Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bashkëpunim në tejkalimin e sfidave të energjisë

Situata aktuale energjetike në Kosovë kërkon një bashkëpunim të të gjithë akterëve të sektorit të energjisë dhe donatorëve me qëllim që të tejkalohet kriza e shkaktuar nga incidenti në TC Kosova A me çka janë zvogëluar kapacitetet prodhuese në vend. Kështu është thënë sot në takimin me donatorë “Sfidat e tanishme në sektorin e Energjisë”, që me iniciativën e KEK-ut, u organizua nga Zyra e Bankës Botërore në Kosovë.

Në këtë takim të pranishëm ishin Drejtori për Kosovë i Bankës Botërore, Jan Peter Olters, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, Ministri i Financave, Besim Beqaj, Zv.Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Mathias Kiesler, Zv. Ambasadori i Hollandës, Carel Brands, përfaqësues të Ambasadës së ShBA-së, të USAID-it, KEK-ut, KOSTT-it, KEDS-it dhe ZRRE-it.

Drejtori për Kosovë i Bankës Botërore, Jan Peter Olters ka theksuar se pavarësisht nga situata aktuale politike është i domosdoshëm lidershipi për të marrë vendimet e nevojshme për të riparuar dëmet e shkaktuara nga aksidenti në TC Kosova A, për të siguruar ofrimin e energjisë së mjaftueshme gjatë muajve të ardhshëm dhe gjatë dimrit, për të mbështetur familjet në konsumimin e kujdesshëm të energjisë gjatë muajve kritikë, dhe për të menaxhuar me kujdes implikimet fiskale në afat të shkurtër dhe të mesëm.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka thënë se lidhur me situatën energjetike në vend ka diskutuar dje me operatorët dhe është koha që të mendohet se si do të përballemi me situatën pas aksidentit të ndodhur në TC Kosovën A, pra se si do të furnizohen qytetarët me energji elektrike.

Ai tha se javën e ardhshme ka planifikuar të mbajë një takim të ngjashëm me donatorë dhe korporata financiare ku do të analizohen prioritetet dhe të shihet se në çfarë forme do të ketë mbështetje për furnizimin me energji në këtë dimër.

Ministri i Financave, Besim Beqaj ka thënë se megjithëse faktin se një situatë e tillë emergjente nuk mund të planifikimet në buxhet, të gjithë së bashku duhet të shikojmë mundësitë që në dimër të hymë sa më të përgatitur.

Nga ana e tij, Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, ka vlerësuar se sektori i energjisë së Kosovës pas aksidentit në TC Kosova A është në një situatë të rënduar ngase është vënë në rrezik siguria e furnizimit me energji, pasi ky TC mbulon rreth 35% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë në Kosovë.

energjia.al 02.07.2014