Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Intervista e ministrit Gjiknuri në Vizion Plus

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit “7 pa 5” në televizionin “Vizion Plus”. Më poshtë intervista e plotë e Ministrit:

Energjia dhe Industria, një sektor shumë i sulmuar edhe nga ju, kur ishit në opozitë. Monopolet, koncesionet, po tashmë duket se edhe brenda të majtës po flitet se nuk po zhbëhen këto monopole kaq shumë të diskutuara e kaq shumë të përfolura….

Ministri Gjiknuri: Ne asnjëherë nuk kemi deklaruar se do të anulohet çdo gjë, kemi thënë do rishikohet çdo gjë. Atë po bëjmë, publiku është i njohur me faktin që gjatë një periudhë 5 mujore, periudhë e vështirë sepse fillimi ka vështirësitë e veta, me njohjen, me problematikën, edhe me ristabilizimin e objektivave, është bërë goxha punë. Përshembull, vetëm në sektorin minerar janë pastruar mbi 16% të lejeve, mbi 140 leje të revokuara, për leje minerare të cilat nuk kanë plotësuar kushtet teknike, kanë pasur probleme pagesash, kanë pasur probleme të tjera ligjore. Po vazhdon procesi i rishikimit pasi do kohën e vet. E njëjta gjë mund të thuhet me HEC-et, që në fillim kemi anuluar HEC-e të dhëna në kundërshtim me ligjin, ose HEC-e të dhëna në një periudhë në të cilën qeveria nuk mund të kishte rol tjetër përveçse të ishte një qeveri administratore le të themi, e transferimit të pushtetit. Kemi vazhduar me procesin e rishikimit të HEC-eve, por ky nuk është qëllim në vetvete. Objektivi ynë kryesor është që të zbatojmë ligjshmërinë, të nxisim veprimtarinë private dhe njëkohësisht të shikojmë ato kontrata të cilat nuk po zbatohen. Nuk është kollaj të prishësh kontrata, pra, pavarësisht se politikisht gjithmonë kontratat mund të jenë të atakueshme. Është e vërtetë që opozita me të drejtë ka ngritur probleme në lidhje me mënyrën sesi janë lidhur këto kontrata, por bëhet e vështirë nëse nuk ka shkaqe ligjore dhe aq më tepër prishja e kontratave në mënyrë arbitrare, do të kishte pasoja të mëdha financiare për shtetin. Ky është realiteti. Për 5 muaj është bërë një punë shumë e madhe, përsa i përket edhe sektorit hidrokarbur, edhe minierave, edhe HEC-eve dhe është një proces në vazhdim i cili nuk mund të mbyllet me 5 muaj. Janë mbi 900 leje minierave, janë mbi 400 koncesione HEC-esh e shumë aktivitete të tjera të cilat lidhen me këto licenca.

Kemi nëntokë shumë të pasur si në aspektin minerar ashtu edhe të hidrokarbureve, megjithatë shumë pak arkëtohet nga kjo. Rriten eksportet dhe e mira publike nuk arkëton pothuajse asgjë….

Ministri Gjiknuri: Ka një tension mes asaj që pret publiku dhe çfarë nxirret nga nëntoka. Ky tension ka qenë më i dukshëm tek sektori naftës. Ka pasur kritika në këtë drejtim. Ju e dini që me regjimin e ri fiskal, sidomos me ndryshimet që ndodhën në dhjetor, ne filluam të bëjmë disa ndërhyrje të studiuara përsa i përket sektorit të hidrokarbureve, duke përfshirë akcizën për shumë elementë që futeshin në proceset naftënxjerrës, që do të thotë miliona euro më shumë për shtetin, duke përfshirë TVSH-në. TVSH-ja qe e përjashtuar dhe krijonte një dritare e një hapësirë për abuzim në shumë elementë të tjerë përsa i përket nënkontraktorëve dhe shmangien nga detyrimet fiskale, prapë në fushën e hidrokarbureve. Edhe kjo përkthehet në milion të tjera të ardhura. Gjithashtu kemi diskutuar me shoqëritë edhe për një regjim të ri, ky është një proces që duhet të vazhdojë me negociata, janë marrëveshje të lidhura, të aprovuara nga qeveria dhe qeveria nuk mund të tërhiqet në mënyrë të njëanshme. Por, patjetër jemi duke studiuar edhe me ekspertizë të huaj për mënyrën sesi do të rikuperojmë më tepër përsa i përket rentave dhe të drejtave që fiton shteti. Një gjë duhet sqaruar, përsa i përket hidrokarbureve, nafta shqiptare është një naftë që është jo e cilësisë më të mirë, kërkohen shumë para për ta nxjerrë dhe kostot e eksplorimit janë shumë më të mëdha se në shumë vende të tjera. Shqipëria nuk është as Arabia, as Lindja e Mesme, as vende të tjera që kanë një intensitet të madh prodhimi.

