Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albpetrol derdh 1 mld lekë në buxhetin e shtetit

Shoqëria Albpetrol sh.a ka zhvilluar këto ditë analizën e punës së tremujorit të parë të vitit 2014, i cili ka rezultuar shumë i suksesshëm. Gjatë kësaj periudhe shoqëria ka përfunduar procesin e ristrukturimit, ka fuqizuar pozitat financiare dhe ka kontribuuar ndjeshëm në buxhetin e shtetit dhe mbi të gjitha ka rritur prodhimin e naftës nga vetë shoqëria.

Më konkretisht, vetëm gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2014 Albpetrol sh.a ka shtuar prodhimin e naftës nga puset në administrim të vetë shoqërisë me rreth 20%. Prodhimi ditor i puseve të shoqërisë Albpetrol sh.a në Tetor 2013 ishte në shifrën 80 ton naftë në ditë. Sot prodhimi ka arritur 120 ton naftë në ditë. Pra në një periudhë kaq të shkurtër kohe, prodhimi i naftës është rritur me 40 ton në ditë, ose 50 % më shumë. Në programin e vitit 2014, prodhimi i naftës nga vetë shoqëria Albpetrol sh.a ishte parashikuar në shifrën 8.950 ton. Ky parashikim është tejkaluar me rreth 15%.

Vetëm gjatë muajit Mars 2014 shoqëria Albpetrol sh.a ka derdhur në buxhetin e shtetit shqiptar rreth një miliardë lekë të reja. Më datë 31 Mars 2014 përfundoi edhe procesi i ristrukturimit të shoqërisë Albpetrol sh.a. Sot shoqëria ka 1908 punonjës nga më shumë se 3303 punonjës që kishte vitin e kaluar.

Vlen për tu theksuar faktit që edhe pse janë larguar nga puna më shumë se 1.000 punonjës, shifrat tregojnë se shoqëria Albpetrol sh.a ka rritur prodhimin e naftës dhe të ardhurat e shoqërisë. Kjo sepse gjatë ristrukturimit janë larguar nga puna punonjësit që nuk kishin poste të sakta pune, militantë partiakë si dhe persona që fiktivisht paraqiteshin në punë vetëm për të marrë pagën. Ristrukturimi i shoqërisë ka sjellë një ndarje më të mirë të punës, e cila reflektohet qartë në rritjen e prodhimit të naftës nga vetë shoqëria, kontrollet më të mira ndaj kompanive të Marrëveshjeve Hidrokarbure dhe pagesat e larta që janë derdhur në buxhetin e shtetit shqiptar.

Sot News, 07.04.2014