Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kur të gjithë flasin për… energjinë elektrike!

Nga Bardhi Sejdarasi

Situatë tejet e vështirë e kompanisë publike. Mungesë likuiditeti, borxhe në rritje, por edhe dhjetra miliardë lekë detyrime ndaj organeve fiskale.

Ministria e Financave duhet të ulë “këmbëkryq” ekspertët e saj me ata të kompanisë publike për të gjetur zgjidhjen emergjente. Shuarja me kompensim e detyrimeve, marrëdhëniet e nënhuazimit, garancia shtetërore, kredidhënia etj, janë njëra ana e medaljes. Ana tjetër, më e rëndësishme është çështja e detyrimeve të papaguara tatimore dhe”fshirja”, njëlloj si tek kompanitë private të biznesit, e gjobave dhe interesave ndaj detyrimeve të papaguara. Ingranazhet e këtij mekanizmi duhet të lëvizin shpejt, sa nuk është vonë…Tani të gjithë flasin për energjinë dhe dollarët që duhen për të, që nga Banka Botërore e deri te prodhuesit vendas të energjisë, ndaj të cilëve kompania publike është borxhliu më i madh

Në Prill të këtij viti, Qeveria Shqiptare mori vendimin nr 198 “Për përcaktimin e shumave të shuarjes me kompensim të detyrimeve ndërmjet institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore që financohen nga buxheti, KESH sha, CEZ Shpërndarje sha dhe Ministrisë së Financave”.

Vendimi, me pak fjalë, “fshinte” nga llogaritë e mësipërme rreth 4 miliardë e gjysëm lekë (të rinj), që ishin detyrime të ndërsjellta të institucioneve buxhetore ndaj CEZ, të CEZ ndaj KESH dhe të KESH ndaj Ministrisë së Financave (për huatë e marra). Në pamje të parë ky vlerësohet si një veprim rutinor kontabël për mbylljen e llogarive të pagueshme (kreditorët) apo të arkëtueshme (debitorët). Aq i rëndësishëm ishte vendimi i mësipërm, sa ai hyri në fuqi pas firmosjes së kryeministrit dhe pastaj u botua në Fletoren Zyrtare. Dhe kishte firmën e katër ministrave, Ahmetaj, Cani, Gjiknuri dhe Haxhinasto.

Kushti i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për …KESH sha!

Vendimi në fjalë vetëm sa pastroi llogaritë e kompanive të mësipërme. Qeveria, duke dashur të krijojë një klimë më të mirë për biznesin, qoftë privat, qoftë në pronësi publike, nuk rreshti së afruari incentiva. Të tilla morën bankat tregtare të nivelit të dytë: Ligji “Për një shtesë në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar”, ju vjen në ndihmë bankave në fshirjen e kredive me probleme. Një nen i vetëm i ligjit përcakton fshirjen e borxheve të bankave, përmirëson bilancet e subjekteve bankare dhe jo bankare të licensuara nga Banka e Shqipërisë.

Fjala është se për përcaktimin e fitimit të tatueshëm, fshirja e borxhit të keq, lidhur me procesin e kredidhënies, njihet si shpenzim i zbritshëm me plotësimin e afateve: 365 ditë pas depozitimit të kërkesës, për fillimin e procedimit të ekzekutimit të detyrueshëm te përmbaruesi, në rast se kredia është e siguruar me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme; 365 ditë pas lëshimit nga gjykata të urdhrit të ekzekutimit, në rast se kredia nuk është e garantuar me pasuri të luajtshme/të paluajtshme.

Incentiva të tjera qeveria ofroi për të gjithë ato subjekte private: Të gjitha gjobat e marra nga 1 marsi i vitit 2013 deri në momentin e ardhjes së socialistëve në pushtet, u falën. Kuvendi miratoi me 75 vota pro ligjin për faljen e gjobave për bizneset. (Bëhet fjalë për gjobat e vendosura nga administrata tatimore për periudhën nga 1 marsi 2013 deri më 31 gusht 2013).

HEC_Fierza

Incentiva të tjera nuk munguan dhe nuk po mungojnë. Qeveria ofroi objekte publike, ende të paprivatizuara, me 1 Euro kontrata për të gjitha subjektet e rregjimit të përpunimit aktiv, ndërkohë që edhe sektorë të tjerë të ekonomisë, si bujqësia, peshkimi, etj janë në planet afatshkurtra të qeverisë për t’u incentivuar. Pse po i përmendim këto?

