Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Dimri i madh i HEC-eve

Qeveria e re duket se ka “ngrirë” për ca kohë fuqinë e hidrocentraleve të vegjël privatë. Flitet për një periudhë shqyrtimi “hap pas hapi” për kontratat e nënshkruara apo edhe ato në proces, që kanë të bëjnë me prodhuesit e vegjël të energjisë elektrike, nga burimet hidrike. Nuk ka ende një fushëpamje të qartë, por e sigurt është se qeveria e re nuk do ta orientojë më sigurimin e energjisë elektrike tërësisht nga burimet ujore. Deri në përcaktimin e një strategjie të re le të shohim se deri ku kemi mbërritur me atë që u konsiderua si superfuqia e ujit.

Ashtu sikundër ishte paralajmëruar, me marrjen e pushtetit, qeveria “Rama” i preu “udhën” një serie kontratash për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël. Numërohen rreth 12 procedura të bëra “nul”. Po cilat janë shifrat e deritanishme sa u përket kontratave të koncesionit, për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël?

Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, që nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 9663, datë 19.2.2006 “Për koncesionet”, i ndryshuar, si dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka nënshkruar që nga viti 2007 e deri në shtator të vitit 2013, 164 kontrata koncesioni për ndërtimin dhe rehabilitimin e 435 hidrocentraleve. Nga të njëjtat burime mësohet se fuqia e instaluar deri tani llogaritet në 1,930 MGW, me prodhim vjetor të parashikuar në total në 345.087 GWh. Ndërsa investimi total, sipas burimeve zyrtare, kap vlerën e 2 miliardë e 654 milionë eurove.

Mësohet se aktualisht kanë përfunduar punimet për kontratat e nënshkruara nga viti 2007 e deri në shtator të vitit 2013 dhe janë në fazën e prodhimit 44 hidrocentrale me fuqi të instaluar 195.432 kW. Këtu janë përfshirë edhe hidrocentralet Ashta 1 dhe Ashta 2 me fuqi të instaluar 56 MW. Sipas të dhënave të ministrisë, gjatë vitit 2013 filluan nga puna disa prej veprave të rëndësishme në fushën e gjenerimit të energjisë elektrike, ku mund të përmendim:

hidrocentralet mbi lumin Devoll, me një fuqi të instaluar prej 279 MW, me një vlerë investimi prej rreth 940 milionë eurosh; hidrocentralet mbi lumin Fan i Madh dhe Fan i Vogël, me një fuqi të instaluar prej 87,700 kW, me një vlerë investimi rreth 142 milionë euro; hidrocentralet mbi lumin Curraj, me një fuqi të instaluar prej 97,570 kW, me një vlerë investimi rreth 100 milionë euro;

hidrocentralet mbi lumin Osum, me një fuqi të instaluar prej 152 MW, me një vlerë investimi prej rreth 231 milionë eurosh, etj.

Qeveria e djathtë i konsideronte këto investime (që jo pak herë janë bërë objekt debatesh të forta), si motorin kryesor të gjenerimit të energjisë dhe që do të ulte varësinë nga importi, në kushtet kur Shqipëria njihet si një vend me burime të mëdha hidrike. E për të nxitur këtë, u ndërmorën edhe masa lehtësuese fiskale, ku kujtojmë përjashtimin nga TVSh-ja për asetet kapitale, si dhe për hekurin e çimenton, si dhe përdorimi i pronës shtetërore gjatë të gjithë periudhës koncesionare për vetëm 1 Euro në ndërtimin e hidrocentraleve.

Madje u përcaktuan edhe afate për miratimin e kuadrit ligjor për energjinë e rinovueshme, si detyrime që lindnin nga angazhimet në Komitetin e Energjisë, ku kjo e fundit ka adresuar jo pak kritika të ashpra në adresë të politikave të ndjekura nga Shqipëria. Ishte parashikuar që me kontratat e HEC-eve dhe 15 autorizimet e dhëna për ndërtimin e parqeve me erë, eolike dhe paneleve diellore, Shqipëria do të plotësonte nevojat e saj për energji elektrike brenda vitit 2015. Gjithçka ka mbetur thjesht në letër. Studimet e kryera në atë kohë tregonin se vendi ynë kishte mundësi për të ndërtuar hidrocentrale deri në 4.500 MW fuqi të instaluar, me një prodhim mesatar vjetor prej rreth 16 miliardë kWh, në një kohë që kërkesa aktuale është për rreth 7 miliardë kWh. Në ndërtimin e burimeve të reja të prodhimit të energjisë ishte parashikuar edhe ndërtimi i disa termocentraleve që do të përdornin gazin natyror, i cili do të futej në Shqipëri nëpërmjet gazsjellësit të projektit Trans Adriatic Pipeline (TAP).

