Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri në konferencën “Hydro Tech Albania”

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri mori pjesë në punimet e konferencës “Hydro Tech Albania 2014” e cila po zhvillon punimet në datat 26 dhe 27 Qershor në Tiranë.

Duke ju drejtuar investitorëve të pranishëm, Ministri Gjiknuri deklaroi se Shqipëria është një vend me prodhimin e energjisë në masën 100% nga burimet hidro. Një fakt, që sipas tij mund të jetë i mirë për por në të njëjtën kohë është kërcënues për ato raste kur nuk ka kushte të përshtatshme atmosferike dhe kalojmë në periudha thatësirash.

“Nëse më pyesni se cila është rruga më e mirë për vendin, unë do të thoja se është diversifikimi i burimeve. Ndoshta, nuk është kjo fjala që ju pëlqen ta dëgjoni, por vendi ka nevojë për diversifikimin e burimeve energjitike”, u shpreh Ministri.

Vendi, sipas Ministrit përballet me disa sfida të rëndësishme kur vjen fjala tek furnizimi me energji dhe ndaj duhen diversifikuar burimet. “Në të ardhmen, një burim me rëndësi mund të jetë gazi natyror. Ne po punojmë për të hartuar një masterplan për të parë se cilat janë potencialet e përdorimit të gazit”, u shpreh Ministri.

Më tej, Ministri u ndal tek problemet me të cilat është përballur zhvillimi i sektorit dhe investimet në hidro. “Këto lidhen me modelin e tregut, me problemet që kemi patur në shpërndarje, konflikti i gjatë që kemi patur për kompaninë e shpërndarjes. Së fundi, ne i dhamë zgjidhje dhe besoj se kjo zgjidhjë do të na krijojë mundësinë që të vazhdojmë me reformat e thella strukturore. Disa prej reformave për të cilat po punojmë janë ligji i ri për energjinë, ligji që do të ndryshojë modelin e tregut e do të adresojë disa prej problemeve që kanë investitorët në këtë sektor. E di se disa prej operatorëve që mund të jenë të pranishëm edhe këtu vuajnë prej kohësh nga mungesa e pagesave dhe ne po bëjmë të gjitha veprimet e duhura për ta bërë sektorin likuid”, insistoi Z. Gjiknuri.

Vitin e ardhshëm, sqaroi Ministri, do të liberalizojmë një pjesë të tregut duke nxjerrë jashtë çmimeve të rregulluara disa prej konsumatorëve industrialë që janë të lidhur në tensionin e mesëm. “Ata do të klasifikohen si konsumatorë të kualifikuar dhe do të kërkojnë energjinë jashtë tregut të rregulluar të energjisë”, tha ai. Kjo, vijoi Ministri, do të krijojë më shumë likuiditet në sektor dhe do tu krijojë mundësinë disa prej prodhuesve të energjisë që të furnizojnë këto konsumatorë industrialë.

Ministri deklaroi se është një proces që do të diskutohet në vijim me grupet e interesit por ekziston edhe opsioni që prodhuesit e vegjël të mund të ja shesin energjinë direkt kompanisë së shpërndarjes. Kjo alternativë, sipas tij, mund të jetë më e favorshme për këta investitorë krahasuar me shitjen e energjisë së tyre tek KESH-i dhe qëndrimin në pritje të gjatë për të marrë paratë.

“Këto janë gjëra që ne po i diskutojmë dhe ligji i ri për energjinë do t’i adresojë edhe këto elementë”, nënvizoi Z.Gjiknuri.

Ministri tha se çdo politikë që do të hartohet do të marrë në konsideratë edhe riskun që bizneset kanë marrë mbi vete duke bërë investimet por gjithashtu do duhet që të merret parasysh edhe interesi i publikut.

Ministri ju referua rastit të projektit të Stattcraft me Devoll Hidropower që ka bërë një investim duke marrë përsipër vet riskun e gjetjes së tregut të energjisë.

“Reformat e liberalizimit do të krijojnë incentivat e duhura duke i bërë edhe bankat më të interesuara për të mbështetur investimet tuaja. Ne jemi duke investuar edhe në linjat e interkonjeksionit të vendit, duke e integruar tregun shqiptar në tregun rajonal e në plan afatgjatë në tregun evropian”, u shpreh Ministri.

Z.Gjiknuri u shpreh se po bashkëpunohet edhe me Kosovën që të shfrytëzohet fakti se ata kanë rezerva të mëdha qymyri. “Dy vendet do të jenë të lidhura përmes interkonjeksionit dhe do të jetë një potencial për të shkëmbyer energji duke shfrytëzuar burimet e ndryshme që kemi. Kjo do ju krijojë mundësi prodhuesve në Shqipëri që të kenë treg edhe në Kosovë”, nënvizoi Ministri.

Gjetja e një zgjidhje për statusit ligjor të kompanisë së shpërndarjes, në vlerësimin e Ministrit i dha qeverisë mundësinë që të bëjë reformat e duhura edhe në shpërndarje.

“Është e qartë se përmirësimi i treguesve në sektorin e shpërndarjes do të përmirësojë gjithashtu edhe likuiditetin e sektorit. Kur ka likuiditet ka incencita të mjaftueshme për investitorët dhe ne po bëjmë të gjitha veprimet për të ecur në këtë drejtim”, tha Ministri.

energjia.al 26.06.2014