare të operatorëve, por vetëm të vetat. “ZRrE-ja të gjitha raportet e veta i vjetore ku përfshihet edhe raporti financiar, i dërgon në Kuvend për aprovim dhe i bën publike ne vebfaqen e saj”, thotë Adelina Murtezaj-Bajrami, zyrtare informimi në ZRrE , shkruan Gazeta Jeta në Kosovë.

ZRrE-ja përkrahet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, dikasteri qeveritar që është përgjegjës i krijimit të politikave të furnizimit me rrymë të qytetarëve.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik thotë se pronësia është çështje relevante për ZRrE-në, pasi që sipas tyre ky institucion merr vendime në mënyrë profesionale duke mbrojtur interesat e të gjithë sektorit të energjisë elektrike. ” Në një sektor të rregulluar të energjisë elektrike, siç është rasti edhe me sektorin e energjisë elektrike për Kosovën, pronësia është çështje irelevante, kur kemi të bëjmë me vendimmarrjen rregullatore”, thotë MZHE-ja.

Ankesa e KEK-ut

Ky veprim i rregullatorit shtetëror të energjisë ka hidhëruar operatorin publik të rrymës.

Edmond Nulleshi, drejtori i shërbimeve në KEK, tha se ky operator nuk ndihet i kënaqur me vendimin e ZRrE-së për anulimin e kërkesës për investim në riparimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i Termocentralit “Kosova A”. “Ne nuk jemi te thirrur te komentojmë vendimet ekzekutive të ZRrE-së, por duhet të theksojmë se nuk jemi te kënaqur me mospërfilljen e kësaj çështjeje gjate shqyrtimit te jashtëzakonshëm tarifor”, tha Nulleshi.

Zyrtari i KEK-ut pohoi se janë duke vazhduar hetimet për gjetjen e shkaktarit të aksidentit të ndodhur me 6 qershor 2014 në Termocentralin “Kosova A”. “Zona e aksidentit mbetet ende e rrethuar dhe nën kontrollin e Policisë së Kosovës me ç’rast ekipet kompetente dhe të hetuesisë janë duke vazhduar hetimin për gjetjen e shkaktarit te këtij aksidenti”, deklaroi ai.

Nulleshi tha se menaxhmenti dhe Bordi i Drejtorëve te KEK-ut ka ofruar përkrahjen e plotë që procesi i hetimit të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe shkaqet e plota te aksidentit të gjinden sa më parë që të jetë e mundur.

Drejtori Nulleshi pohoi se pas shpërthimi të ndodhur, KEK-u ka ndërmarrë rehabilitim kapital në “Kosovën A” që sipas tij kushton 8. 7 milionë euro, e të cilat shpenzime janë mbuluar nga të hyrat vetanake dhe kursimet buxhetore. “Si pasoje e avarisë në Termocentralin “Kosova A”, KEK-u ballafaqohet me probleme financiare për shkak të mungesës së të hyrave të ndërlidhura me mungesën e prodhimit të planifikuar të një njësie (A5)”, tregoi Nulleshi.

Drejtori Nulleshi tha se pas aksidentit, janë duke u riparuar dy njësi të Termocentralit “Kosova A” e që janë A4 dhe A5 dhe pritet që të përfundojnë në muajin dhjetor.

Portali Telegrafi, 11.09.2014