Por, qeveria e re duket se do të bëjë “nul” të gjitha këto. Çdo strategji e ndjekur do të rishikohet. Do të rikonfigurohen edhe objektivat. Nuk dihet me saktësi se cili do të jetë orientimi ynë për sigurimin e energjisë elektrike, por ajo që pranohet nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë është fakti se një gjë e tillë nuk mund të thuhet “kështu mbi dy këmbë”, por do të kërkojë studime të mirëfillta, të bazuara në kosto dhe që do të jenë në përputhje me direktivat dhe objektivat europiane.

Për studiuesit e mjedisit, një pjesë e madhe e projekteve të HEC-eve sillnin shkatërrimin e mjedisit, si pasojë e devijimit të rrjedhave të lumenjve (përrenjve). Specialistët thonë se mbi 60% e Hec-eve që ishin planifikuar të ndërtoheshin nuk e justifikonin dëmin që do t’i shkaktonin mjedisit me energjinë që do të prodhonin, pra në këtë mënyrë plotësonin vetëm një “kusht”.

Si erdhëm deri këtu…

Gjatë periudhës 2007 – korrik 2013, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) shqyrtoi rreth 1200 dosje privatizimi dhe koncesionesh. Vetëm për privatizimin dhe dhënien me koncesion për ndërtim të ri hidrocentralesh u regjistruan 727 kërkesa. Në funksionim janë rreth 20% e totalit të hidrocentraleve të parashikuar që arrijnë të sigurojnë një përqindje shumë të vogël kundrejt prodhimit total të energjisë elektrike.

Deri më sot, nga biznesi vendas dhe i huaj janë marrë 164 kontrata koncesioni për ndërtimin e rreth 435 H EC-eve, e që në total vlejnë miliarda euro. Situata nuk është nga më të mirat, pasi deri në shtator të vitit 2013 në fazën e prodhimit ishin vetëm 44 HEC-e me fuqi të instaluar 195,432 kW. Në pjesën më të madhe të koncesioneve nuk është realizuar investimi, ose ka pasur vonesa të mëdha. Janë identifikuar raste kur kompanitë kanë rezultuar “fantazmë”. E gjithë kjo përkthehet në para që qëndrojnë të bllokuara dhe nuk janë injektuar në ekonominë e vendit. Në këtë mënyrë, pasuria kryesore e kombit është mbajtur peng.

Po cilat janë arsyet? Çfarë nuk ka funksionuar si duhet në shfrytëzimin e burimeve hidrike, pasurisë kryesore të vendit? Zhvillimi i një koncesioni kalon në disa faza që ndahen në: fazën e përzgjedhjes (identifikimi dhe përzgjedhja e koncesionarit) që përfshin ndër të tjera zhvillimin e procedurës konkurruese dhe përfundon me lidhjen e një kontrate koncesioni dhe në fazën e zhvillimit të projektit koncesionar (ndërtimin, operimin) e cila përfshin financimin, marrjen e lejeve, shfrytëzimin (që në vetvete lidhet me marrjen e licencave dhe lidhjen e kontratave të shitjes së energjisë, me tregun në vend e rajon dhe përfundon me transferimin e këtij projekti pranë autoritetit kontraktor shtetëror. Çdo hallkë e procedurës ka problematikën e vet që ndikon në realizimin e një projekti koncesionar. Por, më tepër se vështirësitë teknike, koncesionet shqiptare i ka penalizuar mungesa e plotë e përvojës së kompanive që u janë dhënë këto koncesione. Shumë nuk ishin të papërgatitura për të përballuar sfidat.

