Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hidrokarburet: Ndryshimet do forcojnë rregullat

Flet Adrian Çela, kryeinspektor, Inspektorati Qendror Teknik

Industria e karburanteve në Shqipëri është padyshim një nga sektorët ku paligjshmëria është tejet e madhe, si në aspektin e cilësisë së produktit, ashtu edhe në pjesën e evazionit fiskal. Janë pikërisht këto dy drejtime, që edhe sipas specialistëve u kanë dhënë mundësi operatorëve që të mbijetojnë qoftë edhe duke shkelur ligjin. E për t’u dhënë fund problemeve ose më mirë për t’i reduktuar disi, sepse i pari do të ishte shumë i “bukur për të qenë tërësisht i vërtetë” në një periudhë të shkurtër kohe, në Kuvend kanë kaluar 18 amendime të ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, i ndryshuar. Ndryshimet synojnë ashpërsimin e masave dhe rregullave për funksionimin e impianteve të përpunimit të naftës, që nënkupton se asnjë prej tyre nuk do të ushtrojë aktivitet pa licencë. Nga ana tjetër, me ndryshime në ligjin për hidrokarburet, do të vendosen rregulla dhe masa të forta penalizuese edhe për tregtimin me shumicë, pakicë dhe garantimin e cilësisë së produktit.

Nevoja për të pasur një ligj të ri lindi kryesisht nga monitorimi i pjesës së licencimit të impiantit, e cila deri tani është tërësisht jashtë kontrollit nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë. Ndryshimet në ligj nuk do të përcaktojnë vetëm kushtet e licencimit, por do të parashikojnë qartë se kush i shet kujt, duke filluar nga rafineria se cilit subjekti i shet impiantet, shoqëritë e tatimeve me shumicë, konsumatorët e mëdhenj që janë koncepti i ri që është futur në ligj dhe në tregtimin me pakicë.

Risi në ligj është edhe fakti se gjobat ndaj subjekteve që falsifikojnë produktin dhe ua shesin konsumatorëve, janë dhjetërafishuar. Rreth 10 milionë lekë është gjoba për subjektet që abuzojnë me cilësinë. Në këtë mënyrë janë ashpërsuar penalitetet, që një pjesë e mirë ishin nga viti 1999 dhe ende në nivelin e 30,000 lekëve. Ndërkohë është futur edhe koncepti i ri i falsifikimit. Çdo stacion pike karburanti do të ketë edhe një mostër të karburantit dhe do të jetë e sekretuar. Kjo nënkupton se, nëse një pikë karburanti tregton karburant jocilësor, por nëse mostra është brenda standardit atëherë pika e karburantit ka falsifikuar produktin dhe do të penalizohet.

Flet Adrian Çela, kryeinspektor, Inspektorati Qendror Teknik

Tregu i karburanteve është një nga më problematikët në Shqipëri, cilat janë konstatimet që IQT ka bërë?

Tregu i hidrokarbureve vazhdon të përballet me probleme, kjo si pasojë e ciklit të zhvillimit që ka kaluar vendi ynë. Ajo që unë si drejtues i IQT-së konstatoj gjatë këtyre muajve është se problematikat nuk janë aq dramatike sa është perceptuar dhe kjo ka ardhur si pasojë: e para për shkak të punës që është bërë gjatë 8 muajve, por ndoshta ka qenë edhe një perceptim jo i drejtë. Në fillim të ardhjes jemi përballuar me një sërë problemesh dhe referuar statistikave kemi rreth 1,400 pika karburanti që janë të identifikuara, të licencuara (pra, që kishin marrë vërtetimin teknik dhe plotësonin të gjitha kushtet) ishin vetëm 380 pika, por deri në fund të vitit 2013 ne arritëm ta çonim numrin në rreth 980. Pra, ka munguar tërësisht kontrolli, cilësia linte për të dëshiruar. Tashmë ka një ndryshim në performancën e punës së IQT-së edhe për vetë ndërgjegjësimin e pronarëve të pikave të karburantit. Unë mendoj se ka vend gjithmonë për përmirësime sepse edhe niveli i informalitetit nuk është i vogël.

Çfarë do të sjellin ndryshimet ligjore në treg?

Ky është ligji bazë që funksionon sektori i hidrokarbureve në Shqipëri dhe janë gjithsej 18 nene që amendohen. Koha e përgatitjes së këtyre mendimeve ka qenë pak e gjatë, sepse ne kemi qenë të kujdesshëm që të marrim mendime nga ekspertë, grupet e interesit etj., dhe një pjesë e sugjerimeve të tyre janë reflektuar. Natyrisht, pas miratimit në Kuvend, ligji do të dojë kohën e vet për të hyrë në fuqi dhe më pas do të ketë edhe akte nënligjore që do të pasojnë.

