Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pasojat e pallogaritshme të (in)efiçencës energjetike

Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm në rajon dhe një ndër shumë të paktët në kontinentin europian që praktikisht nuk ka një ligj të zbatueshëm mbi eficencën energjetike. Diçka e tillë nuk është thjesht një cen në legjislacion, sesa një humbje kolosale për buxhetet private dhe publike. Mbi të gjitha përfaqëson një detyrim ende të papërmbushur ndaj Bashkimit Europian.

Ndërsa Shqipëria vijon përballjen me një situatë tradicionalisht të paqëndrueshme të sektorit energjetik, zgjidhjet e ofruara ndër vite kanë qenë më së shumti të fokusuara tek investimet në burime prodhuese apo kapacitete transmetuese. Vetëm sa i takon hidrocentraleve të dhëna me koncesion, vendi numëron mbi 330 të tillë, me shumicën dërrmuese të koncesioneve të dhëna nga qeveria e mëparëshme. Gjithashtu, është diskutuar aktivizimi i TEC-it jofunksional të Vlorës dhe ndërtimi i një linje transmetimi me Kosovën, e cila është sabotuar sistematikisht që nga koha e qeverisë Nano e më pas. Por, disa zgjidhje të situatës së vështirë, e cila regjistron edhe humbje të stërmëdha në buxhetin e shtetit janë më praktike, madje “më banale” nga mundësitë e diskutuara gjerësisht deri më sot. Zgjidhjet alternative lidhen pikërisht me mirëmenaxhimin e burimeve ekzistuese dhe ripërtëritjen jo vetëm të sistemeve prodhuese por dhe të atyre që konsumojnë energji.

Për shembull, dallimi mes një llambe të zakonshme dhe një llambe ekonomike është i tillë sa për ndriçimin e një ambienti me 5 nga ky lloj i fundit, shpenzohet po aq energji elektrike sa për një llambë të vetme standarde 45 vatëshe. Kjo është ajo çka një pjesë e madhe mund ta dinë, por faktorë të tjerë që lidhen me eficencën e elektroshtëpiakeve dhe në mënyrë më të rëndësishme me termoizolimin e ambienteve, janë lënë prej dekadash në harresë në rastin e Shqipërisë. Duhet theksuar se termoizolimi i përshtatshëm mund të kursejë deri në 50% të energjisë që përdoret për ngrohje. Në rastin e Shqipërisë ku nuk ekzistojnë instalime gazi për djegie dhe në pjesën dërrmuese të rasteve, as sisteme ngroheje qendrore, kjo humbje si pasojë e mungesës së termoizolimit është konsum neto i panevojshëm i energjisë elektrike.

E gjithë kjo shpërfillje që përkthehet në konsum më të lartë energjie për qytetarët dhe bizneset, përfaqëson edhe humbje më të mëdha për KESH dhe CEZ Shpërndarje. Gjithashtu, në raportin vjetor 2012-2013 të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, një institucion i BE-së, i vendosur në Vienë, Shqipëria mori nota shumë negative pikërisht mbi eficencën energjetike. Vendi u cilësua si një nga shtetet më të prapambetura në Europë sa i takon harmonizimit dhe zbatimit të legjislacionit europian në çështjen e eficencës. Sipas ekspertit të energjisë Gjergj Simaku, çështja e eficencës energjetike nuk është marrë kurrë seriozisht për t’u shndërruar në legjislacion të dobishëm dhe të zbatueshëm. Gjithashtu, ai thekson se Shqipëria ka marrë reagime shumë të ashpra nga institucionet ndërkombëtare mbi këtë çështje.

Ligje pa vlerë?

Në fakt, një ligj shqiptar për termoizolimin ekziston, por dokumenti në fjalë është i vjetruar dhe ka një natyrë më shumë parimore sesa të zbatimit efektiv. Në vitin 2002, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për ruajtjen e nxehtësisë në banesa, ndërtime private dhe publike”. Neni 3 i këtij ligji thotë: “Projektimi dhe ndërtimi i ndërtesave te realizoje parametrat teknike te nevojshëm për ruajtjen, kursimin dhe përdorimin me eficencë të energjisë. Te gjitha ndërtesat qe do të ndërtohen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të respektojnë koeficientin vëllimor e normativ të humbjeve termike (Gv), si dhe të parashikojnë vendosjen e instalimit termik të ngrohjes qendrore ose vendore”.