Përsa i përket minierave, edhe aty po shtrëngohet. Pikërisht në rastet e revokimeve, një pjesë lidheshin edhe me mospagesa në favor të publikut, pra të shtetit në këtë rast. Nga ana tjetër, po rishikohet edhe skema e rentës minerare për minierat, në mënyrë që të nxitet pasurimi vendas. Pra, mineralet e varfra të marrin vlerë dhe kjo do të krijonte edhe një vlerë të shtuar për industrinë minerare në vendin tonë.

I keni disi duart e lidhura, mesa kuptoj unë janë shumë të vështira, koncesionet janë dhënë me kohë, për afate të gjata. Ka një ngërç të tillë, qeveria s’ka çbën ndaj këtyre që i ka gjetur??

Ministri Gjiknuri: Qeveria po bën atë që është më e mira e mundshme. Po tregon vullnet, po i rishikon, po respekton të drejtat e privatëve, por njëkohësisht po merr parasysh edhe interesin publik. Prandaj thashë, është një proces i cili po vazhdon. Nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë me këtë intensitet. Nuk ka ndodhur që në 5 muaj të revokohen mbi 180 kontrata, duke përfshirë HEC-e dhe miniera. Mjafton vetëm numri për të kuptuar sesa interesa janë prekur, sesa probleme kanë pasur dhe kjo nuk është e lehtë për ta bërë për një periudhë 4-5 mujore, në kushte shumë të vështira ekonomike, financiare që kemi trashëguar nga qeveria mëparshme.

Ka përgjegjës për këtë situatë. Përshembull 180 leje i keni revokuar, por kush e mban përgjegjësinë, është përgjegjësi e individit, e pronarëve të këtyre apo edhe e atyre që nuk i kanë monitoruar deri më sot?

Ministri Gjiknuri: Patjetër, që edhe ata që nuk i kanë monitoruar kanë mbyllur sytë. Një pjesë e këtyre personave kanë marrë masat e tyre administrative, janë larguar nga puna. Për një pjesë tjetër është bërë kallëzim penal, disa zyrtarë të lartë të Ministrisë së Energjetikës, por edhe zyrtarë të tjerë në nivel më poshtë janë kallëzuar në prokurori. Kjo është çështje e prokurorisë, shpresojmë që drejtësia të japë përgjigje për këto. Detyra jonë ka qenë auditimi, nxjerrja e përgjegjësive dhe referimi aty ku duhet.

Çfarë garantoni që gjatë drejtimit tuaj në krye të kësaj ministrie nuk do të përsëritet nga ju, nga ajo që është bërë gabim nga qeveria mëparshme, përsa i përket dhënies së lejeve? Një mekanizëm që keni ngritur për të frenuar abuzimet që janë bërë më parë.

Ministri Gjiknuri: Ne po ndërtojmë, një regjistër elektronik koncesionesh. Do të thotë që nga momenti aplikimit, pjesa tjetër e shpalljës së fituesit, më vonë zbatimi i kontratës do të jetë në një regjistër i cili do të jetë i monitorueshëm qoftë nga publiku, por edhe qoftë nga institucionet e interesuara, përfshirë edhe ministrinë. Sepse, unë konstatova një gjë, në momentin e parë që vajta në zyrë, e kisha të vështirë që dhe të gjeja letrat. Dosjet ishin të zhdukura ose nuk mblidhje dot dokumentacionin, pasi ka qenë i shpërndarë në shumë duar. Kjo e bënte të vështirë punën për të bërë atë që quhet minimalisht inventar i punës. Kemi edhe mbështetje ndërkombëtare për këtë, pra asistencë ndërkombëtare dhe do të bëjmë një regjistër model i cili do të rrisë transparencën. Nga ana tjetër, edhe tek fushat e naftës, ndodh që nafta shqiptare megjithëse ka potenciale të mëdha nuk është e zhvilluar, i është dhënë operatorëve jo seriozë. I është dhënë njerëzve të cilët e kanë marrë një licencë për eksplorim apo për nxjerrje nafte dhe nuk kanë investuar aty, por presin se si e si të gjejnë ndonjë blerës të mundshëm. Ne duam të fusim për herë të parë procedurat e konkurimit, të negociuara, por të konkurimit. Pra, blloqet e lira që tashmë i ka Albpetroli kur të dalin për interes për eksplorim të shkojnë në një bazë konkurimi dhe konkursi.