Ne jemi të ndërgjegjshëm se tregu ka pësuar në kohë ndryshime në funksion të realiteteve të vendit. E në fakt koha kërkon një ligj të ri dhe ne jemi duke punuar për këtë. Ligji i ri do të dojë kohën e vet të përgatitet dhe do të jetë në përputhje edhe me direktivat europiane.

Pra, mendimet do të jenë transitore, sepse do të punohet për një ligj të ri?

Po, do të duhet një ligj i ri sepse duhet t’iu paraprijmë zhvillimeve edhe të dhjetëvjeçarit të ardhshëm. Kërkohet një vizion afatgjatë. Duhet të jemi realistë, Shqipëria është përballë realitetesh të reja me TAP-in nga njëra anë, burimet e reja të nxjerrjes së naftës, pra nuk përjashtohet mundësia që Shqipëria të jetë një pikë tranzicioni, si një pikë disbursimi. Por, të gjitha këto duhet të parashikohen me një ligj të ri, që do të jetë sa më i përafruar me standardet ndërkombëtare dhe kundrejt detyrimeve që i lindin vendit. Amendimet sjellin një sërë të rejash.

Për herë të parë futet koncepti i licencimit të rafinerive. Me ligjin e vjetër ne kemi vetëm tri rafineri nafte në Fier, Ballsh dhe Cërrik që nuk funksionon. Problemi qëndron se disa impiante përpunimi nuk janë të licencuara nga ministria përgjegjëse. Ne nuk kemi një inventar të numrit të saktë të këtyre impianteve në të gjithë vendin. Me ligjin që është ende në fuqi ato licencoheshin nga QKL-ja për riciklim ose përpunim produktesh, nafte bitumi etj., pa qenë objekt i kontrollit dhe licencimit nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në një kohë që ajo është përgjegjëse për gjithë politikat e hidrokarbureve. Pra, duke vendosur licencimin sigurojmë edhe inventarizimin e munguar të impianteve. Ideja nuk është vetëm njohja e numrit të tyre të saktë, por pas kësaj, ato do të mund të kontrollohen për plotësimin e kritereve teknike, sigurisë, mjedisore, për të garantuar se do të prodhojnë një produkt brenda standardit. Aspekti tjetër ka të bëjë me fiskalizimin e tyre, ato bëhen objekte tatimore. Ligji parashikon që pasi ato të bëhen objekt i licencimit nga ana e IQT-së të mund të paguajnë akcizë. Ka edhe një urdhëresë të përbashkët mes ministrit të Financës dhe atij të Energjisë dhe Industrisë që parandalon shmangien e detyrimeve ndaj tatim-taksave dhe cilësisë. Me anë të këtyre masave ne do të mund të disiplinojmë të gjithë këto impiante. Është propozuar një periudhë prej

6 muajsh që iu lihet në dispozicion këtyre subjekteve për t’u përshtatur me rregullat e reja, që të ndërmarrin investime, etj., dhe nëse konstatohet që nuk janë plotësuar të gjitha kriteret, atëherë aktiviteti i tyre do të mbyllet ose do të duhet ta përshtasin sipas kushteve të reja.

Një tjetër ndryshim ka të bëjë me futjen e nocionit të falsifikimit. Edhe në rastin e tregtimit të naftës ky është një fenomen që ndeshet rëndom, ka raste kur ndryshohen parametrat, kur ndërhyhet në produkt dhe ligji ka parashikuar sanksione të qarta kur do të konstatohen raste falsifikimi. Është marrë në konsideratë edhe sugjerimi i ardhur nga grupet e interesit të futjes së markës që shitet që të jenë të regjistruara. Ligji i ri e nënvizon më tepër këtë dhe gjithashtu për këtë do të dalin edhe VKM shoqëruese.

Koncept tjetër i ri është futur edhe tregtimi i gazit të lëngshëm (GLN. Tregu ka shumë probleme në lidhje me shitjen, mbushjet, ruajtjen. Me ligjin e ri parashikohet që vetëm sh.a.-të do të kenë të drejtë të tregtojnë bombola gazi, ndërsa pikat do të bëjnë vetëm shitjen. Nuk do të lejohet më që në treg të qarkullojnë bombola të markuara, të pastandardizuara, nëse kjo do të ndodhë, atëherë do të sekuestrohen.

Duhet theksuar se mendimet parashikojnë edhe disiplinimin e segmentit të tregtimit të vajrave lubrifikantë, që kanë qenë të përjashtuar nga ligji aktual. Pra, ishte një fushë tërësisht jashtë kontrollit.

Amendimet parashikojnë edhe shumëfishim të gjobave?