Kështu shumica e koncesioneve mbetën të parealizuara dhe rezultojnë me vonesa të jashtëzakonshme, përtej kushteve të kontratave. Një pjesë e madhe e tyre nuk kanë pasur të parashikuar fazën e marrjes së lejeve të nevojshme për zhvillimin e tyre. E drejta e koncesionarit për të kërkuar shtyrje afati për investimet e tij është përdorur nga 92% e kompanive fituese. Kjo e drejtë varion nga 12 muaj për projektet me fuqi të instaluar deri në 5 MW, deri në 24 muaj për projektet me fuqi të instaluar deri me 20 MW. Rreth 70% rezultuan me vonesa përtej këtyre afateve ligjore. Pavarësisht garancive që jepnin autoritetet kontraktuese për lidhjen e kontratave të shitblerjes së energjisë nga subjekti shtetëror i furnizimit me energji elektrike, fakti është që shoqëritë koncesionare mund të vendosin asetet e tyre si garanci për marrjen e financimeve (si dhe e drejta e financuesit për zëvendësimin e koncesionarit në rast shkelje serioze të kontratës nga koncesionari), nuk kanë rezultuar garanci të mjaftueshme për shumë prej projekteve. Në dhënien e financimeve ndikoi edhe gjendja e tregut të energjisë elektrike. Shqipëria ka ende shumë vështirësi në eksportimin e energjisë (projektet e linjave 400 KW që lidhin Shqipërinë me vendet e rajonit janë ende në fazën e zhvillimit. Në këto kushte, shumica e shoqërive koncesionare (të krijuara brenda afatit 30-ditor nga data e hyrjes në fuqi e kontratave koncesionare) kanë mbetur vetëm në letër, pa zhvilluar aktivitet dhe në pritje që pronarët e tyre (koncesionarët) të gjejnë investitorët e duhur, të cilët do të ndërhyjnë për zbatimin dhe zhvillimin e këtyre projekteve.

Ligji “Për koncesionet” parashikon që në rast mosrespektimi të afateve në kontratë, qeveria apo autoriteti kontraktues (ministria) ka të drejtë të aplikojnë një sërë sanksionesh kundrejt koncesionarëve, deri edhe në prishje në mënyrë të njëanshme të këtyre kontratave. E kjo duhet të kishte ndodhur që në vitet 2009-2010, kur u vunë re vonesat e tejskajshme. Sot, shumica e projekteve të koncesioneve të dhëna kanë rezultuar të pasuksesshëm. Bëhet fjalë për investime që minimalisht llogariten në një milion euro për çdo megavat të instaluar.

Në mjaft raste, për këto çështje kanë reaguar edhe donatorët, ku një prej tyre BERZH (drejtuesit e saj në Shqipëri) janë shprehur të shqetësuar për mungesën e një ekspertize të saktë për projektet e HEC-eve të vogla lokale. Një situatë e tillë nuk u përkthye mirë edhe nga bankat që ngurruan të lëvronin kredi. Mungesa e përvojës ndikoi negativisht edhe në plotësimin si duhej të dosjeve, përgatitjen e studimeve mjedisore etj.

Synohej që një pjesë e mirë e HEC-eve të vegjël, përveçse do të prodhonin energji, do të përdoreshin edhe për normalizimin e sistemit të vaditjes, si dhe të rregullimit të ambientit, duke zvogëluar sadopak ndotjen të cilën e gjen kudo, në fshat dhe në qytet. Por çfarë rezulton nga monitorimi i tyre? A zbatohen kriteret për të cilat janë dhënë dhe licencat? Përse nuk vazhdon ndërtimi i HEC-eve të tjerë për të cilët janë dhënë koncesionet? A janë shkelur kufijtë kohorë? Kush mban përgjegjësi dhe a janë vënë personat përgjegjës para ligjit dhe koncesionarët para penaliteteve të kontratave? Këto janë pyetje që ende mbeten pa përgjigje e që ndoshta do të trajtohen në strategjinë e re që synohet të përgatitet.

Përse dështuam

Në Shqipëri vlerësohet se shfrytëzohen vetëm 53.9% e burimeve totale të energjisë që mendohet se ekzistojnë. Potenciali është shumë i madh, por mundësitë që ofrohen nuk janë shfrytëzuar gjatë 10-vjeçarit të fundit. Gjithmonë është theksuar fakti se “prodhimi nga HEC-et private dhe me koncesion edhe pse zinte vetëm 2% të prodhimit total të energjisë, mund të kishte pasur ndikim të madh në vitet që do të vinin”. Ekspertë të energjetikës e shpjegojnë një fakt të tillë me rritjen e normës së shfrytëzimit të burimeve hidrike në vendin tonë, që rezulton të jetë relativisht e ulët, për vetë potencialet që Shqipëria ofron.

