Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konfliktet që paguajnë shqiptarët

Konflikti me CEZ, edhe pse më i madhi në terma financiarë, nuk është hera e parë kur Shqipëria përplaset me kompani gjigante ndërkombëtare.

Një tjetër konflikt i ngjashëm zë fill në Shtator të vitit 2003, kur qeveria e atëhershme socialiste, e drejtuar nga Fatos Nano, i akordoi kompanisë së njohur amerikane “General Electric”, një kontratë për ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, të njohur në publik si treni elektrik.

Kontrata, që kishte një vlerë ndërtimi prej 70 milionë dollarësh, u hartua sipas ligjeve italiane dhe, në një klauzolë të saj ishte parashikuar se, në rast të çdo konflikti mes palëve, pra qeverisë dhe “General Electric”, zgjidhja do të bazohej pikërisht te kodi civil italian.

Dhe, nuk vonoi shumë, para se kjo të ndodhte. Qeveria e demokratëve, e ardhur në pushtet në 2005-n, e hodhi poshtë kontratën. Menjëherë pas kësaj, kompania amerikane iu drejtua Gjykatës së Arbitrazhit.

Në vitin 2007, një tribunal i kësaj gjykate në Romë vendosi se qeveria shqiptare kishte thyer në mënyrë të njëanshme kontratën, duke e dënuar Shqipërinë me 20 milionë dollarë, parà të cilat u paguan nga buxheti.

Ai me “General Electric” do të pasohej nga të tjera konflikte, mes qeverisë dhe kompanive të huaja, ku ndër më të bujshmit janë ato me kompaninë “Petrolifera”, edhe kjo për një kontratë të nënshkruar nga ish-qeveria socialiste e Nanos, për ndërtimin e një terminali bregdetar për depozitimin e naftës dhe të nënprodukteve të saj, në gjirin e Vlorës.

Por, pak kohë pas nënshkrimit të kësaj kontrate, ish-Komisioni i Kthimit të Pronave vendosi që, një pjesë të territorit, ku ishte parashikuar koncesioni, t’ua kthente pronarëve. Kompania kërcënoi me gjyq dhe, në vitin 2007, qeveria shqiptare pranoi zgjidhjen e çështjes me mirëkuptim, duke ndryshuar kontratën në favor të kompanisë, përkatësisht duke e lehtësuar atë nga disa kushte, që kishin lidhje me investimet dhe ndërtimin e kapaciteve të parashikuara.

Më vonë, qeveria e demokratëve do të përplasej sërish me “Petroliferën”, këtë herë për një konflikt që kishte lidhje me rimbursimin e TVSH-së dhe një vendim të qeverisë për të vendosur kasat fiskale në pikën fillestare të terminalit.

Kompania kërcënoi sërish me gjyq dhe, vetëm pak muaj më parë, qeveria e re e socialistëve pranoi zgjidhjen me mirëkuptim, duke i dhënë “Petroliferës” 70 hektarë të tjera tokë në Pyllin e Sodës, për 3 milionë euro.

Ai me CEZ është rasti i fundit, kur qytetarët shqiptarë thirren të paguajnë miliona euro, për veprime të papërgjegjshme apo dhe korruptive të zyrtarëve. Një histori arbitrazhi që, për Shqipërinë dhe qytetarët e varfër shqiptarë, në gjithë këto vite po rezulton e dhimbshme.

Top Channel, 24.06.2014