Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosova ka prioritet energjinë e sigurt dhe të pastër

Sipas Strategjisë së Energjisë të Kosovës, baza për sigurinë e furnizimit me energji elektrike edhe më tutje mbetet linjiti, por kujdes të shtuar do t’i kushtohet ambientit dhe shëndetit të popullatës për çka me përpikëri do të respektohen këto politika dhe teknologji të cilat e minimizojnë ndotjen, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.

Këto komente kreu i MZHE-së i bëri në Konferencën Ndërkombëtare të KOSID mbi Opsionet e Qëndrueshme Energjetike, që po mbahet në Prishtinë, ku po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe ndërkombëtare, përfaqësues të Bankës Botërore dhe institucioneve dhe kompanive të fushës së energjisë dhe OJQ.

Ministri Ismajli ka përsëritur se Strategjia e cila është para aprovimit në Qeveri dhe Kuvend, prioritet i jep efiçiencës së energjisë, sepse është vërtetuar që më së shumti hapësirë për veprim ka me efiçiencë të energjisë.

Ministri tha se efiçienca e energjisë ofron mundësi më të mëdha për të arritur disa objektiva që i ka vëne veti Kosova dhe sipas raportit të MZHE-së/Agjencisë së Efiçiencës së Energjisë ky cak është plotësuar dhe do të plotësohet me rregull që është tepër me rëndësi.

Në anën tjetër sa i përket burimeve të ripërtëritshme të energjisë, Ministri Ismajli tha MZHE dhe akterët e tjerë të rëndësishëm siç janë ZRRE, MMPH dhe komunat në nivelin e tyre janë duke punuar që të plotësojnë procedurat që duhet të kalojnë ata që janë të interesuar për investime, por pa shëtitur nga një adresë në tjetrën, por të kenë një adresë.

Ai tha se deri tani ZRRE për hidrocentrale të vogla dhe të mesme ka lëshuar tri licenca prej 30 MW dhe një licencë të energjisë së erës prej 0.9 MW.

Sipas Ismajlit, projekti i TC Kosova e Re është duke ecur me dinamikën e përcaktuar pas ndryshime rrënjësore në përmbajtjes se paketës së projektit dhe në aspektin e efiçiencës dhe mjedisit ky TC do të përmbushë kriteret në mënyrë që të kemi përkrahjen e të gjitha palëve, institucioneve financiare ndërkombëtare por edhe Komisioni Evropian.

Nga ana e tij, Jan Peter Olters – Drejtor i Bankës Botërore për Kosovë tha se ky panel është një moment i rëndësishëm për të theksuar qëndrimet e përbashkëta kohezive të anëtarëve të KOSID-it por edhe për të parë mendimet dhe përvojat e qeverisë, të institucioneve financiare ndërkombëtare në aspektin e sigurimit të energjisë për Kosovën.

Olters tha se nuk ka dyshim se Kosovës i duhet furnizim i rregullt me energji dhe nuk ka dyshim se energjia e elektrike nuk duhet të jetë e papërballueshme për qytetarët, ndërsa ndikimi në ambient duhet të jetë sa më minimal dhe Kosova ka bërë përpjekje serioze për këtë.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani foli për ndikimin e sektorit energjetik në shëndetin e popullatës dhe masat e marra.

Ndryshe në konferencë u diskutua Strategjia e Energjisë, Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, Programet për Efiçiencë të Energjisë, Ristrukturimi i Sistemit Tarifor dhe Ndikimet e prodhimit të energjisë në shëndet dhe mjedis.

energjia.al 28.02.2014