Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

SHBA fillon luftën ndaj ngrohjes globale

Sektori energjetik amerikan urdhërohet të shkurtojë emisionet me 30 për qind brenda vitit 2030.

Sektori i prodhimit të energjisë në SHBA u urdhërua të reduktojë emisionet e dioksidit të karbonit me 30 për qind në krahasim me nivelin e vitit 2005 dhe duhet ta realizojë atë brenda vitit 2030. Administrata Obama publikoi dje strategjinë e vet në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Propozimi i Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit është një nga projektet më domethënëse të propozuara deri tani në Shtetet e Bashkuara dhe mund të sjellë transformime të mëdha në sektorin e energjisë elektrike të vendit, ku 38 për qind e prodhimit realizohet me termocentrale me qymyr.

Shtetet e SHBA-së do të kenë në dispozicion mjete fleksibël për të realizuar këto objektiva ambicioze, por të arritshme, pavarësisht përbërjes aktuale të burimeve të tyre energjetike. Shtetet që varen më shumë nga qymyri do të duhet të kenë edhe detyrat më të vështira.

Planet kundër ngrohjes globale janë vënë sakaq nën sulm nga grupime biznesi dhe ligjvënës republikanë si dhe shumë demokratë që kanë bazën e votuesve të vet në shtetet që përdorin në shumicë qymyr, si Virxhinia Perëndimore.

Por plani duket se është më pak i ashpër nga sa ishte imagjinuar më parë, ku objektivat arsyetohet se janë më të lehta për t’u arritur për shkak se emisionet e dioksidit të karbonit kanë rënë sakaq me 10 për qind më 2013 në krahasim me vitin bazë 2005, pjesërisht si pasojë e nxjerrjes në pension të disa termocentraleve të qymyrit në favor të termocentraleve më të pastra me gaz natyror.

Disa grupime përfaqësuese të biznesit amerikan thonë se plani do të dëmtojë aftësinë konkurruese të ekonomisë amerikane në botë. Plani u jep shteteve shumë mënyra për të arritur objektivat e tyre të emisioneve. Këto objektiva përfshijnë përmirësimin e normës së konvertimit të energjisë në termocentrale; zëvendësimin e qymyrit me gaz natyror; zhvillimin e burimeve alternative të energjisë si energjia diellore; rritjen e eficencës energjetike e masa të tjera.

Shtetet kanë gjithashtu opsionin të përdorin sistemin e tregtisë së të drejtës për të emetuar dioksid karboni për të arritur objektivat. Aksionet e kompanive të prodhimit të qymyrit në SHBA kanë shënuar nivele shumë të ulëta, të papara prej vitesh.

Kjo është hera e parë që SHBA vendosin limite në emisionet e gazrave të dëmshëm për 1 mijë termocentralet e vendit, të cilat janë përgjegjëse për 40 për qind të të gjitha emetimeve të dioksidit të karbonit.

Për Obamën, ndryshimet klimatike janë një çështje me të cilën dëshiron të njihet në histori pasi ka pasur vështirësi në krijimin e ndryshimeve thelbësore në politikën e jashtme apo të brendshme që nga rizgjedhja e tij.

Dhoma e Tregtisë së SHBA-së paralajmëroi se masat e propozuara mund t’u kushtojnë konsumatorëve të energjisë elektrike më shumë se 289 miliardë dollarë deri në vitin 2030 ndërsa do të kenë efekt negativ për ekonominë prej 50 miliardë dollarësh në vit.

Qeveria thotë se përfitimi nga përmirësimi i cilësisë së mjedisit mund të arrijë në 90 miliardë dollarë në vit pas zbatimit të këtyre masave. Kursime shpresohet se do të krijohen nga ulja e sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja si astma te fëmijët apo atakët kardiakë.

Gazeta Shqip, 03.06.2014