Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rama: Embargo e naftës u thye në mars 2013

Kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi nga foltorja e Kuvendit se fatkeqesisht Shqipëria e ka thyer embargon e naftës me Iranin. Sipas tij, publikimi që lidhet me këtë çështje, është i para një viti.

“Më detyruat të dal këtu dhe t’u them se po ka ndodh, fatkeqësisht ka ndodhur, bazuar në dokumentacion që disponohet qoftë prej atyre që e kanë publikuar, qoftë prej nesh”- kështu ka bërë me dije Rama nga foltorja e Kuvendit. Ai ka shtuar më tej se nuk duhet të shfrytëzohet kjo çështje, pasi është në dëm të Shqipërisë.

“Kisha vendosur ta kurseja këtë sqarim, në respekt të shtetit shqiptar, por dhe duke u përpjekur të respektoj paraardhësit. Nuk dua se ajo çka do them, të shfrytëzohet në dëm të Shqipërisë. Më vjen keq për ata që u besojnë dhe shfrytëzoni publikimet ndërkombëtare. Ndërkohë, publikimet e sotme i përkasin vitin të shkuar. Në pesë raste vendi eksportues është Irani dhe dogana hyrëse është Kapshtica dhe Qafë-Thana”- tha më tej Rama.

Më tej kryeministri Rama ka saktësuar edhe kur ka ndodhur importi dhe sasia që është importuar. Ai ka saktësuar se importimi është bërë në datat 4, 18 dhe 25 mars 2013. “Dogana hyrëse Qafë –Thanë, dogana Tiranë, vendi eksportues Irani numër deklarate 12718. Pesha neto 21500 kg DATA 04, 03, 2013. Dogana hyrëse Kapshticë, dogana Tirana vendi eksportues Irani numri i deklaratës 14752 kodi 42710 data 18,03, 2013. Dhe për të qenë i saktë datat janë 4, 18 dhe 25 mars 2013. Qafë- Thana dogana hyrëse, dogana Tirana vendi eksportues Irani, pesha 21820 kg dhe e fundit dogana hyrës Qafë Thanë. 25 mars, pesha 21780 kg. Kaq për sot, fillo hetimin se do dëgjosh të tjera.”- u shpreh Rama.

Kryeministri Rama theksoi se nga koha kur koalicioni i majtë ka marrë qeverisen e vendit nuk ka asnjë fakt apo deklaratë që ta lidhë Shqipërinë me thyerje të embargos me Iranin.

“Është fatkeqësi që keni qenë 8 vjet në krye të vendit, e dini mirë si funksionon gjithë ndërveprimi i Shqipërisë me partnerët e vet. Duhet ta kishit ditur mirë që këto gjëra nuk shpëtojnë pa lënë gjurmë. Përsëri fakti që sot kërkoni t’i përdorni kundër nesh, ju fajëson drejtpërdrejt. Këto fakte janë të njohura për ne më parë. Nuk po shkoj më tutje për të folur për kompaninë, nuk i përmend kurrë emrat e kompanive, është parim qe unë kam. Për më tepër kompania do duhet të kalojë në një proces skanimi. Por një gjë është e sigurt, kompania nuk ka asnjë lidhje me angazhimin tonë politik. Nga shtatori e në vazhdim nuk ka asnjë deklaratë, asnjë fakt që të lidhe Shqipërinë me eksportin e vajit bazë nga Irani.”- deklaroi kryeministri.

Balkan Web, 07.05.2014