Meqë jemi tek nafta, ka edhe një shqetësim të madh publik të banorëve të Zharrëzës atje. Po u prishen shtëpitë, ata akuzojnë kompaninë se për shkak të mënyrë së nxjerrjes së naftës me fracturing, po shkaktojnë tërmete. A është normale që aparaturat matëse të tërmeteve ti vërë në dispozicion kompania dhe t’i monitorojë kompania?!

Ministri Gjiknuri: Nuk është e vërtetë që përdorin ‘fracturing’, sepse jam interesuar për teknologjinë, për të qenë të qartë. Nuk është “hydraulic fracturing” – që quhet. Aktivitet sizmik, ka pasur edhe më parë. Po çfarë ka bërë qeveria?! Për herë të pare, kësaj radhe, sepse ky problem ka vite, kemi instaluar pajisje sizmike, kemi filluar monitorimin e imët edhe nga ana e stafit të Albpetrol, dhe në bashkëpunim me komunitetin, siç ramë dakord janë instaluar pajiset, ka filluar transmetimi në institut, sepse ishte edhe problemi i softit, i të marrjes së të dhënave. Pra, për herë të pare, shteti reagoi për të monitoruar situatën. Është shumë e vështirë që të bësh nganjëherë lidhjet, pra a ka lidhje mes lëvizjeve sizmike dhe aktiviteti naftënxjerrës. Kjo do edhe hulumtim shkencor më të thellë dhe kapacitetet shqiptare këto janë, janë minimale, por ne po punojmë në këtë drejtim. Dhe nuk kemi pse ta fshehim, ata njerëz deri para 6 muajsh asnjë nuk i dëgjonte, madje policia shkonte në anën e investitorit dhe shpesh i arrestonte. Kjo gjë, prej kaq muajsh nuk ka ndodhur. E thashë, është një proces që do kohën e vet, po monitorohet dhe besoj se ka pasur edhe një dialog me komunitetin. Për lëkundjet e fundit, për të cilat ka pasur një pretendim, u provua se ishin lëkundje të karakterit sizmik, pra ishte tërmet. Vetë pajisjet e regjistrojnë në kohë, maten me të dhënat e qendrave të tjera evropiane dhe fillon e bëhet krahasimi i tyre.

Do mbetem tek nafta, por dua të kaloj në një terren tjetër. Është folur me shumë bujë për zbulimin e naftës në Shpirag, opozita e sotme deklaron se është diçka e ditur, është ditur që në atë kohë . Si paraqitet situata në atë pellg naftëmbajtës. A është një pellg i madh me interes për vendin?

Ministri Gjiknuri: Unë se di që paska qenë e ditur që në atë kohë, sepse kur zbulohet nafta njëherë zbulohet, nuk mund të zbulohet dhe të rrijë nafta e fshehur. Për herë të parë u zbulua në tetor, pra u provua që ka naftë. Gjithmonë ka pasur interes, ka pasur të dhëna gjeologjike që ishin pozitive, se ndryshe nuk do të hynte asnjë kompani. Por, realisht u zbulua në këtë kohë, nuk po them që është meritë, nuk dua të kapitalizoj gjëra që i kanë bërë shoqëritë private. Është një ngjarje e mirë për Shqipërinë, sepse ekzistenca e naftës, dhe nëse provohet që do të ketë sasi të mjaftueshme nafte, sepse prandaj po shpohen edhe dy puse të tjera, për të provuar a është sasia e mjaftueshme që të ketë vlerë komerciale. Nëse provohet, do të jetë një gjë e mirë për Shqipërinë sepse do të rrisë gati 50% prodhimin e naftës. Duke marrë parasysh që kjo naftë është edhe naftë e lehtë, është naftë e cilësisë shumë të lartë, do të thotë që shitet me një vlerë shumë më të madhe, nisur me çmimin e krahasuar të brand-it në Londër. Do të thotë do të vijnë më shumë të ardhura nga eksporti shqiptar, pra edhe më shumë të ardhura për shtetin shqiptar.

