Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rritja e prodhimit të naftës kërcënon sigurinë energjitike

Rritja e prodhimit të naftës në Shqipëri është konsideruar si një sukses i ekonomisë shqiptare. Eksportet e naftës janë shtuar, bilanci tregtar është përmirësuar. Prodhimi i naftës në 2012 arriti në 1 milion ton/vit dhe vazhdon të jetë në rritje . Firmat e huaja naftënxjerrëse kanë teknologji moderne e cila mundëson përshpejtimin e ritmeve të nxjerrjes së naftës.

Por shtimi i prodhimit ka një anë tjetër të medaljes: ai sjell pakësimin më të shpejtë të rezervave të naftës dhe për pasojë kërcënimin e sigurisë afatgjatë energjitike të Shqipërisë. Sipas CIA-s, Shqipëria në janar të 2013 vlerësohet të ketë pasur 172,4 milion barrela rezerva të provuara nafte, ose ndryshe 25 milion tonë naftë. Me ritmet aktuale të nxjerrjes së naftës rezervat tona do të përfundonin brenda 25 vitesh.

Pas 25 vitesh shqiptarët do të mbeten me rezerva bosh, kurse firmat e huaja do të shkojnë diku tjetër të nxjerrin fitimin e tyre. Ndërkohë janë gjetur rezerva të reja nafte në Shpirag, por sa të mëdha janë këto rezerva ende nuk ka shifra të sakta. Sikur rezervat e reja të zgjasnin jetën e rezervave tona me dekada, prapë do të mbetej pikëpyetja se çfarë do të bëjmë kur rezervat tona të shterojnë. Mbetet pikëpyetja se a është strategji afatgjatë rritja e përvitshme e nxjerrjes së naftës? Mos vallë duhet të ketë prioritet siguria afatgjatë energjitike ndaj prodhimit dhe konsumit në rritje?

Vendosja e një tavani ndaj prodhimit për të zgjatur jetëgjatësinë e rezervave nuk është praktikë e padëgjuar. Në planin pesëvjeçar të publikuar në 2012 Kina planifikon kufizimin e prodhimit të qymyrit në 3.9 miliard tonë deri në 2015. Vendosja e tavanit ndaj prodhimit ka arësye mjedisore por dhe sigurie energjitike: sipas Institutit të Kërkimeve Energjitike në Kinë rezervat aktuale të qymyrit do të zgjasnin vetëm 33 vjet nëse ritmi i prodhimit vazhdon të rritet si aktualisht.

Në BE, Direktiva për Efiçencën e Energjisë e aprovuar në 2012, përcakton si objektiv kryesor që konsumi i energjisë në vitin 2020 të mos kapërcejë ekuivalentin e 1483 milion tonë nafte. Pra BE i ka vendosur tavan konsumit të energjisë, çka do të sjellë dhe pasoja në prodhimin e energjisë. Në hyrje të direktivës shpjegohen arësyet e objektivit të kursimit të energjisë: “BE po përballet me sfida të mëdha për shkak të rritjes së varësisë së saj nga importi i energjisë, të skarcitetit të burimeve energjitike, si dhe nisur nga nevoja për të kufizuar ndryshimet klimatike dhe për të kapërcyer krizën ekonomike. Efiçenca e energjisë është një mjet i vyer në adresimin e këtyre problemeve.”

Në librin “Tregu dhe politikat e energjisë në ASEAN”, autorët përmendin rastin e Bruneit, ku politika qëllimisht pakësoi prodhimin e naftës me qëllim zgjatjen e jetëgjatësisë së rezervave të naftës.

Sipas një sondazhi të Gallup të realizuar në mars 2014 në SHBA, 57% e amerikanëve do të preferonin kursimin e energjisë ndaj prodhimit si politikë energjitike. Kjo preferencë ka qenë e tillë që prej vitit 2001 kur Gallup filloi këtë lloj sondazhi.

Në politikën shqiptare për momentin mbizotëron euforia për rritjen e shpejtë të nxjerrjes së naftës, duke harruar se rezervat e saj janë të fundme dhe duhen mirëmbajtur dhe për të ardhmen. Interesat tona si komb në këtë rast ndahen nga interesat e kompanive të huaja, të cilat synojnë nxjerrjen sa më të shpejtë e fitimprurës të këtyre rezervave.

Ekolëvizja, 02.06.2014