Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Hib Petrol” dëmtoi komunën

Më shumë se 500.000 euro llogaritet që kompania “HIB Petrol” ka përfituar nga një mashtrim që i ka bërë Komunës së Prishtinës. Ky mashtrim i “HIB”-it ndaj komunës ka ardhur, pasi kompania kontraktuese sipas një kontrate, e cila e kishte vlerën 1.5 milion euro në vit, ishte e obliguar të furnizojë shkollat e kryeqytetit me naftë eurodisel 10ppm, kurse kjo e fundit kishte dërguar në rezervuarët e shkollave vaj për djegie. Dhe ky vaj për djegie është 40 për qind më i lirë se nafta eurodisel.

Komuna sipas kësaj kontrate që në muajin shkurt i ka mbushur 2 vjet që ishte nënshkruar i është detyruar kompanisë “HIB Petrol” që t’i paguajë litrin 1.22 centë, kurse “HIB Petrol” ka furnizuar me vaj që ka çmim rreth 80 centë.

Pasi që e ka vërtetuar se mashtrimi ka ndodhur, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka marrë të gjitha masat duke ndërprerë kontratën dhe duke ngritur padi ligjore në gjyq për mashtrim ekonomik, sepse çmimi i këtij vaji është diku 40 për qind më i lirë se i naftës.

Ahmeti ka thënë se këtu ka ndodhur një mashtrim dhe dëmtim i Komunës së Prishtinës dikur rreth 500.000 euro. Ai gjithashtu ka kërkuar përgjegjësi nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të fillojë hetimet pasi që kjo lëndë është futur ilegalisht në vendin tonë. Për të gjitha këto zhvillime gazeta “Zëri”, sipas burimeve të saj, kishte raportuar në numrin e së martës (18 mars 2014).

Laboratori në Itali: Nafta përmban sasi alarmante të sulfurit 890 ppm

Watson Gray Italia S.r.l., është emri i laboratorit që gjendet në Cremona të Italisë, i cili ka dalë me rezultatet të cilat tregojnë se mostra e cila iu kishte dërguar nga Komuna e Prishtinës, përmbante Gasoil dhe jo naftë, dhe tejkalonte sasinë e sulfurit me 890 ppm. Ky laborator e ka rikonfirmuar me këtë rezultat se derivati i djegur në shkollat e Prishtinës përmban sasi alarmante të sulfurit.

Po ashtu në këtë raport laboratorik të cilin e posedon gazeta, thuhet se ky vaj digjet edhe më shpejt ngase pika e saj është në 20 gradë celsius, ndërsa me ligj duhet të jetë 56 gradë celsius. Të gjitha këto rezultate laboratori i kishte nxjerrë nga një mostër prej 3 litra të cilën e kishte dërguar Komuna e Prishtinës. I pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, potencoi se 3 ekspres posta kishin refuzuar që këtë mostër ta dërgonin në Itali me arsyetimin se përmbante materie me rrezikshmëri të lartë.

Përgjegjësia bie te MTI-ja

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), më 13 shkurt 2014, kishte konfirmuar Komunës së Prishtinës se për këto vajra gazore për ngrohje nuk janë të licencuar për import asnjë kompani në Kosovë. Duke marrë parasysh këtë konfirmim të MTI-së, Ahmeti tha se tani duhet që kjo ministri të marrë masa dhe të shikojë se si mundet që kompania “HIB Petrol” të shesë vaj për të cilin nuk është e licencuar.

“Ne do të ndërmarrim masat ligjore të cilat i kemi në dispozicion dhe shpresojmë se kjo të merret si shembull për kontroll shumë më të madh. Kurrfarë marrje të përgjegjësisë nga Qeveria e Kosovës përkatësisht nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë të cilët e kanë përgjegjësin të sigurohen se nafta që është në Kosovë është e kualitetit të lartë”, ka shtuar Ahmeti. Kryetari i Prishtinës tha se prokuroi është duke u marr me këtë dhe se Komuna i ka mostrat e të gjitha shkollave, por Prokuroria i ka obliguar që të mos i bëjë publike sepse janë pjesë e hetimeve.

“Ne kemi dërguar në prokurori, prokuroria ka filluar hetimet dhe kjo është maksimumi që ne mund të bëjmë sepse në aspektin e përgjegjësisë penale tash kemi edhe aspektin e mbrojtjes civile që ne mund të bëjmë në aspektin e saj si komunës.” tha Ahmeti. Mirëpo, ai tha se nuk do të ndalen dhe do të vazhdojnë të ndalin këtë papërgjegjësi. Ai ka kërkuar përgjegjësi edhe nga institucionet shëndetësore që nuk e kanë marr parasysh rrezikun e kanosjes së shëndetit të fëmijëve në shkollat tona.

Gazeta Zëri, 19.03.2014