Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tarifa që varfëron konsumatorët

Në Kosovë llogaritet se një familje mesatarisht gjatë një viti shpenzon më shumë se 1 mijë e 200 euro për shfrytëzimin e energjisë elektrike. Me tarifën e re, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, faturat e energjisë elektrike do të jenë për 5 për qind më të larta dhe çdo familje do të paguaj 60 euro më shumë për një vit, ose afër 5 euro më shumë në muaj.

Drejtori ekzekutiv i Institutit STRAS, Ibrahim Rexhepi, vlerëson se buxheti i kosovarëve është relativisht i vogël për ta përballuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Ai konsideron se rritje e çmimit të energjisë ndikon edhe në lëvizjen e çmimeve tjera.

“Sado që ngritja e çmimit është e vogël, megjithatë çdo lëvizje e çmimit të energjisë elektrike mund të jetë gjenerator për lëvizjen e çmimeve të tjera. Prandaj, edhe ky 5 përqindësh pa dyshim se do të ketë ndikim – por jo në masën sa jemi frikësuar”, tha Rexhepi.

Për Rexhepin problem paraqet sistemi tarifor, sepse sipas tij, struktura tarifore duhet të ndërrohet. “Përderisa vendi ka këtë strukturë të prodhimit të energjisë elektrike, përderisa nuk mund të balancojë prodhimin dhe kërkesën edhe në baza ditore, do të ketë tarifa ndëshkuese, përkatësisht ato që tentojnë të rregullojnë sasinë e konsumit”, ka thënë Rexhepi.

Revista Monitor, 07.07.2014