Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sfidat e energjisë

Me vlerë prej 200 milionë eurosh, hidrocentrali i Ashtës konsiderohet si një nga investimet më të mëdha në vend. Një vit pas vënies në punë, rezultatet kanë qenë tej pritshmërive, pasi prodhimi u rrit me 11%. Në lidhje me pritshmëritë për prodhimin e energjisë elektrike, drejtuesit e këtij hidrocentrali nuk janë shumë optimistë, pasi moti ka gjasa të jetë jo shumë i favorshëm.

Ndërtimi dhe vënia në funksion e hidrocentralit të Ashtës i dha sektorit të energjisë në Shqipëri impuls tjetër e po kështu edhe trendit të investimeve të huaja, duke diversifikuar portofolin. Në një vend si Shqipëria, ku mungon tregu i mirëfilltë i energjisë e si rrjedhim edhe konkurrenca, injektime të tilla vlerësohen të rëndësishme, veçanërisht për të ulur varësinë e importit nga tregjet e tjera. Drejtuesit e kompanisë “Energji Ashta” shprehen të kënaqur sa u përket treguesve të prodhimit, pasi parashikimet e tyre janë tejkaluar. Pavarësisht problemeve të hasura me likuiditetin (nga ana e KESH), ata e vlerësojnë investimin në Shqipëri si të realizuar në kohën e duhur dhe si një indikator për t’i sjellë sektorit të energjisë një frymëmarrje tjetër. Tashmë hidrocentrali më i madh koncesionar i vënë në punë në Shqipëri shënoi edhe vitin e parë të operimit me një prodhim prej 267 GWh energji elektrike të pastër dhe të destinuar për përdorim shtëpiak, pa ndërprerje të paplanifikuar furnizimi gjatë gjithë vitit 2013. Kjo vepër energjetike përfundoi në mars të vitit 2013, pas një periudhe ndërtimore prej më pak se 3 vjetësh dhe me një investim prej më se 200 milionë euro. Që nga vënia në funksionim, Hec-i i Ashtës realizoi një mbiprodhim prej 11% krahasuar me prodhimin mesatar vjetor të parashikuar prej 242 GWh. Ky prodhim u ndihmua edhe nga një furnizim i mirë me ujë nga lumi Drin.

2013-a ka qenë një vit veçanërisht pozitiv për HEC-in e Ashtës. Periudha e testimit përfundoi në fund të muajit mars 2013, çka mundësoi furnizimin e rregullt të KESH-it me energji prej datës 1 prill 2013 duke u përmbyllur me lëshimin e lejes së përdorimit më 6 shtator 2013.

Kompania gjithashtu i ka kushtuar rëndësi mbrojtjes së mjedisit. HEC-i i Ashtës është i vetmi hidrocentral në Shqipëri i cili ka ndërtuar një sistem modern të migrimit të peshqve, i cili u lejon atyre të notojnë nga deti Adriatik deri në rezervuarin e Spatharës. Kanali i kalimit të peshqve është ndërtuar në Shqipëri për herë të parë që prej viteve ‘70 të shekullit të kaluar. Për të arritur të mbajë standardet më të larta mjedisore, HEC-i i Ashtës ka vënë në punë një program të gjerë të monitorimit mjedisor. Gjatë kësaj periudhe, Energji Ashta po bashkëpunon nga afër me shkollat e Komunës së Vaut të Dejës për të zhvilluar një projekt ndërgjegjësimi mjedisor, i cili synon të rrisë ndërgjegjësimin e banorëve vendorë mbi mjedisin dhe për mënyrat se si ai ndikon në jetën dhe mirëqenien e tyre. Ky është projekti i parë ndërkombëtar i dy kompanive austriake Verbund dhe EVN. Në fund të periudhës koncesionare 35-vjeçare, kjo vepër do t’i transferohet falas shtetit shqiptar.

hec ashta hidrocentralSfidat e sektorit të energjisë në Shqipëri, ende të mëdha

Flet Dietmar Reiner, Drejtori Menaxhues i kompanisë “Energji Ashta”

Që nga përfundimi i investimit, cila ka qenë ecuria e prodhimit të Hec-it Ashta?

HEC-i i Ashtës është investimi më i rëndësishëm në energjinë e rinovueshme në dy dekadat e fundit në Shqipëri. Ndërtimi i kësaj vepre përfundoi në mars të vitit 2013 pas një periudhe ndërtimore prej më pak se tre vitesh dhe një investimi prej më se 200 milionë eurosh. Në vitin 2013, hidrocentrali i Ashtës arriti një prodhim të përgjithshëm energjie të pastër dhe të synuar për përdorim shtëpiak prej 267 GWh, duke shënuar një prodhim shtesë prej 11% krahasuar me prodhimin mesatar të parashikuar prej 242 GWh. Ky prodhim u mundësua nga një furnizim i mirë me ujë nga lumi Drin.

Çfarë nevojash keni mbuluar me energjinë e prodhuar deri tani? Sa është arritur të ndikohet në uljen e varësisë nga importi?

Gjatë vitit 2013, HEC-i i Ashtës prodhoi një sasi të përgjithshme energjie elektrike të pastër dhe të synuar për përdorim shtëpiak prej 267 GWh, duke furnizuar kështu 100,000 familje me energji elektrike. Me ndërtimin e HEC-it të Ashtës, nevoja për import është ulur me një mesatare prej afërsisht 10%.