Dua të ndalem tek gazifikimi i vendit, realitet apo utopi?!

Ministri Gjiknuri: Gazifikimi i vendit do punë. Ndërtimi i TAP-it krijon mundësinë e ardhjes së gazit nëpërmjet Shqipërisë, po gazi shkon në Itali. Është shumë e rëndësishme që këto vite të punohet për të pasur një masterplan dhe për t’i dhënë mundësinë që një pjesë e industrisë shqiptare, përfshirë këtu edhe prodhimi i energjisë elektrike, për mendimin tim duhet të jetë nga përfituesit kryesorë të këtij gazi. Kjo, edhe për faktin se Shqipëria duhet ta diversifikojë prodhimin energjetik për të mos qenë vulnerabël nga moti. Ja përshembull, sivjet ishte një vit jashtëzakonisht i vështirë, nuk ka pasur dimër fare, nuk ka pasur reshje, dhe këto ndikojnë në sigurimin me energji elektrike të vendit, ndikojnë direkt në financat publike. Ne po punojmë, aktualisht kemi lidhur edhe një marrëveshje paraprake me Azerbajxhanin, me kompaninë SOCAR. Unë shumë shpejt do ta nënshkruaj atë marrëveshje për asistencë përsa i përket gazifikimit, është një kompani shumë e madhe, serioze, që ka shprehur interes. Nga ana tjetër kemi aplikuar edhe për mbështetje ndërkombëtare. Jo më larg se para tre javësh kam dorëzuar vetë aplikimin për një fond prej 1.1 milion dollarësh për fillimin e masterplanit për gazifikimin e Shqipërisë, fonde që e kanë origjinën nga Bashkimi Evropian. Janë në një rrugë të mbarë që të paktën këtë vit të fillohet puna me masterplanin dhe deri vitin tjetër Shqipëria të ketë një masterplan të plotë në mënyrë që investitorët privatë, kapitali, fillon të gjejë veten dhe të shikojë mundësinë e gazifikimit. E njëjta gjë, edhe për TEC-in e Vlorës, i cili aktualisht është një TEC-i i cili nuk po vlen për asgjë, pasi ka edhe probleme teknik dhe nuk ka përfunduar. Por, normalisht duhet të ishte i pari përfitues i gazit dhe për këtë, bashkë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, po gjejmë financimin e duhur në mënyrë që të bëjmë studimin e konvertimit me gaz të këtij TEC-u.

Ju e thatë pak më parë, jemi shumë të varur nga moti. Si është situata në basene?

Ministri Gjiknuri: Nuk është situatë e mirë. Nuk ka pasur reshje, kjo është një gjë që njerëzit e shikojnë vet. Ky nuk është vit i mirë hidrologjik, përkundrazi është nga vitet më të thata. Por, qeveria e ka prioritet dhe e zbatuam dhe në këtë dimër, megjithë kushtet e vështira në të cilat e gjetëm sektorin energjetik, që energjia nuk do të mungojë. Do të bëjmë gjithçka që energjia të sigurohet. Patjetër që kjo ka një kosto shumë të lartë, barrën kryesore e përballon buxheti i shtetit, praktikisht publiku. Prandaj ka nevojë për ndërhyrje dhe reforma të thella në sektorin e energjisë, jo vetëm për diversifikimin dhe sigurimin afatgjatë të sigurisë energjetike, por mbi të gjitha për likuiditetin e sektorit, ndaj luftën e kemi përqendruar tek ndalimi i abuzimit me energjinë elektrike i cili është malli që vidhet më shumë sot në Shqipëri.

Një tjetër çështje që ka interes për qytetarët, është rritja e çmimit të energjisë elektrike. Do ketë një fashë tashmë, nuk do ketë më dy fasha pagese?!

