Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Investitorët italianë, interes për energjinë

Investitorët italiane shfaqin interes për sektorin e energjisë në Shqipëri. Këtë e ka shprehur ambasadori i Italisë në Shqipëri Massimo Gaiani gjatë forumit të organizuar nga Dhoma Italiane e Tregtisë dhe dhe Kёshilli Ekonomik Kombёtar, me mbështetjen e Bankёs Evropiane pёr Rindёrtim dhe Zhvillim (BERZH) në ambientet e Pallatit të Kulturës. Ambasadori Gaiani tha sektorit energjetik në Shqipëri i duhet kushtuar një vëmendje më e madhe, duke shtuar se duhet të përshtaten normat rregullatore me ato të Bashkimit Europian.

“Italia e sheh me interes të veçantë sektorin e energjisë në Shqipëri, si një sektor të rëndësishëm. Ndërkaq edhe investitorët italianë shfaqin interes për këtë sektor.

Por ky sektor duhet të monitorohet. Duhet krijuar një marrëdhënie korrekte me investitorët. Duhet të tregohet vëmendje edhe për investimet e ardhshme. Duhet të sigurohet një plan për investitorët për të operuar në treg.

Rëndësi i duhet kushtuar edhe normeve rregullatore. Të cilat duhet të jenë të adaptuara me rregullat në Europë. Duhet të ofrohet një bashkëpunim më i madh.

Duke u ndalur tek interkonjeksioni do të vija theksin edhe tek bashkëpunimi me Italinë.

Duhet vlerësuar edhe produktiviteti dhe faturimi. Faturimi është problemi i parë që duhet zgjidhur për të krijuar një ekuilibër. Jemi të interesuar në këtë debat q të kuptojmë”, tha ambasadori Gaiani.

Ministri Gjiknuri ndërkaq tha se problematikave në këtë sistem duhet t’i jepet zgjidhje, ndërsa u shpreh se ligji për energjinë e rinovueshme u shty për të fituar kohë për të gjetur zgjidhje për investimet në këtë sektor.

“Shteti është partner me vetë prodhuesit. Duhet të bëheni pjesë dhe zgjidhje e sistemit të energjisë. Nuk mund të bëhet zgjidhja në mënyrë të njëanshme. Pjesa private ka kohë që nuk ka marrë para, shkak ndërtimi i tregut, që nga prodhimi deri tek konsumatori. Ky model ka falimentuar. Likuiditeti do të jetë një problem i vazhdueshëm. Qeveria po përballet me një problem serioz. Ligji për energjinë e rinovueshme, u shty për të fituar kohë për të gjetur zgjidhje për investimet në këtë sektor. Modeli në Shqipëri për HEC private duhet riparë. Do të marrim shembull modelet më të mira. Zgjidhjet e qëndrueshme janë ato që kanë një ekonomi prapa tyre. Gjëja e parë, këtë vit, ne së bashku me ndërkombëtarët, do miratojmë ligjin e ri të energjisë, për të ndryshuar modelin. Sepse e krijuar për KESH, shumë e rëndë, politika e mëparshme nuk kishte planifikim. Duke qenë se nuk është reflektuar shtohet një deficit. Prioritet i joni lufta ndaj abuzimit porsa i përket humbjeve joteknike. Të kalojmë në një skemë që i përshtatet çdo prodhuesi. Jo të gjitha njësitë kanë kosto të njëjtë. Çdo veprim i joni në bashkëpunim me ju. Duhet menduar për diversifikimin e burimeve të energjisë”, tha ministri Gjiknuri.

Nё kёtё forum u diskutohet nё lidhje me problematikat e sektorit, perspektivën e tregut tё energjisë elektrike dhe format e bashkëpunimit me investitorët privatё.

Në këtë aktiviteti merrnin pjesë edhe Kryetari i Dhomёs Italiane tё Tregtisё, Maurizio Zannier; Drejtori i BERZH-it pёr Tiranёn, Fabio Serri; Kryetari i Entit Rregullator tё Energjisё, Petrit Ahmeti, Administratori i KESH-it, Agron Hetoja, etj.

Shqiptarja.com 24.03.2014