Ka pasur një përpjekje për të rritur prodhimin e siguruar nga hidrocentralet e vegjël dhe të mesëm, por edhe për të liberalizuar sektorin e energjisë, por sipas ekspertëve, nga letrat, në realitet situata ishte krejt ndryshe. Aktualisht, HEC-et e vogla operative, ose më saktë pjesërisht operative, numërohen me gishta. Një pjesë e vështirësive lidhen me ndërtimin dhe vënien në punë, por edhe me mungesën e përvojës, kapitalit, por në veçanti edhe me largësinë e impianteve nga rrjeti i transmetimit.

Ekspertët theksojnë edhe problemet që lidhen me rrjetin shqiptar të transmetimit, i cili operon në nivele shumë të larta nga ato që mund të ofrojnë hidrocentralet e vegjël.

Ata thonë se ky është një problem që duhet zgjidhur, sepse nuk mundet që transmetimi i energjisë së prodhuar nga HEC-et të kalojë përmes rrjetit të shpërndarjes. Në këtë pikë duhen ndarë kompetencat dhe duhen krijuar kapacitetet e nevojshme.

Ekspertët sqarojnë se është e domosdoshme që të bëhet një rishqyrtim i legjislacionit ekzistues, si dhe një vlerësim realist i investimeve të mundshme lidhur me largësinë që kanë nga rrjeti. “Nuk mund të realizohet një investim i tillë, nëse nuk ekzistojnë mundësitë për të transmetuar energjinë. Nga ana tjetër, duhet të përcaktohen kufizime më të forta për kriteret që duhet të përmbushin subjektet që licencohen për të operuar në këtë sektor. Sepse, aktualisht, një pjesë shumë e madhe e këtyre licencave nuk janë vënë në zbatim”, shpjegojnë ekspertët.

Një tjetër problem ka të bëjë edhe me largësinë nga rrjeti i shpërndarjes. Vetëm për linjat e lidhjes së këtyre impianteve me këtë rrjet nevojiten miliona dollarë, çka i shton një barrë të konsiderueshme financiare faturës fillestare të investimit.

Ekspertët vënë re gjithashtu se disa koncesionarë nuk kanë shumë eksperiencë në tregun e energjisë elektrike dhe disa prej tyre nuk kanë shumë kapitale të vetat. Disa kanë probleme me pronësinë mbi tokën, shpronësimet apo ndikimet shoqërore në zonat ku janë planifikuar të ndërtohen hidrocentralet.

Por, ajo që përforcojnë ekspertët është se koncesionarët privatë janë të nevojshëm për të shtuar me disa mijëra megavat më tepër prodhimin total të energjisë elektrike në rang vendi.

Stimujt që nuk dhanë efekte

Gjatë viteve ‘80, hidrocentralet e vegjël në Shqipëri prodhonin energji që plotësonte rreth 3% të nevojave. Sot, sipas të dhënave zyrtare, prodhimi i përgjithshëm nga gjeneruesit privatë llogaritet në rreth 2% të prodhimit të përgjithshëm, një shifër që ka ardhur në rënie. Sot, nga rreth 54 hidrocentrale që ishin në funksionim prodhojnë vetëm 44. Shoqëritë koncesionare që operojnë në këtë sektor janë në faza të ndryshme të zhvillimit të projekteve, por për momentin çdo gjë është ndalur në pritje për të kuptuar se cila do të jetë strategjia e qeverisë së re. Sa i përket investimit, në total, ai ka kapur shifrën rreth 2.6 miliardë dollarë.

Në strategjinë e mëparshme të skeptrit të energjisë, qeveria shqiptare i ka dhënë prioritet shfrytëzimit të potencialit të madh hidroenergjetik të vendit. Për të nxitur nismën private për investimet në ndërtimin e HEC-eve me fuqi deri në 15 MW, qeveria autorizoi KESH-in që të blejë të gjithë energjinë elektrike të prodhuar prej tyre, me çmim të miratuar nga ERE, sipas një formule nxitëse që u referohet çmimeve mesatare të importit të energjisë elektrike plus një bonus 10%. Diferencimi në çmim ndërmjet HEC-eve private ekzistues dhe atyre që do të ndërtoheshin të rinj u arsyetua me ndryshimin në vlerën e investimeve ndërmjet këtyre dy kategorive objektesh.