Ministri Gjiknuri: Ne jemi duke bërë një proces reformash të thella, ku do të shikojmë edhe mënyrën sesi është strukturuar çmimi i energjisë. Do të shikojmë të gjitha mekanizmat e nevojshme se çfarë mundësie ka që shtresat e varfra të mos preken nga luhatjet e çmimit të energjisë, apo çdo lloj reforme që lidhet me të. Por, një gjë duhet ta kemi të qartë, që Shqipëria ka çmime më të ulëta energjie se kushdo. Ka një kosto shumë të lartë përsa i përket transmetimit të elementëve teknikë që ndikon në çmim. Në qoftë se vendet e tjera, pjesa e shpërndarjes apo transmetimit, pra ato që quhen humbje jo teknike zënë një vend shumë të vogël, në Shqipëri përfshirë edhe humbjet e mëdha që janë vjedhje edhe këto, zënë një vend shumë të madh. Kuptohet kjo nuk do të thotë se duhet të shkarkohet barra tek konsumatori, prandaj ne duhet të luftojmë abuzimet.

Ka një eksperiencë të hidhur Shqipëria, sa herë rritet çmimi, rritet informaliteti në Shqipëri…

Ministri Gjiknuri: Prandaj e thashë. Nuk pohova se do rritet çmimi, po shikojmë strukturën e çmimit, siç po shikojmë edhe shumë elementë të tjerë në sektorin e energjisë. Kjo është një vendimmarrje e ERE-es, sepse është ai që shikon balancat energjetike dhe shikon sesa realisht çmimi përputhet me çmimin real të energjisë të prodhuar apo shtuar, dhe importet. Ne jemi në një konsultim të vazhdueshëm, për të bërë ato masa të nevojshme, por që dua ta theksoj nuk do të prekin popullatën në nevojë të Shqipërisë.

Keni miratuar në qeveri strategji për mbledhjen e borxheve. Si do funksionojë kjo?!

Ministri Gjiknuri: Ne po bëjmë një pastrim të llogarive mes kompanive dhe institucioneve publike. Kjo është një masë e kërkuar edhe nga FMN-ja e Banka Botërore. Ashtu siç janë masa në lidhje me rishikimin e gjithë sektorit të energjisë elektrike, përfshirë edhe ato që unë përmenda pak më lart. Janë masa të kërkuara nga FMN-ja dhe Banka Botërore, pasi ata janë shumë të qartë që sektori energjetik është gropa më e madhe financiare në Shqipëri. Përtej asaj që u propagandua me vite nga Berisha, por që realisht mund të themi që është dështimi më i madh nga pikëpamja e të gjithë politikave që ka zhvilluar ajo qeveri. Ajo që po ndodh është pastrimi i llogarive të shoqërive, nga ana tjetër ne po shikojmë të gjithë instrumentet e nevojshëm ligjorë, që të mos akumulohen borxhe të tjera nga institucione publike. Do të thotë që fondi që shkon për energjinë që është një fond operacional, pra për shpenzime të mbarëvajtjes në çdo institucion, të jetë i paprekshëm, ose të ketë prioritetin e pagesave dhe jo që fondi i energjisë të përdoret për një gjë tjetër. Të gjithë shqiptarët e vënë re që shpesh nëpër zyrat e institucioneve rrinë dritat hapur, apo merret energji nga institucioni për gjëra të tjera dhe patjetër abuzimi është pa limit. Kështu që ne duam që t’i japim fund kësaj. Njëkohësisht është edhe një paketë tjetër masash ligjore, që shumë shpejt do t’i bëhet prezent publikut dhe do shkojë në parlament, në mënyrë që të shtrëngohen ata që janë debitorë energjie. Këtu ka shoqëri tregtare, kanë me qindra-mijëra borxhe korporatës së shpërndarjes, në këtë rast CEZ-it, dhe marrin tendera publikë, përfitojnë koncesione, vazhdojnë bëjnë punë të tjera, pra marrin para publike, nuk japin asgjë mbrapsht. Këto gjëra duhet të marrin fund, duhet të fillojnë të kufizohen. Nëse ke detyrime fiskale nuk merr tender publik, ashtu duhet të jetë edhe për energjinë, ashtu mund të jetë edhe për fusha të tjera. Ji i rregullt me shtetin, kërko nga shteti.

