Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Thaçi viziton Trepçën

Të shumtë janë minatorët e Trepçës të cilët përshkojnë çdo ditë rrugën drejt horizontit të dhjetë të minierës, por për kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, kjo ishte hera e dytë.

I shoqëruar nga bashkëpunëtorë, Thaçi zbriti në thellësi 700 metra nën tokë, kësaj radhe për të ndjekur nga afër punën e pse jo edhe për të përjetuar mundin e minatorëve, puna e të cilëve dikur ishte bartës i fuqishëm i zhvillimit ekonomik në Jugosllavi.

Kryeministri vjen këtu pak ditë pasi qeveria e tij miratoi projektligjin për ndërmarrjet publike, sipas të cilit Trepça nga pronësia e AKP-së i kalon shtetit.

Minatorët tregojnë se aktualisht puna për nxjerrjen e mineraleve është e fokusuar në punishten 140, e cila përfshin një hapësirë prej 2.600 metra katrorë. Është kjo zona në të cilën Thaçi ndaloi për të përçuar mesazhin e tij, se Trepça do t’i takojë Kosovës, qytetarëve dhe minatorëve të saj. Ai theksoi se ëndrrat e Serbisë mbi Trepçën janë shuar dhe sërish premtoi rritjen e pagave për të gjithë punëtorët e Trepçës brenda këtij viti.

“Kjo do të jetë pronë e minatorëve dhe qytetarëve të shtetit. Do të kemi më tepër prodhim, me tepër zhvillim dhe krijim të vendeve të punës. Gjithë qytetarët e Kosovës në kohë i kanë rezistuar politikës që Trepça të punonte dhe Beogradi të ndërtohej, tani është koha që Trepça të prodhojë dhe Kosova të ndërtohet. Politikat dhe ëndrrat e Serbisë janë shuar njëherë e përgjithmonë”, deklaroi Thaçi.

Minatorët kujtuan se Trepça ka qenë e braktisur nga institucionet në periudhën e pasluftës. Ata shpresojnë se ligji i ri do ta vërë këtë ndërmarrje në binarët e duhur. Kryeministri Thaçi nuk pranoi të flasë më gjërësisht për të ardhmen e minierave të Trepçës.

Pyetjes së Top Channel rreth një agjencie të re që pritet të themelohet e të cilën e ka përmendur zëvendësi i tij Behgjet Pacolli, kryeministri iu përgjigj në këtë mënyrë. “E ardhmja e Trepçës është e ardhmja e Kosovës. Prodhim, zhvilim dhe krijim të vendeve të reja të punës”, tha Thaçi.

Projektligji që ka të bëjë me të ardhmen e Trepçës si ndërmarrje që do të menaxhohet nga shteti pritet që shumë shpejt të kalojë proçedurat parlamentare që janë vendimtare për këtë.

Qeveria ka theksuar se ky hap është në përputhje me vizionin e saj, ku përmes krijimit të mundësive për zhvillimin e resurseve minerare dhe zgjerimit të modernizimit të industrisë së përpunimit minerar garantohet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik, hapje e vendeve të reja të punës dhe rritja e mirëqenies për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Top Channel, 12.03.2014

Në vazhdim, e plotë deklarata e Kryeministrit Thaçi para mediave:

Ndihem tepër mirë dhe shumë krenar që sot jam në mesin e njerëzve, heronjve të punës, të rezistencës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Është hera e dytë ne jetën time që jam në horizontet e “Trepçës”, në këtë vend të bekuar. Hera e parë ka qenë menjëherë pas çlirimit të Kosovës, kur e kemi larguar Serbinë nga Kosova. Kjo është hera dytë, tash në Kosovën e pavarur dhe sovrane.

Jam në këtë moment pranë minatorëve së bashku me të gjithë, për t’i dhënë mbështetje të plotë punës, në veçanti tash pas kalimit në Qeverinë e Kosovës të Projektligjit ndërmarrja “Trepça” shndërrohet në ndërmarrje publike, pronë e shtetit të Kosovës.

Kjo është pronë e qytetarëve të Kosovës, është pronë e minatorëve, është pronë e shtetit të Kosovës, është një nga resurset më të fuqishme për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.

Kam besim se shumë shpejt edhe Kuvendi i Kosovës do t’a aprovojë projektligjin në fjalë dhe do të kemi më tepër zhvillim, krijim të vendeve të reja të punës dhe natyrisht, edhe rritje të pagave për punëtorët që punojnë këtu, të cilët me punën, sakrificën dhe djersën e tyre, janë duke bërë çmos, për çka i falënderoj, ngase terë këto vite e kanë ruajtur “Trepçën”, kanë filluar prodhimin.

Tash po avancojmë. Trepça është një nga gjigantët më të fuqishëm në Kosovë, rajon, por edhe në Evropë, është nderi, krenaria e qytetarit të Kosovës, edhe për kaluarën, të sotmen dhe do të jetë edhe në të ardhmen.

Unë do të jem gjithmonë afër jush, do të jem gjithmonë në mbështetjen tuaj, në realizimin e projekteve tona të përbashkëta .

Ndihem tepër mirë, që edhe për pensionistët e parakohshëm të “Trepçës” i kemi rritur pagat. Jemi dakorduar që deri në 1 janar të vitit të ardhshëm, t’i rrisim edhe njëherë për 50 për qind për ata pensionistë, ndërsa drejtori z.Tmava do ta kenë mbështetjen time të plotë, që edhe për gjithë këta punëtorë që punojnë në horizonte e “Trepçës” t’i kenë pagat edhe më të mëdha, që kjo rritje të ndodh brenda këtij viti, menjëherë pas kalimit të këtij projektligji, të rriten rrogat për gjithë minatorët.

Nuk ka rrogë që mund të mbulojë këtë energji, këtë mund, djersë dhe sakrificë të minatorëve.

Ju shpreh mirënjohje në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ju faleminderit shumë !

energjia.al 12.03.2014