Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Industria nxjerrëse rrit prodhimin, ul shitjet

Pasi për kompanitë e hidrokarbureve janë hequr përjashtimte nga TVSH e taksa të tjera, muajt e parë të këtij viti po shfaqin dukurinë e rritjes së prodhimit, por të rënies së shitjeve, e konstatuar kjo nga INSTAT, por dhe tendenca tkurrëse e eksporteve të “minerale, lëndë djegëse e energji” për pesë mujorin.

Sipas statistikave afatshkurtra të INSTAT për tremujorin e parë të këtij viti, volumi i prodhimit industrial u rrit me 3,9 % në raport me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, ndërsa ndryshimi tremujor i treguesit të shifrës së afarizmit në volum (shitjet), deflatuar, paraqitet me rënie 14,9 % në Industri, ku ndikimin kryesor e dha industria nxjerrëse me një tkurrje prej 18.5%.

Kjo është hera e parë që industria nxjerrëse rezulton me rënie me bazë tremujore, që prej tremujorit të parë 2013, kur raportohen të dhënat. Në tremujorët e mëparshëm, rritja kishte qenë dyshifrore, mesatarisht 16-20%.

Grafiku i paraqitur nga INSTAT tregon gjithashtu se shitjet dhe prodhimi shfaqin korrelacion të drejtë (kur rritet prodhimi rriten dhe shitjet, apo anasjelltas), ndërsa vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, rritja e prodhimit është shoqëruar me tkurrje të shitjeve.

Edhe eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji” arritën në 38.7 miliardë lekë për periudhën janar-maj, duke rënë me 3.5% në krahasim me pesëmujorin e vitit të kaluar. Ky grup po shfaq një ecuri tepër negative këtë vit, ndryshe nga 2013-a, kur eksportet e lëndëve djegëse, mineraleve e energjisë u rritën me ritme dyshifrore, duke udhëhequr gjithë eksportet shqiptare.

Heqja e përjashtimeve nga TVSH

Paketa Fiskale e vitit 2014 hoqi çdo përjashtim nga taksat të sektorit hidrokarbur, nga TVSH, nga akciza dhe nga tatimi mbi të ardhurat personale të personelit të huaj.

Efekti, sipas financave, do te jete 1.5 miliard lek shtesë nga TVSH pritet vetëm nga heqja e këtyre përjashtimeve nga TVSH-ja. Dhe në fakt, të ardhurat nga TVSH në muajt e parë të këtij viti janë rritur ndjeshëm.

Lidhur me futjen në skemën e TVSH-në, financat u nisën nga parimi që të gjithë duhet të futen në skemën e TVSH-së. Kompanitë e naftës janë eksportuese, kështu që TVSH e paguar në blerje, u rimbursohet 100% tek administrata tatimore. Në bazë të eksperiencave të vendeve naftënxjerrëse rezulton se Spanja, Australia, Danimarka nuk i përjashtojnë nga TVSH, kompanitë hidrokarbure; Azerbajxhani i përjashton nga TVSH me të drejtë kreditimi të TVSH. Përjashtim nga TVSH për të tilla shoqëri hidrokarbure aplikon vetëm Kameruni, Çadi dhe Algjeria”.

Revista Monitor, 07.07.2014