Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Berisha nuk e shpronësoi qëllimisht CEZ-in

Qeveria ka dërguar në Kuvend dhe kërkon miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për marrëveshjen me CEZ. Në relacionin e projektligjit “Për miratimin e marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, a.s shpjegohet gjithë procedura e ndjekur nga qeveria “Rama” për zgjidhjen e konfliktit me CEZ. Në relacion sqarohet gjithashtu indiferenca e qeverisë “Berisha” në trajtimin e problematikës me CEZ, pasi kësaj të fundit iu hoqën licensat. Grupi i punës që u ngrit për hartimin e kësaj marrëveshjeje siç e ka shprehur dhe në relacionin e projektligjit, mendon se pikërisht për shkak të mosndërhyrjes në kohë të qeverisë si dhe masat represive të kësaj të fundit kundrejt CEZ, kanë dëmtuar seriozisht pozitat e shtetit tonë në përpjekjet për zgjidhjen e këtij konflikti. E ndodhur në këto kushte, qeveria “Rama” ka pranuar marrëveshjen 94.9 milionë euroshe, për të larguar përfundimisht CEZ nga Shqipëria.

Indiferenca e qeverisë “Berisha”

Këshilli i Ministrave duhet të kishte proceduar menjëherë pas heqjes së licencave shoqërisë CEZ Shpërndarje, sh.a., me vlerësimin e aseteve të CEZ, nëpërmjet kontraktimit të një shoqërie ose eksperti të pavarur financiar, që më pas të kalohej në shpronësimin e aseteve, duke i paguar CEZ vlerën përkatëse që do të rezultonte si pasojë e shpronësimit. Këto veprime në fakt nuk u kryen ndërkohë që shoqëria CEZ, a.s., Pragë, duke konsideruar të padrejtë disa vendime të Entit Rregullator të Energjisë dhe sidomos vendimin e heqjes së licencave dhe kalimin në administrimin e përkohshëm të shoqërisë CEZ Shpërndarje, sh.a., të kontrolluar prej saj, paditi e para Shqipërinë më 15 maj 2013 në Gjykatën e Arbitrazhit UNCITRAL. “Mosveprimi në kohë nga ana e institucioneve shqiptare në lidhje me këtë konflikt, si në aspektin e vlerësimit të aseteve të shoqërisë CEZ Shpërndarje, sh.a., ashtu dhe në fillimin e procedurave të shpronësimit të këtyre aksioneve kundrejt një shpërblimi të drejtë, dobësoi seriozisht pozitën e shtetit shqiptar dhe dëmtoi të drejtat dhe interesat ekonomikë në këtë proces të arbitrazhit”, thuhet në relacionin e projektligjit. Po ashtu, gjatë periudhës pas heqjes së licencës dhe administrimit të përkohshëm të shoqërisë CEZ Shpërndarje, të papërshtatshme kanë qenë disa veprime të organeve shtetërore ndaj shoqërisë CEZ, ku kanë munguar konsultat dhe autorizimet e nevojshme, të cilat në tërësi kanë dëmtuar pretendimet e shtetit shqiptar në lidhje me dëmet që i janë shkaktuar, si dhe rëndonin pozitën e shtetit në procesin e arbitrazhit. Një tjetër moment negativ në raport me CEZ janë masat represive të shtetit tonë gjatë nëntorit 2012, ku një numër i madh i forcave të policisë hynë me armë në nënstacionet e energjisë elektrike dhe një numër i konsiderueshëm i punonjësve të CEZ Shpërndarje u arrestuan nga policia. Edhe pse këta punonjës u arrestuan, prokuroria vendosi mosfillimin e procedimit penal apo pushimin e hetimeve për shkak se ndërprerja e energjisë elektrike ishte një veprimtari që përfaqësonte një detyrim ngushtësisht civil dhe se ishte e ligjshme në bazë të ligjit të sektorit dhe kontratës së furnizimit.të gjitha këto, përbënin rreziqe potenciale për të dobësuar pozitën e shtetit shqiptar në procedurat e mëtejshme të arbitrazhit dhe cenonin në mbrojtjen e një interesi shumë të rëndësishëm ekonomik në një shumë të konsiderueshme.

Sot News, 11.07.2014