Si e vlerësoni tregun shqiptar të energjisë, cilat janë problemet kryesore që ju konstatoni, çfarë duhet të përmirësohet?

Sektori energjetik shqiptar po përballet me një numër të madh vështirësish. Sfidat më të rëndësishme janë rritja e efikasitetit të sistemit të shpërndarjes, likuiditeti i të gjithë sektorit dhe varësia nga importet. Topografia e Shqipërisë ku spikasin malet e larta dhe lumenjtë është shumë e përshtatshme për prodhimin e energjisë nga uji. Prodhimi i energjisë elektrike nga burime ujore është i qëndrueshëm pasi është i rinovueshëm dhe nuk emeton CO2. Sektori energjetik në përgjithësi ka cikle mjaft të gjata biznesi. Ndaj çdo investitor kërkon të gjejë kushte tregu të stabilizuara dhe një klimë biznesi të qëndrueshme dhe miqësore në terma afatgjatë.

Qeveria shqiptare duket se është angazhuar (ose synon) të realizojë një reformim të thellë të sektorit energjetik në vend, madje në jo pak raste është artikuluar edhe rishikimi i kontratave koncesionare, cili është opinion juaj?

“Energji Ashta” i ka përmbushur plotësisht kushtet e marrëveshjes së projektit dhe është në shkëmbime të vazhdueshme informacioni me qeverinë shqiptare. Reformat janë të nevojshme për të përmirësuar sektorin.

A mund të krijohet stepje për investime të tilla të mëdha energjetike?

Investitorët seriozë dhe të angazhuar kanë nevojë për një klimë biznesi të qëndrueshme dhe tek e cila mund të mbështeten. Çdo investitor kërkon siguri të lartë investimi dhe një kthim investimi të sigurt. Për shkak të problemeve të sektorit kërkohen garanci të mjaftueshme dhe për këtë thelbësore është sundimi i ligjit.

hec ashta 2Cilat janë synimet që ka kompania në lidhje me furnizimin me energji elektrike në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë?

“Energji Ashta” do të vazhdojë të prodhojë energji elektrike nga uji me zero emetim gazërash, duke furnizuar kështu më shumë se 100.000 familje. Në vitin 2013, “Energji Ashta” furnizoi më shumë energji se sasia e parashikuar në fillim të projektit, falë një menaxhimi të suksesshëm dhe një furnizimi të bollshëm me ujë nga lumi i Drinit.

Varësia nga importi

Me ndërtimin e HEC-it të Ashtës, nevoja për import është ulur me një mesatare prej afërsisht 10%

100,000 numri i familjeve të furnizuara me energji elektrike

Risia

Hidrocentrali i Ashtës është hidrocentrali më i madh në botë që vendos në përdorim turbinat e matrix. Teknologjia matrix – bazuar në një numër të vogël turbinash, pothuajse në madhësinë e një kabine telefoni – mundëson një shfrytëzim veçanërisht efikas të energjisë hidrike dhe është dizenjuar specifikisht për prurjet e pakta të ujit të kësaj zone. Menaxhimi i kujdesshëm dhe dedikimi i të gjithë ekipit të Energji Ashtës siguruan një prodhim pa asnjë ndërprerje gjatë të gjithë kohës së operimit të HEC-it. Më tej Energji Ashta mund të pohojë se ky prodhim u arrit pa asnjë aksident apo lëndim të stafit pasi siguria e punonjësve është një nga prioritetet kryesore të kompanisë.

Aksionerët

Verbund është prodhuesi lider i energjisë elektrike në Austri, si dhe një nga prodhuesit kryesues të energjisë elektrike nga uji në Europë. Grupi gjeneron më se katër të pestat e elektricitetit nga hidrocentralet, plotësuar nga energjia termike dhe nga energjia e gjeneruar nga era. Ai iu shërben më se katër milionë klientëve duke përfshirë edhe degët e veta, duke tregtuar energji elektrike në 18 vende. Gjeneroi 3.2 miliardë euro të ardhura me rreth 3,100 punonjës në vitin 2012. Së bashku me degët dhe partnerët, kompania është aktive në gjenerimin e energjisë elektrike, transmetim dhe furnizim si dhe në tregtimin ndërkombëtar. Ajo është kuotuar në Bursën e Vjenës që prej vitit 1988 .

Ndërsa EVN AG është një kompani kryesuese ndërkombëtare shërbimesh energjetike dhe mjedisore me zyra qendrore në Austrinë e Poshtme, provinca më e madhe federale në Austri, me një xhiro prej 2.8 miliardë eurosh për vitin financiar 2011/2012.

Mbështetur në infrastrukturën më moderne, EVN u ofron klientëve energji elektrike, gaz, ngrohje, djegie të mbeturinave dhe shërbime të ngjashme nga një emër i vetëm, si dhe energji elektrike prodhuar nga burime të rinovueshme (ujë, erë, biomasë, fotovoltaike) si edhe burime më konvencionale (gaz, qymyr). Me portofolin e vet të shërbimeve, kompania ruan dhe përmirëson cilësinë e jetës për më se 15 milionë klientë në 20 vende europiane. Veç rolit të vet në Austri, EVN operon në Bullgari, Maqedoni dhe Shqipëri duke furnizuar me energji elektrike, gaz dhe ngrohje 3,5 milionë familje.

Revista Monitor, 29.03.2014