Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, BB këshillon Shqipërinë

Një raport i fundit i Bankës Botërore del në përfundimin se Shqipëria mund të kursejë deri në 50 milionë euro në vit nëse investon në eficencën e energjisë.

Sipas Bankës, nga këto kursime do të përfitonte si buxheti i qeverisë, ashtu dhe familjarët. Raporti i sapopublikuar thotë se investimet në këtë fushë, përveçse me leverdi të lartë, kanë një kthim të shpejtë. Në sektorin publik, raporti përllogarit se nëse qeveria do të investojë 33 milionë euro për të ulur shpërdorimin dhe rritur eficencën e konsumit të energjisë në spitale dhe shkolla, buxheti do të kursente mbi 5 milionë euro në vit nga faturat.

Kjo sipas raportit bën që i gjithë investimi të kthehet brenda një periudhe të shpejtë prej 6.5 vjetësh. Por, përfitimet më të mëdha janë në sektorin privat. Sipas Bankës, fatura e energjisë që paguajnë familjarët do të ulej deri në 40 milionë euro në vit nëse investohet në ndërtesat e banimit për të kursyer përdorimin e energjisë.

Raporti thotë se për të arritur këtë rezultat në dhjetë vitet e ardhshme Shqipëria duhet të investojë 270 milionë euro në termoizolimin e banesave dhe instrumenta të tjerë që rrisin eficenën e energjisë.

Ekspertët e Bankës Botërore pranojnë investimet në këtë fushë edhe pse me kthim të lartë pengohen nga një sërë barrierash që nga mungesa e fondeve dhe deri hezitimi i bankave për të kredituar këtë aktivitet. Ndaj, në raport ata sugjerojnë përfshirjen e qeverisë përmes buxhetit për të financuar dhe subvencionuar këto investime edhe në sektorin privat.

Top Channel, 13.07.2014