Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri, shpreh pikëllim për shpërthimin

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri ka shprehur pikëllimin e tij për ngjarjen e ndodhur ditën e sotme në Kosovë ku pati shpërthim në termocentralin Kosova A.

“Pikëllim dhe dhembje për lajmin tronditës që vjen nga Kosova. Solidaritet me familjet e prekura nga kjo fatkeqësi e rëndë, lutje për shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve…”, shkruan Ministri Gjiknuri në profilin personal në rrjetin social Facebook.

Edhe Kryeministri Rama shpreh dhimbjen e thellë për këtë aksident tragjik, që u mori jetën disa qytetarëve dhe ku u lënduan disa të tjerë.

Menjëherë pas ngjarjes, Kryeministri Edi Rama i telefonoi Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi për t’i shprehur ngushëllimet më të ndjera dhe solidaritetin e tij dhe të qeverisë shqiptare, për familjarët e qytetarëve që humbën jetën dhe uroi shërim të shpejtë të të lënduarve.

Ndërkaq, Ministria e Energjisë dhe Industrisë njofton se mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës ka një marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbim energjie. Në këtë kuadër, pala kosovare ka shprehur nevojën për një sasi që mund të shkojë deri në 200 megavat në bandë për tre ditët e ardhshme.

Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare prej orës 15:00 të ditës së sotme do të nisë furnizimin përmes linjës Fierzë-Dragash me 50 megavat në bandë. Ndërkaq, në bashkëpunim me institucionet respektive në Kosovë, KESH dhe OST po përpiqen të shohin mundësitë e garantimit të kapaciteteve të interkonjeksionit për të plotësuar nevojën e kërkuar për energji.

energjia.al 06.06.2014