Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEK-ut i anulohet tenderi

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), ka anuluar vendimin e Autoritetit Kontraktues (AK) të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të blerë buldozerë në vlerë prej 468.888 euro.

Edhe pse gjatë procesit të vlerësimit, KEK-u kishte përzgjedhur Operatorin Ekonomik me çmim më të lirë, oferta e përzgjedhur nuk kishte përmbushur në masë të kënaqshme kërkesat teknike.

Kjo kishte bërë që OSHP-ja të marrë vendim që kjo lëndë të kthehet në ritenderim, pasi kishte shqyrtuar dy ankesat që kishin ardhur nga dy operatorët ekonomikë që kanë qenë në garë për këtë tender.

Operatori ekonomik ankues “Lager Trade sh.p.k&Lager d.e.e” nga Prishtina dhe operatori tjetër “Teknoxgroup Kosovo L.L.C”, nga Llapnasella, si palë të pakënaqura kishin parashtruar ankesat për shkelje esenciale të dispozitave për dhënie të kontratës operatorit “Ortur Solar”, nga KEK-u.

Pas pranimit të ankesës, OSHP-ja kishte autorizuar ekspertin shqyrtues-teknik për të shqyrtuar aktivitetin e prokurimit “Furnizim me buldozerë”.

“Ortur Solar” nuk kishte përmbushur kërkesat

Në raportin e ekspertizës të datës 3 korrik 2014, është konstatuar se disa të dhëna në specifikacionin teknik të dorëzuar nga operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë nuk janë të ngjashme me ato të kërkuara në dosjen e tenderit.

Por ky ekspert shqyrtues-teknik në raportin e tij të ekspertizës kishte vlerësuar se këto ndryshime janë paraqitur si devijime të vogla, të cilat nuk dëmtojnë procesin e prokurimit.

Me këtë mendim ishte pajtuar autoriteti kontraktues në KEK, por përmes parashtresave dy operatorët ekonomikë “Lager Trade sh.p.k&Lager d.e.e” dhe operatori tjetër “Teknoxgroup Kosovo L.L.C”, nuk ishin pajtuar me mendimin e ekspertit shqyrtues-teknik. Duke parë këto pakënaqësi të operatorëve ekonomikë, OSHP-ja më 14 korrik 2014, kishte thirrur një seancë ku përfaqësuesi i operatorit ekonomik ankues “Lager Trade sh.p.k&Lager d.e.e”, Rrahim Rexhepi kishte prezantuar provat e tij.

Po ashtu, prova kishte prezantuar edhe përfaqësuesi i operatorit tjetër ankues, “Teknoxgroup Kosovo L.L.C”, Gani Shashivari. Përfaqësuesi i operatorit ekonomik ankues “Lager Trade sh.p.k&Lager d.e.e”, Rrahim Rexhepi, kishte deklaruar se operatori i rekomanduar për kontratë nga KEK-u, “Ortu Solar”, nuk i ka plotësuar kushtet teknike të kërkuara prej autoritetit kontraktues lidhur me aktivitetin e prokurimit. “”Ortu Solar” nuk ka ofertuar me motorin prej 6 cilindrave, por i njëjti ka ofertuar motor me 4 cilindra”, kishte deklaruar Rexhepi.

Edhe Gani Shashivari, përfaqësues i “Teknoxgroup Kosovo L.L.C”, kishte deklaruar se “Ortu Solar” nuk kishte përmbushur kërkesat e dosjes së tenderit, konform specifikave teknike. Këto ankesa si të pabazuara i ka cilësuar përfaqësuesi i operatorit kontraktues “Ortu Solar”, Mustafa Kavaja. “Palët ankuese më shumë po merren me çështjet të tenderëve të kaluar se me çështje të tanishme”, kishte thënë Kavaja.

KEK: Do të respektojmë vendimin

Edmond Nulleshi, drejtor në Shërbimet e Korporatës, ka thënë se gjatë procesit të vlerësimit, KEK-u ka përzgjedhur operatorin ekonomik të përgjegjshëm me çmim më të lirë.

Nulleshi pranon se oferta e përzgjedhur ka përmbushur në masë të kënaqshme kërkesat teknike, me ndryshime të vogla jomateriale.

Por, sipas tij, që nuk ndikojnë në performancen e pajisjeve të kërkuara. “Me këtë vlerësim të KEK-ut pajtohet në tërësi edhe eksperti shqyrtues i OSHP-së, duke konstatuar se ndryshimet e vogla jomateriale nuk e dëmtojnë procesin e prokurimit dhe janë në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik”, ka sqaruar Nulleshi.

Por, ai ka shtuar se për çudi, paneli OSHP-së, përkundër këtyre fakteve, duke mos përfillur fare as mendimin e ekspertit të caktuar nga vetë OSHP-ja, nuk merr vendim që aktiviteti të shkojë në ritenderim, që është jashtë fushëveprimit që ka konform LPP-ja.

Por përkundër pakënaqësisë, Nulleshi thotë se sipas LPP-së vendimet e OSHP-së për sa i përket ekzekutimit janë të formës së prerë. “KEK-u do të respektojë vendimin në fjalë. Por në të njëjtën kohë, jemi duke shqyrtuar mundësitë tjera ligjore për të ushtruar të drejtën tonë juridike”, ka shtuar ai.

Gazeta Zëri, 22.07.2014