Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gazi amerikan nuk është ‘kura’

Energjia ishte çështja kryesore gjatë vizitës së fundit të Presidentit Barak Obama në Bruksel, duke rritur shpresat se eksportet e gazit amerikan mund të ndihmojnë në lehtësimin e varësisë së energjisë së Europës nga Rusia.

Udhëheqësit europianë do të duan të reduktojnë importet e tyre të energjisë nga Rusia, e cila furnizon 30% të gazit të Europës dhe ekonomia e të cilit është shumë e varur nga shitjet në Europë. Por tani për tani, shumë vende europiane varen nga ai gaz.

Zoti Obama tha se një marrëveshje e re tregtare me Bashkimin Europian mund ta bëjë më të lehtë për firmat amerikane të eksportojnë gaz të lëngshëm natyror, ose LNG, në kontinent. Por ka shumë pengesa në rrugën drejt këtij qëllimi, dhe është e paqartë se si, dhe në qoftë se, SHBA mundet vërtet të ndihmojë.

Shqetësimet europiane rreth sigurisë së energjisë kanë vijuar të rriten që kur trupat ruse morën kontrollin e Krimesë nga Ukraina këtë muaj. Moska në vitet e fundit ka reduktuar furnizimet me gaz gjatë konflikteve rajonale.

SHBA ka favorin të prodhojë më shumë gaz se sa përdor, në sajë të materialeve argjilore. Por transportimi i një pjese të këtyre furnizimeve në Europë është shumë më kompleks se sa politikëbërësit lënë të kuptohet.

Së pari, është çështja e kostos. Kërkesa për LNG është rritur së tepërmi në Azi, pjesërisht për shkak të fatkeqësisë Fukushima në vitin 2011 dhe mbylljes së centraleve bërthamore të Japonisë. Europa do të duhet të konkurrojë me Azinë në çmim, e cila ka gjasa ta shtrenjtojë LNG, potencialisht më shumë se gazi rus.

“Konsumatorët aziatikë paguajnë shtrenjtë për LNG, sepse ata kanë shumë mungesa”, – tha William Powell, redaktor i lartë drejtues i Platts International Gasreport. “Japonia është një blerës në gjendje të vështirë, dhe indianët dhe kinezët janë duke paguar një shifër më të mirë”.

Infrastruktura është gjithashtu një tjetër sfidë. SHBA është një ish-importues i LNG dhe terminalet e saj janë pajisur për të marrë gaz në vend se ta eksportojnë atë. Këto terminale do të duhet të rimodifikohen për ta kthyer gazin në gjendje të lëngshme në mënyrë që të transportohet me anije, dhe kjo kërkon kohë dhe para.

Për sa i përket Europës, vendeve u nevojitet më shumë kapacitet dhe infrastrukturë për ta transportuar gazin nga terminalet bregdetare drejt vendeve ku është i nevojshëm.

Licencimi është një tjetër pengesë, autoritetet amerikane aktualisht veprojnë shumë ngadalë në akordimin e lejeve për kompanitë që dëshirojnë të eksportojnë LNG në Europë, për shkak të rregullave të papërshtatshme. Zoti Obama thotë se mund të adresohen, por mund të duhen muaj, për të mos thënë vite ndaj organizimit të një regjimi më të lehtë licencimi për BE-në.

“Aktualisht ekziston një pengesë. Procesi i licencimit ka nevojë të përshpejtohet”, tha Anita Orbán, ambasadore e Hungarisë për studime të sigurisë, duke shtuar se ka mbi 20 aplikacione për licenca që ende presin miratimin nga Departamenti amerikan i Energjisë.

Znj. Orbán, e cila ishte në Uashington për të lobuar liberalizimin e LNG, tha se kishte një “ndryshim të pamat”, në pritjen që ajo dhe kolegët e saj europianë patën gjatë takimeve të nivelit të lartë me ligjvënësit, krahasuar me një vit më parë.

“Tani, me ngjarjet e fundit në Ukrainë, çështja e LNG është në qendër të marrëdhënieve SHBA-BE” – tha ajo. “Gjithmonë e më shumë njerëz e kuptojnë se eksporti LNG mund të ketë një ndikim vërtet të rëndësishëm”.

Megjithatë, znj. Orban thotë se edhe skenari në rastin më të mirë nënkupton disa vite më shumë përpara se gazi nga SHBA të mund të arrijë në Europë. “Më i hershmi do të ishte 2018 ose 2019”,- tha ajo.

Ndërkohë, Europa do të duhet të vazhdojë gjuetinë për furnizues alternativë, të tillë si Katari apo Norvegjia, edhe pse do ta ketë të vështirë të arrijë nivelet e furnizuara aktualisht nga Rusia, tha Simon Pirani i Institutit të Studimeve të Energjisë së Oksfordit.

“Për sa i përket gazit, Rusia mbetet importuesi më i madh i gazit në BE”,- tha z. Pirani. “Nuk ka asnjë mënyrë që [Komisioni Europian] me një të “kërcitur të gishtave të sigurojë atë sasi gazi nga diku tjetër”.

Revista Monitor, 27.04.2014