Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia të orientohet drejt një tregu të hapur

Intervistë e “JAVA” me Administratorin e KESH sh.a., z. Agron Hetoja. Si e shpjegon ai gjendjen financiare aktuale të KESH-it, faktin pse sistemi ynë energjetik përballet në një gjendje kaq të vështirë dhe marrëdhëniet me CEZ-in. Në intervistë preket dhe fuqia gjeneruese e KESH-it, si edhe çmimet për konsumatorët familjarë etj…

Zoti Hetoja, pas një pranvere të lagësht, a mund të thuhet se Shqipëria i shpëtoi emergjencës energjetike, e nënkuptuar si mungesë prodhimi në kaskadën e Drinit?

“Duhet të kuptojmë se prodhimi vendas sigurohet 100 % nga burime hidrike (rreth 90% e prodhimit vendas sigurohet nga hidrocentralet që administron KESH sha., dhe 10 % nga prodhuesit private/ konçesionare), rrjedhimisht vendi ynë është vazhdimisht i ekspozuar ndaj riskut hidrologjik.

Situata hidrologjike e përmirësuar gjatë pranverës bëri të mundur që kërkesa për furnizimin me energji elektrike e konsumatorëve tariforë të plotësohej kryesisht me prodhimin vendas, duke mundësuar kështu një përmirësim të portofolit financiar të shoqërisë për periudhën në fjalë. Nëse gjatë 3 – mujorit të parë te vitit 2014 prurjet në kaskadë ishin rreth 3 herë më pak se mesatarja shumëvjeçare (kushte të një situate pesimiste) dhe KESH sh.a., duhej të importonte një sasi prej rreth 1,200 GWh (ose 83 mln EURO) për gjithë vitin për të përmbushur kërkesën e konsumatorëve tariforë, në kushtet aktuale parashikohet që importi vjetor të arrijë jo më shumë se rreth 500 GWh (me një kosto rreth 20 milion EURO).

Niveli i Fierzës në fund të muajit Korrik, parashikohet të jetë jo më pak se 291 metra, e cila siguron një rezervë energjetike optimale për të përballuar kërkesën për energji të vendit. Sidoqoftë KESH sh.a., monitoron në dinamike treguesit e prodhimit dhe konsumit në vend, me qëllim që të sigurojë menaxhimin me efiçensë të HEC-ve në kaskadën e Drinit dhe të portofolit financiar”.

Ndërkohë koncepti i emergjencës, kur flitet për korporatën që ju drejtoni, duket se është më i gjerë sesa niveli i ujit në digën e Fierzës apo Komanit. Cila është gjendja financiare e KESH -it momentalisht?

“Kjo është një pyetje që kërkon një përgjigje të drejtpërdrejtë. Eshtë e vërtetë që ajo që cilësoni ju si emergjencë, nuk lidhet vetëm me nivelin e baseneve tona ujëmbledhëse dhe me gjenerimin e energjisë. KESH sha, po përballet prej rreth 3 vitesh me një situatë mjaft të vështirë financiare, e cila është rrjedhojë e mos pagesave të faturave të energjisë elektrike nga operatori i sistemit të shpërndarjes (ish- CEZ Shpërndarje), i cili blen energjinë e prodhuar në vend nga KESH sh.a., për të furnizuar konsumatorët tarifore. Kjo situatë reflektohet edhe në përmbushjen e detyrimeve të KESH sh.a., ndaj të tretëve (prodhuesit privatë /konçesionarë, furnitorët e tjerë të shoqërisë, organet tatimore, institucionet financiare etj.). Në kushtet e mungesës së likuiditeteve bëhet edhe më shumë shqetësues borxhi i akumuluar i KESH sh.a., ndaj bankave të nivelit të dytë, duke rritur kostot e operimit të shoqërisë.

hec fierze, hidrocentral,

Nga ana e KESH sh.a., në bashkëpunim me operatorët e tjerë dhe Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë po ndërmerren një sërë masash administrative dhe institucionale për zgjidhjen e kësaj situate të vështirë. Këto masa lidhen me rritjen e performancës së operatorit të sistemit të shpërndarjes, si dhe projektimin e reformave në sektorin e energjisë elektrike, të cilat do të mbështeten nga financimi i institucioneve të huaja financiare, siç është Banka Botërore”.