Askush nga administratorët publikë, pothuajse në të gjitha nivelet e administrimit, nuk mund të thotë se nuk e di situatën e vështirë të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Ajo ka qënë dhe vazhdon të mbetet e vështirë për shumë shkaqe. Nuk po i përmend të gjitha, se janë shumë. Por përmend disa prej tyre:

E para, mungesa ekstreme e likuiditetit vjen nga moslikuidimi i energjisë së faturuar nga KESH sha për kompaninë amalgamë (shteti-administrator; pronësia private) të CEZ Shpërndarje.

E dyta, KESH sha vijon të importojë energji elektrike në një situatë të pafavorshme hidroenergjetike, sepse sipas modelit aktual të tregut të energjisë duhet të sigurojë energji elektrike për klientët tariforë.

KESH sha ble në në një bandë orare të ndryshme nga ajo e CEZ Shpërndarje, duke mos përfituar kosto më të lira, nëse do të kishte mundësi të blinte energji në orare jo-pik-u!

Kjo, sepse kjo kompani publike e ka të përcaktuar ligjërisht blerësin e saj dhe nuk mund të devijojë: pra duhet të blejë dhe të shesë atëherë kur e do “ustai” i madh që është CEZ-i. Dhe do të blejë me çmim që sigurisht – teorikisht- i bie të jetë më i lartë se sa çmimi i blerjes së CEZ Shpërndarje. Kjo e fundit ble në një profil bande të pakufizuar, nga ora 00:00 deri 24:00. Kushdo që e njeh tregun e di mirë se një “ofertë e tillë” është e mirëpritur bukur nga kompanitë vendase apo të huaja të prodhim/tregtimit të energjisë. Ato janë të gatshme të ofrojnë produktin në këtë bandë të gjerë orare, sepse e gjejnë kudo në tregun rajonal e më gjerë, si një produkt të pakushtëzuar. KESH sha nuk mund ta bëjë dot këtë, nuk është i lirë ta bëjë.

E treta, KESH sha rrezikon penalitete financiare për shkak të pamundësisë të shlyerjes së faturave apo detyrimeve kundrejt prodhues-furnizuesve me energji elektrike, që fillojnë nga HEC Ashta e deri tek prodhuesit e pavarur të energjisë (PPE) dhe prodhuesit e vegjël të energjisë (PVE). Nuk po përmend shifra borxhi, sepse do të ishte e tepërt dhe se ato gjenden në çdo tavolinë pune të autoriteteve publike.

E katërta: Për arsyet e mësipërme dhe të tjera, KESH sha ka qënë e detyruar në vite (dhe jo vetëm duke filluar nga shtatori 2013) të ketë një “histori” borxhliu të padëshirueshëm edhe nga organet tatimore. Detyrimet e papaguara shkojnë në disa dhjetra miliardë lekë të rinj. Dhe ky borxh nuk është krijuar vetëm e thjesht nga mospagesa e TVSH-së dhe tatim-fitimit. Sipas dokumenteve zyrtare jopublike, pjesa më e madhe e borxhit tatimor ka të bëjë me vlerësime, rivlerësime të bëra nga organet tatimore. Rreth 40 % e borxhit lidhet me gjobat dhe kamatvonesat e aplikuara nga organet tatimore.

KESH sha i ka pasur “duart e lidhura” edhe kur nuk ka qënë dakort me vlerësimet “nga zyra” të tatimorëve, edhe kur vlerësimet e tyre kanë qënë reale dhe të pranuara. Në rastin e parë nuk ka pasur mundësinë të apelojë sepse dispozitat për procedurat tatimore në RSH marrin në konsideratë ankimimin (apelimin) vetëm pas pagimit të principalit dhe në rastin e dytë nuk mund ta bëjë këtë në kushtet e paaftësisë të theksuar paguese, që e ka emrin “CEZ Shpërndarje”!

HEC Koman Turbina
HEC Koman Turbina

Çfarë duhet bërë për të “shpëtuar” kompaninë publike të prodhimit të energjisë?

Këtë në fakt e thonë ekspertët. Në kushtet aktuale ka shumë për të thënë, por e rëndësishme është që të lëvizet në zgjidhjen e dëshiruar, jo thjesht me liberalizimin e tregut, jo thjesht me ndryshimin e modelit të tregut (është emergjent), por duke filluar nga ajo që është e njohur dhe është realizuar sikundër ka qënë vendimi për shuarjen me kompensim të detyrimeve, ai i faljes së gjobave abuzive ndaj subjekteve private etj.

