Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KEDS rrit sigurinë në Trafostacione

Mbi 2000 dryna të rinj janë vendosur në trafostacione dhe trafoshtylla të KEDS-it. Ata, pos që eliminojnë rrezikun e kontaktit të qytetarëve me asetet e energjizuara, mund të hapen me të njëjtin çelës.

Paralelisht me investimet në rrjet, KEDS po investon edhe në rritjen e sigurisë në trafostacione. Tashmë ka nisur projekti për zëvendësimin e drynave në trafostacionet 10/04 kV, trafoshtylla dhe vendosjen e ormanëve në objektet banesore dhe afariste. “Deri tash janë ndërruar mbi 2000 dryna në të gjitha distriktet. Implementimi i këtij projekti do të vazhdojë deri në kompletimin e tërësishëm në objektet e cekura më lart”, thotë Sabri Grajqevci, koordinator për elektroinxhiniering. Projekti ka nisur me 1 shkurt dhe parashihet të përfundojë deri me 1 qershor. Projekti në total parasheh ndërrimin e afro 6500 drynave.

Më herët, në shumë trafostacione dhe asete përcjellëse të energjizuara ekzistonte rreziku permanent i kontaktit eventual të ndonjë qytetari me energjinë elektrike si pasojë e aseteve të dëmtuara, të cilat KEDS i ka trashëguar. Tashmë ky rrezik po eliminohet.

Por, pos sigurisë, në rast të ndonjë të papriture KEDS ka menduar edhe për fleksibilitet në kryerjen e punëve dhe intervenim sa më të shpejtë të mundshëm. “Të gjithë drynat e vendosur mund të hapen me një çelës të vetëm. Secili punëtor i autorizuar e ka një të tillë. Këta dryna gjithashtu pamundësojnë qasjen e personave të paautorizuar në trafostacione, trafoshtylla dhe ormanë në objektet banesore dhe afariste”, tregon Grajqevci.

Drynat e zëvendësuar kanë llogon e KEDS-it, janë unikat dhe sipas standardeve evropiane IEC. Ata, pos përparësive të përmendura më lartë do të ndikojnë edhe në ruajtjen e pajisjeve nga dëmtimi në këto objekte nga personat e pautorizuar, do të pamundësojnë kyçjen ilegale të njehsorëve nga personat e pautorizuar dhe keqpërdorimet e energjisë elektrike.

Krahas projektit për vendosjen e drynave në trafostacione KEDS po merret edhe me riparimin e objekteve të trafostacioneve ku ishin dëmtuar dyert dhe qasja e qytetarëve ishte e lirë. Pos sigurisë, mbrojtjes së aseteve dhe rritjes së efikasitetit, investime të tilla po ndikojnë edhe në aspektin estetik. Deri tash janë riparuar 6 objekte të trafostacioneve në Obiliq, dy në Gjakovë dhe do të vazhdohet tutje deri në kompletimin e riparimit të tyre, i cili nuk është bërë asnjëherë që nga koha kur janë ndërtuar.

Ky projekt do të implementohet në tërësi nga ekipet e mirëmbajtjes së distrikteve dhe ekipeve të Departamentit të Inxhinieringut.

Implementimi i projektit të filluar sivjet do të vazhdojë deri në montimin e tërësishëm të tyre në objektet e cekura.

energjia.al 26.03.2014