Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BSPK: Të ulet energjia ose protesta

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (PSPK), ka shprehur shqetësimin lidhur me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, veprim ky të cilin e quajtën absurd. Drejtues të BSPK-së, thanë se nëse kjo çështje nuk rishqyrtohet, atëherë do të ndërmarrin veprime tjera, duke mos përjashtuar as protestat.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, gjatë një konference për media tha se shtrenjtimi i rrymës është një zinxhir i cili edhe do të ndikon në ngritjen e çmimeve të artikujve për konsumatorët.

“Ne si BSPK do t’i përdorim edhe mekanizmat e tjerë. Do t’i ftojmë të gjitha OJQ-të do t’i ftojmë edhe të gjithë ata që janë të goditur në këtë rast punëtorinë kosovare që nuk janë pak, ata të punojnë janë afër 270 mijë dhe ata të cilët i kemi të papunë është një shumë edhe më e madhe se kjo, që ne përmes mekanizmave që i kemi t’i përdorim edhe ata nëse nuk kthehet edhe një herë të shqyrtohet kjo ngritje në këto momente. Kjo është një plaçkitje, ata i kanë tetë tarifa dhe me këto manipulojnë gjatë gjithë vitit, që asnjë konsumatorë nuk mund të dijë se çka po bëhet”, theksoi ai.

Arifi tha se para se të shpërndahet kuvendi ka pasur të bisedohet ngritja e kostos së rrymës, nga 5.05 në 5.25, por sipas tij qeveria dhe organet kompetente është dashur të punojë në forma të tjera dhe mos të arrihet deri në këtë pikë ku populli është ai që po pëson më së shumti.

“Qeveria është deshtë të punojë në format tjera të zgjedhjes së këtij problemi, problem që unë po e quaj kërkesën e ZRE-së që t’i ketë 240 milionë në trezorin e tyre për të bërë diçka në drejtimin e punëve të tyre që ata i kanë paraparë. Për ne si BSPK është një vendim i gabuar sepse për këtë vendim është dashtë që të merret edhe nga organi i cili përgjigjet ZRE-ja dhe bordi i ZRE-së, Kuvendi,kjo nuk ka ndodhë por ja, ata e kanë bërë këtë ngritje dhe ne si BSPK gjithmonë kur ka pasur këso ngritje edhe i kemi paralajmëruar se si mund të sigurohen këto mjete përmes mekanizmave tjerë që duhet t’i bëjë qeveria dhe mos të vije deri te ajo që ka ardhur sot dhe ngritja e çmimit të rrymës të behët dhe të rëndojë mbi supet e punëtorëve të Kosovës gjegjësisht popullatës së Kosovës, ekonomisë së Kosovës, biznese të Kosovës në këtë papunësi e cila është sot”, thotë ai.

Arifi mendon se po gjendet momenti i vakumit dhe po shfrytëzohen gjëra të tilla duke rrezikuar një popull të tërë. E për protestën, ai nuk dha ndonjë datë të caktuar.

Portali Telegrafi, 03.07.2014