Po cili është investimi që përkon me këto koncesione. Sipas të dhënave të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, fuqia e instaluar kapi shifrën e 1,930 MGW.

Por, a rezultuan këto investime me leverdi? Sipas ekspertëve, burimet natyrore që kanë qenë të pashfrytëzuara dhe që vihen në përdorim (apo synojnë të vihen) sjellin përfitime, si për shtetin, ashtu edhe për shoqëritë investuese. Nuk duhet të harrojmë këtu se prodhimi i energjisë elektrike nga burimet e ujit ka kosto të ulët, prandaj shihet me interes.

Shoqëritë, që investojnë (ose kërkojnë) në ndërtimin e hidrocentraleve, janë si shqiptare ashtu edhe të huaja. Specifika e kontratave të koncesionit është se ajo lidhet ndërmjet autoritetit kontraktues dhe koncesionarit, i cili mund të jetë si një shoqëri e vetme, ashtu edhe bashkim shoqërish. Brenda bashkimit të shoqërive ka të huaja, po ashtu edhe shqiptare. Origjina e shoqërive të huaja është kryesisht austriake, italiane, greke etj.

Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2012, prodhimi i përgjithshëm nga gjeneruesit privatë ishte 299.9 GWh ose 7.0% e prodhimit të përgjithshëm neto vendas të këtij viti. Po në këtë periudhë, numri i shoqërive koncensionare dhe private që kishin në administrim ose pronësi hidrocentrale ishte 68.

Gjatë vitit 2012 u futën në prodhim 16 hidrocentrale të reja. Prodhimi i përgjithshëm i energjisë elektrike nga HEC-et deri 15 MW nga 136.8 GWh që ishte në vitin 2011, arriti në 299.9 GWh në vitin 2012. Në raportin e vitit 2012, Enti Rregullator i Energjisë tregon edhe ecurinë e këtij sektori për periudhën 2004 – 2012, ku theksohet fakti se prodhimi i lartë i vitit 2010, përveç rritjes së kapaciteteve të instaluara në një masë të madhe, u ndikua edhe nga

kushtet shumë të favorshme hidrike. Theksohet ritmi i lartë i prodhimit nga HEC-et e dhëna me koncesion pas vitit 2008, si dhe një hop i konsiderueshëm në vitin 2012.

Sipas ERE-s, të ardhurat e arkëtuara nga subjektet private për shitjen energjisë elektrike të prodhuar nga HEC-et me fuqi deri 15 MW, e cila që nga viti 2011 kapërceu shifrën në mbi 1 miliard lekë për vitin 2012 arriti në mbi 2.5 miliardë lekë. Që nga viti 2010, për shkak të rritjes së çmimit të importit të energjisë, çmimet për këtë kategori erdhën në rritje. Për vitin 2012, HEC-et e reja me koncesion, bazuar në metodologjinë që mbështetej mbi çmimet e importit të vitit paraardhës rezultoi 9.3 leke/kWh ose 34.9% më i lartë se çmimi i vitit 2011. Po në vitin 2012, çmimi i miratuar ishte 7.77 lek/kWh nga 7.57 lek/kWh ose me 2.6% më shumë. Kjo diferencë në rritjen e çmimit midis këtyre dy grupeve erdhi si rezultat i aplikimit të dy metodologjive të ndryshme: për HEC-et private/koncesion të vjetër bazë e llogaritjes ishte çmimi mesatar për klientët tariforë për vitin përkatës, ndërsa për HEC-et me koncesionet e reja, bazë e llogaritjes ishte çmimi i importit dhe kursi i këmbimit për vitin paraardhës.

Statistika 2007-shtator 2013

  • 164 kontrata koncesioni për rehabilitimin apo ndërtimin e 435 hidrocentraleve
  • 345,087 GWh prodhimi vjetor i parashikuar në total
  • 1,930 MGW fuqia totale e investuar
  • 2.6 miliardë euro investimi total
  • Vetëm 44 HEC-e prodhojnë energji me fuqi të instaluar 195,432 KW

Revista Monitor, 15.03.2014