Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kushtetuesja rrëzon shfuqizimin e markimit të karburanteve

Gjykata Kushtetuese, sipas vendimit të marrë në tetor 2013, por që nuk është bërë ende publik, ka rrëzuar kërkesën e Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, e cila kishte kërkuar shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit të Këshillit të Ministrave nr 200, datë 13.03.2013: “Për miratimin e kontratës së koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Global Fluids International” dhe “Petroleum Consulting Partners”; vendimin e Këshillit të Ministrave nr498, datë 30.05.2013 “për përcaktimin e procedurave të shenjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës”; pezullimin e zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave i datës 13 mars 2013, “Për miratimin e kontratës së koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave dhe bashkimit të përkohshëm të kompanive shoqërive “Global Fluids International” dhe “Petroleum Consulting Partners””

Gjykata Kushtetuese ka gjetur se në vendimet e qeverisë nuk ka as cenim të kushtetutës dhe as cenim të lirisë ekonomike, duke rrëzuar në këtë mënyrë kërkesën e Shoqatës së Hidrokarbureve.

Ankesa

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, në padi kishte argumentuar dhe arsyet e saj. Sipas kushteve të kontratës së koncesionit, kontrata është nënshkruar për një periudhë 10 vje[are, duke i dhënë të drejta ekskluzive koncesionarit, shoqërisë GFI Albania shpk për ofrimin e këtij shërbimi. Sipas kontratës, shërbimi i markimit konsiston në injektimin e markeuesit tek karburantet, ndërsa shërbimi i monitorimit konsiston në kontrollin për shmangien e evazionit fiskal të subjekteve që operojnë në këtë sektor. Shoqata e Hidrokarbureve në padinë e saj pretendoi anti kushtetueshmërinë e dy VKM-ve, pasi detyrimi për të realizuar markimin pranë koncesionit si subjekt i vetëm për këtë shërbim cenon konkurrencën dhe krijon pozitë dominuese në treg. Sipas ligjit, shteti mund të krijojë situatë monopol te një veprimtari ekonomike të ushtruar prej tij, por jo te privati, argumenton Shoqata në padinë e saj.

Një tjetër arsye për të cilën është ankuar Shoqata lidhet me shkeljen e marrëveshjeve ndërkombëtare të tilla si OBT, MSA në lidhje me lirinë ekonomike. Po sipas Shoqatës ky vendim kushteton procedurat që duhen ndjekur për ngjyrimin, që janë përcaktuar në ligjin për akcizat në Republikën e Shqipërisë. Ssë fundmi, tarifa për këtë shërbim duhet të përcaktohet me ligj dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave.

Për këtë cështje kanë dërguar pretendime edhe qeveria, ministria e Financave dhe Autoriteti i Konkurrencës.

Mbrojtja e kompanive

Nga ana e saj, dy kompanitë “Global Fluids International” dhe “Petroleum Consulting Partners” kanë kundërshtuar pretendimet e ankimuesve me argumentin që nuk cenohet liria ekonomike dhe që kontrata e firmosur e koncesionit është akt individual dhe është jashtë juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër,vendimi nuk cenon lirinë ekonomike, sepse ngjyruesi nuk mund të shihet si mall tregtar, por si element i rëndësishëm i procesit të kontrollit të shenjimit.

Vendimi për rrëzimin e ankesës së Shoqatës

Por, mbledhja e Gjyqtareve nuk gjeti argumente bindëse për mundësinë e cenimit të interesave shtetërore, shoqërore, ose të individëve, si rrjedhojë e zbatimit të menjëhershëm të këtij vendimi.

Për këtë arsye, Gjykata vendosi të hedhë poshtë kërkesën e Shoqatës së Hidrokarbureve për pezullimin e vendimit të qeverisë.

Sipas argumentimeve, kontrata koncesionare është akti individual dhe nuk është pjesë e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese.

Së dyti, ndërhyrja e shtetit për të shënjuar dhe monitoruar karburantet për të shmangur evazionin fiskal garanton një kontroll më cilësor të mbledhjes së të ardhurave tatimore dhe konkludon që nuk kufizohet liria ekonomike.

Gjykata konkludoi që në rastin në fjalë nuk ka cenim të Kushtetutës.

Vendimi është i formës së pretë dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Revista Monitor, 25.03.2014