Cilat janë disa nga shkaqet që sistemi ynë energjetik gjendet në një gjendje kaq të vështirë?

“Shkaqet janë tashmë të njohura dhe identifikohen lehtësisht nga përgjigjet më sipër, por sigurisht që janë edhe mjaft komplekse.

Sipas modelit aktual të tregut të energjisë elektrike, gjeneruesi i fluksit të të ardhurave në sistem është operatori i sistemit të shpërndarjes. Performanca e ulët teknike dhe komerciale e operatorit të sistemit të shpërndarjes e viteve të kaluara, e shoqëruar edhe me mungesën e investimeve në rrjetin e shpërndarjes, fatkeqësisht është reflektuar në veprimtarinë e të gjithë operatorëve të sektorit të energjisë elektrike.

Gjithashtu, modeli aktual i tregut të energjisë elektrike, i aplikueshëm që në vitin 2008 e në vazhdim, nuk siguron për operatorët e sektorit të energjisë elektrike incentiva për rritjen e performancës së veprimtarisë së tyre. Gjatë viteve të kaluara KESH sh.a., ka prodhuar energji elektrike jo vetëm për furnizimin e konsumatorëve tariforë, por edhe për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes – kjo e dyta është detyrim ligjor i operatorit të sistemit të shpërndarjes dhe jo i KESH sh.a. Nga ana tjetër, KESH sh.a., ka detyrim për të përballuar riskun hidrologjik që shoqëron veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike. Përmbushja e këtij detyrimi bëhet gjithnjë e më i vështirë për KESH në kushtet e mungesës së likuiditeteve. Gjithashtu, varësia e shoqërisë KESH sh.a., nga një klient i vetëm (operatori i sistemit të shpërndarjes), nuk i siguron fleksibilitet në menaxhimin e portofolit të saj financiar.

Këto janë arsye më se të mjaftueshme për të ndërmarrë reformat e duhura në sektorin e energjisë elektrike, të cilat do të lejojnë hapjen graduale të tregut të energjisë elektrike dhe do të orientojnë drejt vizionin e shoqërive që operojnë në treg. Parakusht i suksesit të këtyre reformave është dhe do të mbetet rritja e performancës së operatorit të sistemit të shpërndarjes”.

Cilat janë raportet institucionale që keni me ERE?

“Enti Rregullator i Energjisë është institucioni që licenson, rregullon dhe monitoron veprimtarinë e operatorëve në tregun e energjisë elektrike.

Më sipër përmenda që KESH sh.a., ka ndërmarrë një sërë masash institucionale në funksion të zgjidhjes së situatës së vështirë në të cilën ndodhet KESH sha Në mënyrë të vazhdueshme kemi përcjellë në ERE shqetësimet dhe arsyetimet e lartpërmendura, me qëllim që ERE, me autoritetin që i jep ligji primar për sektorin e energjisë elektrike, të ndërmarrë veprimet e duhura administrative dhe rregullatore. Gjithashtu, në ERE kemi dërguar edhe propozime konkrete lidhur me ndryshime të nevojshme në marrëveshjen e shit – blerjes së energjisë ndërmjet KESH -it dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, të cilat synojnë të “disiplinojnë” marrëdhëniet kontraktuale ndërmjet të dy operatorëve.