Me CEZ-in si do veproni. Jeni në Arbitrazh…

Ministri Gjiknuri: Arbitrazhi është i hapur. Ne kemi patur një periudhë pezullimi pasi po negociojmë. Nuk kanë përfunduar negociatat, kuptohet situata është e vështirë. Asnjë gjë nuk është bërë, qeveria që iku mori CEZ-in në administrim, por as e shpronësoi, e la në gjendjen siç është, as vlerësim teknik, as vlerësim financiar. Pra, Shqipëria është në një situatë jo të mirë në këtë drejtim. Megjithatë ne duam të gjejmë një zgjidhje që nuk na rëndon financiarisht. Një zgjidhje që është e mbështetur nga institucionet ndërkombëtare dhe një zgjidhje që i hap rrugë sektorit për të investuar. Sepse, siç është CEZ-i sot as shtet as privat, asnjeri nuk të jep kredi, as nuk investon dot, as nuk bën dot reforma për ato të drejta të cilat janë të përcaktuara me ligj dhe që i takojnë CEZ-it. Por, që të bësh veprime të njëanshme pa marrë pëlqimin e pronarit dhe “pronar” formalisht janë çekët, kjo e bën shumë më të vështirë çdo lloj reforme.

Është e madhe shuma, sepse u fol për një shumë 200 milion?

Ministri Gjiknuri: Unë nuk mund të konfirmoj shumën, kuptohet gjersa jemi në negociata është etike që negociatat zhvillohen nëpër zyra negociatash dhe jo nëpër media.

Për ta mbyllur, dua t’ju bëj një pyetje që vjen nga aspekti i konsumatorëve. Abuzohet me cilësinë e karburanteve, por edhe vidhet në fakt me atë çfarë i shitet konsumatorit. Kur do marrë fund kjo, cilësia e përzierjes së naftës. Po shkatërrohen makinat e shqiptarëve.

Ministri Gjiknuri: Ne e kemi marrë shumë seriozisht këtë gjë. Inspektorati Qendror Teknik po kalon në një ristrukturim të thellë. Bëmë një investim për laborator dhe çertifikuam laboratorin pasi nuk ishte në gjendje të çertifikonte llojin e karburantit që hynte në Shqipëri për standardet teknike. Nga ana tjetër, po përgatisim paketën ligjore ose masat ligjore të cilat fusin nën kontroll të gjitha impiantet e përpunimit që gjoja nën lëvozhgën e riciklimit, prodhojnë atë që quhet naftë e keqe dhe e hedhin në treg. Të gjitha këto do të futen në një kontroll, do të licencohen dhe do të jenë të standartizuara. Pra, dihet për çfarë produkti je i licencuar.

Kur pritet?

Ministri Gjiknuri: Shumë shpejt, dispozitat përkatëse janë përgatitur tashmë. Javës tjetër besoj do fillojë konsultimi me industrinë, pasi do bëhet një proces konsultues dhe më vonë do të kalojë në qeveri dhe në Kuvend. Është një proces në vazhdim, dhe unë jam i bindur që të paktën nga të dhënat që kam karburanti është shumë më i mirë se çka qenë 7 apo 8 muaj përpara apo një vit më parë në Shqipëri. Është një proces që do të dojë kohën e vet. E rëndësishme është të mbyllen burimet kryesore që mund të jenë kontribues të rëndimit të cilësisë së karburanteve. Fatkeqësisht, në Shqipëri ka ndodhur edhe një fenomen tjetër që ke karburante kudo, dhe normal që të gjithë këto kërpudha që shesin karburante realisht ku do fitojnë, do fitojnë tek cilësia dhe tek sasia. Për mendimin tim, ka ardhur momenti të bëhet një reformë e thellë që nuk i përket vetëm ministrisë sime por po punohet edhe me institucionet e tjera, pra ka një grup ndërministror për t’i dhënë zgjidhjes së duhur kësaj çështje dhe për të mos pasur kaos në tregun e karburanteve.

Zoti Gjiknuri ju falenderojmë dhe ju urojmë punë të mbarë….

Ministri Gjiknuri: Faleminderit dhe ju!

energjia.al 18.03.2014