U pa e nevojshme që të kishte një rritje të vlerave të gjobave, por edhe të futej koncepti i revokimit të licencave. Me të drejtë është artikuluar shpesh niveli i ulët që kishin gjobat (50,000 – 70,000 lekë), por duhet të dihet se këto janë vlera që janë sanksionuar që në vitin 1999. Me ndryshimet, sanksionet do të shumëfishohen në varësi të shkeljeve. Natyrisht praktika e vendeve të tjera njeh vlera më të larta, si në rastin e Greqisë ku ato fillojnë nga 50,000 euro deri në sekuestro.

Edhe ne kemi arritur të fusim si risi në ligj, sekuestron dhe atë të revokimit të licencës. Për këtë kemi bërë edhe një ndryshim që do të thotë rishikim të institucioneve që japin licencën. Pikat e karburantit ose tregtarët e shitjes me pakicë shkojnë pranë pushtetit vendor për të marrë autorizimin për kryerjen e aktivitetit. Ne kemi konstatuar katër subjekte me shkelje dhe ia kemi referuar pushtetit lokal për mbyllje aktiviteti, por nuk është marrë parasysh. Pra, me ndryshimet e reja këto subjekte do të bëhen subjekte të licencimit nga ana e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë dhe në rast shkeljesh të përsëritura, atyre do t’u revokohet licenca.

Të gjithë subjektet që do të abuzojnë me cilësinë do të bëhen publikë?

Po është futur edhe nocioni i transparencës, pra ai i publikimit të emrave të subjekteve që abuzojnë me cilësinë. Për këtë morëm shtysë edhe nga një korrespodencë që patëm me Komisionin e Mbrojtjes së Konsumatorëve në BE. Ne tashmë kemi nisur të publikojmë emrat e subjekteve që kanë shkelur standardet ose që kanë pasur parregullsi në dokumentacion. Ne e kemi sanksionuar me ligj që të publikojmë emrat e subjekteve, pasi të ketë kaluar të gjitha shkallët e apelimit. Sepse duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ka edhe shmangie që teknikisht nuk janë të dëmshme dhe që nuk duhet të jemi arbitrarë më shumë nga ç’duhet. Në raste të tilla, kryhen disa kontrolle dhe në rast se përsëriten mund të merren masa dhe do të publikohen.

A do të mund të kemi reduktim të numrit të pikave të karburanteve?

Është ngritur një Taskë–Forcë pranë Kryeministrisë në të cilën është hedhur ideja e rishikimit të pikave të karburantit, por ende nuk ka një vendim zyrtar, janë të gjitha opsionet në diskutim. Ne kemi karburante saç kanë edhe vendet e tjera, si Hungaria apo Suedia, por nuk kemi të njëjtën popullsi, sipërfaqe apo numër makinash. Maqedonia ka 100-200, Mali i Zi 80-100. Pra, kuptohet qartë sesa duhet të jetë numri i pikave të karburantit në Shqipëri. Sa më real të jetë ky numër, aq më i kontrollueshëm do të jetë tregu. Natyrisht kjo do të nënkuptojë edhe rishikimin e standardeve të pikave, largësinë që do të ketë nga qendrat e banuara, numri në rrugë kryesore apo dytësore, në komuna, qytete. Kjo nuk është një punë që mund të bëhet brenda një muaji sepse do të duhet të merret koha e duhur, për shkak të efekteve ekonomike që ka. Do të jetë një studim që do të përfshijë një mori institucionesh dhe ndaj duhet të tregohemi të rezervuar për të mos shkaktuar panik në treg.

A është shtuar ndërgjegjësimi i tregtuesve të karburantit nga kontrollet e ushtruara për rritjen e cilësisë së shërbimit?

Kompanitë e mëdha janë të interesuara që tregu të rregullohet. Problemet kryesisht kanë qenë sporadike. Në fillim, ato kanë qenë më të forta sepse IQT pothuajse ka qenë inekzistent. Për vitin 2013, për periudhën janar – qershor nuk ka pasur asnjë kontroll.

Tashmë ka gjashtë sektorë ku secili ka planin e tij të kontrolleve periodike të miratuara. Jemi duke rikonstruktuar edhe laboratorin. Ideja është që deri në fund të vitit, të gjithë sh.p.k – të kenë kaluar më shumë se dy–tre herë kontrolle periodike.

Çela:

Kërkohet një vizion afatgjatë. Duhet të jemi realistë, Shqipëria ndodhet përballë realitetesh të reja me TAP-in nga njëra anë, burimet e reja të nxjerrjes së naftës, pra nuk përjashtohet mundësia që Shqipëria të jetë një pikë tranzicioni, si një pikë disbursimi. Por, të gjitha këto duhet të parashikohen me një ligj të ri, që do të jetë sa më i përafruar me standardet ndërkombëtare dhe kundrejt detyrimeve që i lindin vendit.

Revista Monitor, 13.07.2014