Roli i ERE-s është i rëndësishëm jo vetëm në rregullimin apo zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet dy operatorëve që ushtrojnë një veprimtari të rregulluar në sektorin e energjisë elektrike, por edhe në performancën në tërësi të sektorit të energjisë elektrike dhe ecurinë e reformave të nevojshme për t’u ndërmarrë”.

cez-shperndarjeCEZ po rikthehet sërish në pronësinë e shtetit. Si e shihni situatën aktuale të kësaj kompanie dhe të ardhmen e saj të afërt?

“Për situatën në të cilën ndodhet sektori, kjo ishte zgjidhja më e mirë që mund të arrihej. Unë shpresoj që të ridimensionohen marrëdhëniet kontraktuale që KESH ka me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes për përmbushjen e detyrimeve të ndërsjella.

Sikurse përmenda më lart, performanca e kësaj shoqërie është “thembra e Akilit” në të gjithë procesin e reformave të sektorit të energjisë elektrike që pritet të ndërmerren. Rrjedhimisht kam besim që rikthimi i shoqërisë në pronësinë e shtetit shqiptar do t’i hapë rrugë investimeve në sektorin e shpërndarjes dhe reformave për transformimin e saj në një shoqëri rentabël”.

Njëra ndër sfidat mbetet rritja e fuqisë gjeneruese. Si po sillet KESH në këtë drejtim dhe cilat janë vështirësitë?

“Misioni i shoqërisë e transmeton qartë orientimin e saj drejt mirëmbajtjes dhe shtimit të kapaciteteve prodhuese me qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe integrimin në tregun rajonal të energjisë.

Krahas projekteve të investimeve për rritjen e sigurisë së digave në kaskadën e Drinit, KESH aktualisht po shqyrton mundësitë e investimit për:

– Rivendosjen në operim të TEC Vlorë dhe mundësitë për konvertimin e veprës nga teknologji bazuar në “djegie diesel” në “djegie gazi”. Për këtë është hartuar një plan veprimesh, i cili i është prezantuar Qeverisë dhe Institucioneve Financiare që kanë financuar ndërtimin e TEC-it. Aktualisht jemi në proçesin e zgjedhjes së konsulencës për këtë qëllim;

-Ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës, si pjesë e kaskadës ekzistuese mbi lumin Drin. Disa kompani aziatike kanë shprehur interes për të mbështetur ndërtimin e kësaj vepre. Meqenëse Qeveria Shqiptare dhe KESH nuk kanë mundësi financiare për të ndërtuar këtë projekt strategjik për vendin, dhe në kushtet kur ka dështuar procesi i dhënies me koncension i saj, KESH po shqyrton mundësitë për një model të ri të mbështetjes së këtij investimi”.

A duhet rritur çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë? Po për bizneset?

“Reforma e tarifave dhe çmimeve të shërbimeve të energjisë elektrike është e rëndësishme në kuadër të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Gjithashtu është e rëndësishme që tarifat dhe çmimet e energjisë elektrike duhet të reflektojnë kostot e arsyeshme për sigurimin e shërbimeve të energjisë elektrike. Nga ana tjetër, jo çdo mos-performancë e operatorëve të tregut të energjisë duhet të reflektohet domosdoshmërisht në rritje të çmimit të energjisë për konsumatorët fundorë.

high tension poles shtylla tensioni te larteËshtë kompetencë dhe përgjegjësi e Entit Rregullator të Energjisë të verifikojë kostot e arsyeshme të secilit operator dhe të marrë vendimin e duhur mbi tarifat e shërbimeve të energjisë elektrike dhe çmimin për konsumatorët tariforë”.

Përtej përgjigjeve të mësipërme, si do ta përmblidhnit në një paragraf të vetëm, reformën që duhet kryer në sistemin energjetik shqiptar?

“Tregu i energjisë elektrike në Shqipëri duhet të orientohet drejt një tregu te hapur dhe konkurrues, i cili do të sigurojë shërbime cilësore për konsumatorët shqiptarë, bazuar në parimet e respektimit së të drejtave dhe detyrimeve kontraktuale reciproke”.

Revista Java, 01.08.2014