Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hidrokarburet, miratohen ndryshimet në ligj

Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese ka miratuar në një mbledhje pa praninë e mediave nen për nen ndryshimet në ligjin “Mbi Përpunimin, Transportimin dhe Tregtimin e Naftës, Gazit dhe Nënprodukteve të tyre”.

Vendimet e reja që do të hyjnë në fuqi në fillim të vitit që vjen parashikojnë një rritje të masës së gjobës të vendosur nga IQT deri në 8 herë më shumë, rregulla më strikte përsa I përket tregtimit të gazit në vend si edhe rregullimin e funksionimit të mbrojtjes së konsumatorëve shqiptarë. Kontrollet e kryera nga IQT në të gjitha subjektet tregtare që operojnë në vend dhe që importojnë produkte dhe nënprodukte të naftës do të përballohen nga vetë këto kompani, madje edhe në rastet kur do të konstatohen shkelje të rënda dhe do të ketë heqje të licencës.

Gjoba minimale do të jetë 100 mijë lekë, ndërsa ajo maksimale do të jetë në vlerën e 20 milionë lekëve. Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe rishikimin e kushteve të licencës për të gjitha rafineritë në vend, të vogla apo të mëdha. Në total janë konstatuar 15 subjekte të tilla në vend dhe asnjë prej tyre nuk përmbush kushtet e kontratës si nga ana teknike, ashtu edhe nga ajo mjedisore për kryerjen e aktivitetit të përpunimit të naftës dhe nënprodukteve të saj.

Një situatë kaotike, që ka shkaktuar dëme të mëdha për konsumatorët shqiptarë me cilësinë e karburanteve që ata marrin për automjetet e tyre. Nga viti që vjen, pritet që e vetmja rafineri për përpunimin e naftës të jetë ajo e Ballshit, ndërsa gjithë subjektet e tjera të bllokohen dhe t’u hiqet licenca.

Scan TV, 30.06.2014