Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KESH duhet të shlyejë 30.6 mln euro

Janë 30.6 milionë euro fondet, që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka marrë në firma të huaja apo garanci për hua, të cilat nuk i ka shlyer ende. Kjo bëhet e ditur nga një akt-rakordimi midis Ministrisë së Financave dhe KESH-it, të nënshkruar përkatësisht nga Geraldina Prodani, sekretare e Përgjithshme e Dikasterit, dhe Agron Hetoja, drejtor i Përgjithëm i Korporatës.

Dokumenti është nënshkruar më datë 27 mars dhe përfshin të gjitha detyrimet e krijuara nga ana e KESH-it për qeveri, banka ndërkombëtare apo fonde të huaja investimesh, ndërkohë që këtyre u shtohen edhe detyrimet që duhet të paguajë në favor të ekzekutivit shqiptar, që ka paguar disa herë garanci që KESH të marrë kredi me garanci shtetërore.

Fondet kanë kaluar në vite nëpërmjet Ministrisë së Financave dhe kjo e fundit ka kryer pagesat, të cilat tani KESH duhet t’i shlyejë. Sipas normave të BE-së, shteti nuk mund të subvencionojë sektorë të ekonomisë, duke përfshirë energjetikën, por mund të lëshojë garanci për kredi.

Ndër kreditorët e KESH-it përfshihen Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Banka Botërore, qeveritë japoneze, norvegjeze, spanjolle e koreane, banka shtetërore gjermane KfW, enti italian Artigiancassa, etj.

Sektori energjetik është rikthyer sërish si kërcënim për buxhetin dhe financat publike të vendit. Kushtet e vështira hidrike dhe rezervat minimale në basenet e hidrocentraleve e kanë vënë Qeverinë përballë nevojës për të gjetur 100 milionë euro me urgjencë për të siguruar importin dhe furnizimin e vendit me energji këtë vit.

Dy kompanitë e sektorit, si KESH ashtu edhe CEZ, janë të kërcënuara financiarisht dhe barra për të garantuar furnizimin me energji, ka rënë sërish mbi buxhetin e shtetit ose garancitë qeveritare për kredi. Tashmë që prej një muaji, përveç huasë së akorduar nga FMN, Ministria e Financave është në negociata me Bankën Botërore dhe institucione të tjera për të siguruar fondet emergjente. Aktualisht janë duke u shqyrtuar disa rrugë.

Së pari është lëshimi i një garancie nga Qeveria në favor të KESH që do i mundësojë kompanisë publike të marrë kredi nga bankat private për të blerë energjinë. Qeveria ka parashikuar një limit prej rreth 10 miliardë lekësh brenda kufirit të borxhit si garanci për sektorin energjetik këtë vit.

Paralelisht po shqyrtohet edhe një mundësi tjetër, e mbështetjes së drejtpërdrejtë të KESH me fonde nga buxheti. Kjo do të kërkonte rritjen e deficitit buxhetor dhe borxhit publik.

Shqiptarja.com 06.04.2014