Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mblidhet Komisioni për gazsjellësin TAP

Nën drejtimin e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri, në ambientet e Ministrisë u zhvillua takimi i radhës i Komisionit Ndërinstitucional për bashkërendimin e punës në zbatimin e projektit të gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP).

Axhenda e takimit kishte të bënte me diskutimin mbi progresin e arritur dhe hapat që duhen ndërmarrë në drejtim të çështjeve të tilla si prenotimi i kapaciteteve të gazit natyror nga projekti TAP (booking capacities); krahasimi i HGA Greke me atë shqiptare; autorizimi i ndihmës shtetërore; krijimi i një komisioni për menaxhimin e çështjes së blerjes/marrjes me qira të tokës ku do të kalojë projekti TAP dhe hartimi i dy marrëveshjeve në zbatim të Benchmark Agreement.

Anëtarët e Komisionit Ndërinstitucional u informuan nga sekretariati teknik, se në vazhdim të njoftimit të TAP-it për hapjen e “First Booking Phase”, 05 – 19 maj 2014, shoqëria Albpetrol realizoi një prenotim të kapaciteteve të gazit natyror, në kuadër të projektit të gazifikimit të Shqipërisë.

Konkretisht Albpetrol ka aplikuar për të rezervuar një sasi prej 1.2 bcm/vit (miliard metër kub) gaz natyror, duke pasur parasysh se kërkesa e Shqipërisë për furnizim me gaz natyror nga viti 2020 (lidhja me rrjetin rajonal të gazit), do të jetë rreth 1.2 bcm në vit.

Aplikimi i Albpetrol Sh.a për rezervimin e kapaciteteve në gazsjellësin TAP, do të shqyrtohet nga kompania TAP AG në përputhje me metodologjinë dhe procedurat që përcaktohen në procesin e vlerësimit të aplikimeve.

Komisioni diskutoi edhe për punën e bërë në drejtim të hartimit të dy marrëveshjeve në zbatim të marrëveshjes mbështetëse mes Këshillit të Ministrave dhe kompanisë TAP AG. Marrëveshjet kanë të bëjnë me angazhimin për zhvillimin e tregjeve të gazit dhe marrëveshja për përfitimet vendase. Nga ana e MEI është kërkuar dhe po punohet me shumë impenjim lidhur me përgatitjen, negocimin dhe nënshkrimin e këtyre dy marrëveshjeve.

Një tjetër pikë e diskutuar kishte të bënte me krijimin e një Komisioni për menaxhimin e çështjes se blerjes/marrjes me qera te tokës ku do te kalojnë rrugët hyrëse të projektit TAP.

Me miratimin nga Këshilli Kombëtar i Territorit të Lejes Zhvillimore Komplekse të përgjithshme për punimet ndërtimore për projektin TAP (Vendimi i KKT nr. 1, datë 08.04.2014), i është hapur rrugë vazhdimit të procesit për ndërtimin e rrugëve hyrëse për projektin TAP, që përbën edhe Fazën e Parë në realizimin e punimeve ndërtimore për këtë projekt.

Në këtë kuadër kompania TAP AG ka paraqitur në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë (MEI), kërkesën për vazhdimin e procedurave në procesin e ndërtimit të rrugëve hyrëse, përsa ka të bëjë me: përgatitjen dhe miratimin e projekt-VKM “Për heqjen nga fondi pyjor dhe kullosor të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore që do të përdoren nga shoqëria TAP AG për ndërtimin e rrjetit rrugor”, dhe përgatitjen dhe miratimin e projekt-VKM “Për ndryshimin e statusit nga tokë bujqësore në tokë truall për ndërtim, për parcelat që do të ndikohen nga ndërtimi prej shoqërisë TAP AG të rrugëve të kalimit (ndihmëse) të projektit TAP”.

Procedimi i mëtejshëm do të vazhdojë me përgatitjen dhe miratimin e dy projekt-VKM-ve lidhur me sipërfaqet e tokave (pyjore, kullosore dhe bujqësore) që do të përdorin për ndërtimin e rrugëve ndihmëse për projektin TAP, si dhe me përcaktimin e hapave për blerjen/shpronësimin e sipërfaqeve nga ana e kompanisë TAP AG me ndërmjetësimin e strukturave shtetërore.

Ndërkohë, nga ana e kompanisë TAP AG do të përgatitet aplikimi për t’u paraqitur në MEI për miratim, lidhur me marrjen e dokumentit të Lejes Zhvillimore Komplekse, faza e dytë (Seksioni Rrugët Ndihmëse).

Ndërkaq, pala shqiptare po kryen analizën mbi ndryshimet/krahasimin midis Marrëveshjes me Qeverinë e Vendit Pritës (MQP) midis Republikës së Greqisë dhe Trans Adriatik Pipeline TAP, me Marrëveshjen me Qeverinë e Vendit Pritës midis Republikës së Shqipërisë dhe Trans Adriatik Pipeline TAP.

Pas këtij krahasimi do të mund të realizohet procedimi i mëtejshëm dhe vlerësimi nëse do të jetë e nevojshme për të bërë ndryshime në Marrëveshjen me Qeverinë e Vendit Pritës ose jo, të nënshkruar nga kompania TAP AG me Republikën e Shqipërisë.

Komisioni ndërinstitucional diskutoi edhe për ecurinë e procedurave dhe praktikave administrative për dhënien e “Autorizimit të Ndihmës Shtetërore” për kompaninë TAP AG në zhvillimin e projektit TAP, referuar dispozitave të “Marrëveshjes me Qeverinë e Vendit Pritës midis Republikës së Shqipërisë duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline AG lidhur me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik”.

energjia.al 29.05.2014