Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nis shpronësimi për TAP-in

Në fazën e parë ndërtohen 24 rrugë dhe dy ura. Preken 727 ha pronë private

Qeveria bën gati vendimet për shpronësimet publike në vendet ku do të kalojnë rrugët hyrëse dhe ndihmëse për ndërtimin e gazsjellësit TAP. Kjo u njoftua dje, në takimin e radhës të komisionit ndërinstitucional për bashkërendimin e punës në zbatimin e projektit të gazsjellësit TransAdriatik Pipeline (TAP), nën drejtimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri. Në fazën e parë do të ndërtohen rrugët e aksesit, të cilat janë 24 të tilla. Do të ndërtohen 57 km rrugë të reja rurale dhe 44 km rrugë të tjera do të rindërtohen. Ndërkaq do të ndërtohen dy ura të reja.

Tokat, shpronësim ose me qira

Një pikë e diskutuar kishte të bënte me krijimin e një komisioni për menaxhimin e çështjes së blerjes ose marrjes me qira të tokës ku do të kalojnë rrugët hyrëse të projektit TAP. Me miratimin nga Këshilli Kombëtar i Territorit të Lejes Zhvillimore Komplekse të përgjithshme për punimet ndërtimore për projektin TAP, më 8 prill 2014 i është hapur rrugë vazhdimit të procesit për ndërtimin e rrugëve hyrëse për kantieret e gazsjellësit, që përbën edhe fazën e parë në realizimin e punimeve ndërtimore për këtë projekt. Në këtë kuadër, kompania TAP AG ka paraqitur në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, kërkesën për vazhdimin e procedurave në procesin e ndërtimit të rrugëve hyrëse. Komisioni informoi ministrin se po përgatitet për miratim projektvendimi “Për heqjen nga fondi pyjor dhe kullosor të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore që do të përdoren nga shoqëria TAP AG për ndërtimin e rrjetit rrugor”, dhe përgatitjen e miratimin e projekt-VKM “Për ndryshimin e statusit nga tokë bujqësore në tokë truall për ndërtim, për parcelat që do të ndikohen nga ndërtimi prej shoqërisë TAP AG të rrugëve të kalimit ndihmëse të projektit TAP”. Procedimi i mëtejshëm do të vazhdojë me përgatitjen dhe miratimin e dy projektvendimeve lidhur me sipërfaqet e tokave pyjore, kullosore dhe bujqësore që do të përdoren për ndërtimin e rrugëve ndihmëse për projektin TAP, si dhe me përcaktimin e hapave për blerjen ose shpronësimin e sipërfaqeve nga ana e kompanisë TAP AG me ndërmjetësimin e strukturave shtetërore. Ndërkohë, nga ana e kompanisë TAP AG do të përgatitet aplikimi për t’u paraqitur në MEI për miratim, lidhur me marrjen e dokumentit të lejes zhvillimore komplekse, faza e dytë, që ka objekt rrugët ndihmëse. Përgjatë seksionit shqiptar të gjurmës së gazsjellësit në tokë me një gjatësi prej rreth 210 km lloje të ndryshme të përdorimit të tokës do të ndikohen nga impiante, objekte të ndryshme, si korridoret e gazsjellësit 52 m dhe 400 m, rrugët hyrëse, stacionet e kompresorëve, bazat e tubave dhe kampet.

Gazifikimi

Anëtarët e komisionit ndërinstitucional u informuan nga sekretariati teknik, se në vazhdim të njoftimit të TAP-it për hapjen e “First Booking Phase”, 05–19 maj 2014, shoqëria “Albpetrol” realizoi një prenotim të kapaciteteve të gazit natyror, në kuadër të projektit të gazifikimit të Shqipërisë. Konkretisht, “Albpetrol” ka aplikuar për të rezervuar një sasi prej 1.2 bcm/vit (miliard metër kub) gaz natyror, duke pasur parasysh se kërkesa e Shqipërisë për furnizim me gaz natyror nga viti 2020 (lidhja me rrjetin rajonal të gazit), do të jetë rreth 1.2 bcm në vit. Aplikimi i “Albpetrol” sh.a. për rezervimin e kapaciteteve në gazsjellësin TAP, do të shqyrtohet nga kompania TAP AG në përputhje me metodologjinë dhe procedurat që përcaktohen në procesin e vlerësimit të aplikimeve.

Pronësia

Numri i pronave që preken nga gazsjellësi është 17904; 5881 prona rezultojnë publike; 2119 prona pa pronarë

Faza e parë

Për rrugët hyrëse, projekti prek 727 ha pronë private, 505 ha pronë publike dhe 173 ha me pronësi të papërcaktuar

Sipërfaqja

Sipërfaqja e tokës bujqësore që preket është 4941.83 ha, pyjet 1207.09 ha, kullotat 53.91 ha, tokë urbane 97.59 ha

Gazeta Shqip, 30.05.2014