Ministria e Financave nuk duhet të presë dhe hezitojë për të kërkuar e mbështetur aktet e nevojshme ligjore e nënligjore për të miratuar shuarjen (faljen) e gjobave dhe interesave që janë disa miliardë lekë të rinj dhe më pas fillimin e procedurave administrative, rikontrollin tatimor për vlerësimit, rivlerësimet etj procedura të njohura të Kodit të procedurave Tatimore. Ky është hapi i parë për t’iu përgjigjur pyetjes së nëntitullit të shkrimit. Hapat e tjera duhet të jenë hapa të përbashkët për zgjidhje afatgjatë dhe dobiprurës. Nuk ka kohë për të pritur.

Ka edhe një tjetër rrugë…

Rruga e mësipërme, pra ajo e shuarjes së borxhit të kompanisë publike (fjala këtu është vetëm për kamatvonesat e gjobat dhe jo principalin), sigurisht që kërkon një bazë ligjore që të mos bjerë ndesh me Kushtetutën. Ministria e Financave, në kushtet në të cilat ndodhet kompania, i ka “duart e lidhura” dhe nuk duket se kërkon të krijojë precedentin, sepse më pas mund të jenë kompani të tjera publike që të kërkojnë të njëjtën gjë. Pikërisht këtu qëndron thelbi i analizës dhe i propozimit. Nuk gjykoj se ka ndonjë kompani tjetër publike, performanca ekonomike dhe financiare e të cilës të jetë “binjake” me KESH, sepse kompanitë e tjera kanë funksionuar në treg në mënyrë të lirë, jo të diktuara nga një model dhe jo me çmime të fiksuara, sikundër ka funksionuar koorporata elektroenergjetike. Kjo e bën më të lehtë vendimarrjen politike dhe profesionale të Ministrisë së Financave, por edhe argumentin që ajo mund të përdorë në raste kërkesash të ngjashme.

Zgjidhja më e mirë do të ishte sigurisht ajo që ofron pagimi i të gjitha detyrimeve në vite të borxhit të akumuluar dhe borxhit të ri që vijon të krijojë CEZ Shpërndarje- një “sport” ky mjaft i vështirë, po të shohësh se si po zhvillohet “ndeshja” mes kësaj kompanie çeke dhe Qeverisë Shqiptare.

Pavarësisht disa “llampave” të vogla inkandishente në fund të tunelit të gjatë të marrëdhënies me kompaninë e Pragës dhe ngulmimit për të gjetur një zgjidhje kompromisi, njoftimet mediatike bëjnë fjalë për një “ngërç” me vlerë miliarda dollarë, për të cilin do të duhet kohë të arrihet zgjidhja që po negociiohet agresivisht. Kjo do të thotë se kompania publike do të vijojë të “zhytet” në llumin e borxhit që i krijon të tjerëve nga borxhi që të tjerë i krijojnë asaj. Koston në fakt e paguajnë shqiptarët, të cilët tani nuk është se po paguajnë vetëm malin e borxheve të kompanisë publike ndaj të tretëve, por thjesht po paguajnë koston e kredive që KESH merr nga bankat komerciale apo institucionet donatore ndërkombëtare (me garant Qeverinë) për të plotësuar “gropën” financiare të CEZ Shpërndarje dhe mungesën e një zgjidhjeje të shpejtë të funksionimit normal të saj.

Mbetet që të shikohet me syrin e nënës dhe jo të njerkës pikërisht kompania publike, për të mos i sjellë shqiptarëve andrrallën e mungesës së energjisë elektrike, por edhe për të krijuar mundësinë, që, menjëherë pas ndryshimit të modelit aktual të tregut të energjisë (duket se është në tryezë për zgjidhje) të ketë mundësi të funksionojë si një kompani e mirëfilltë komerciale/tregtare që orientohet në treg me çmimet e tregut dhe konkurrencën reale të tregut. Dhe këtu nuk ështe fjala thjesht se po flasim për një kompani dhe performancën e njohur të saj: këtu flasim për ekonominë e publikun, për koston e produkteve dhe shërbimeve, për performancën e vetë ekonomisë që është e lidhur në mënyrë të pandashme me sektorin e energjisë dhe treguesit e saj.

Revista Java, 10.06.2014