Gjithashtu, ligji i 2002-shit sanksionon që çdo ndërtim i bërë nga hyrja e tij në fuqi e në vijim duhet të përmbushte koeficientin e deklaruar normativ mbi humbjen termale. Problemi është se ky ligj dhe aktet normative mbështetëse nuk përmbanin “penalitete bindëse” për shkelësit, dhe as institucione përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e tij. Një ligj tjetër që u miratua në vitin 2005, “Ligji për eficencën e energjisë”, ishte një përpjekje për të qartësuar situatën e mjegullt dhe boshllëqet e ligjit të vitit 2002. Ligji i ri diktonte disiplinë të rritur, por mbeti i paqartë, i përgjithshëm dhe nuk u zbatua kurrë. Një problem që lidhet me çdo legjislacion direkt apo indirekt mbi eficencën energjetike ka të bëjë me faktin se institucionet që vlerësojnë projektet e ndërtimit nuk disponojnë ekspertizën e nevojshme mbi izolimin; me fjalë të tjera, mungojnë hallkat e nevojshme institucionale dhe stafi i kualifikuar.

Humbje në buxhet

Humbjet nga mungesa një ligji të mirëfilltë, sipas standardeve të bashkimit Europian dhe të zbatueshëm nga institucionet shqiptare, vijon të shkaktojë humbje të rënda jo vetëm për qytetarët dhe bizneset, por edhe për vetë buxhetin e shtetit. Kjo histori e ka fillesën në përmbysjen e madhe politike dhe ekoomike të fillimit të viteve ’90 dhe lënies së legjislacionit mbi energjinë në një farë inercie, të ndërprerë vetëm nga ndërhyrje ligjore ad hoc dhe në kushte emergjencash.

Sipas Entit Rregullator të Energjisë (ERE), konsumi i energjisë elektrike për ngrohje u rrit në mënyrë drastike nga 7.7% në vitin 1985, në 36.3% në vitin 2008. Konsumi i energjisë elektrike nga familjet llogaritet në 53.3% të totalit në vitin 2012 (nuk disponohen ende shifra të publikuara zyrtare për vitin 2013). Ndërsa konsumi për ngrohje nga familjet luhatet diku në rreth 30% të konsumit total familjar, çka përkthehet në rreth 1/6 e konsumit total kombëtar të energjisë elektrike. Pra, nga gjithë vëllimi i vjetor i energjisë së konsumuar në nivel kombëtar (brenda kufijve administrative të Shqipërisë), një e gjashta e tij shkon për ngrohje në ambiente familjare. Në mungesë të termoizolimit të përshtatshëm, i cili e ul konsumin energjetik për ngrohje deri në 50%, energjia elektrike e konsumuar për këtë qëllim është për pasojë, më e lartë. Deri këtu, duket se rëndohen vetëm financat e qytetarëve. Jo tamam.

Duke pasur parasysh bilancin negativ të KESH, më pak konsum në tërësi do të thotë automatikisht më pak humbje. Nga vetë të dhënat zyrtare, shumica e humbjeve joteknike (dmth. vjedhje) vjen në masën më të madhe nga familjet sesa nga bizneset. Para disa muajsh, Banka Botërore i kërkoi qeverisë shqiptare që të rriste çmimet e energjisë elektrike për të ulur barrën mbi buxhetin e shtetit. Por duke qenë se standardet e termoizolimit, sistemeve qendrore të ngrohjes, pajisjeve elektrike me eficencë të lartë, e të tjera si këto, ende sot zbatohen dhe përdoren në mënyrë fakultative si nga ndërtuesit, shitësit dhe qytetarët. Si rrjedhojë, një barrë artificiale financiare shkaktohet për të lartpërmendurit si dhe për vetë shtetin.

Europa vëzhgon dhe…
bën presion

Një nga detyrimet jo shumë të përmendura të Shqipërisë ndaj bashkimit Europian ka të bëjë me përmirësimin e eficencës energjetike. Vendi duhet të kursejë energjinë që konsumon aktualisht me 8% deri ën vitin 2018, dhe sakaq ka hyrë në 2014-n pa bërë asgjë në këtë drejtim. Nga ana tjetër, ekzistojnë edhe plane vendore të kursimit. Për Tiranën për shembull, e cila regjistron edhe konsumin absolut më të lartë në nivel kombëtar, objektivi kryesor është që të ulet konsumi për ndriçim dhe ngrohje me 45% deri në vitin 2020. Këto objektiva nuk përfaqësojnë thjesht një listë dëshirash që përmbushen me vullnet të mirë. Nevojiten ligje të mira dhe angazhim institucional për zbatimin e tyre.

Në fakt një ligj i ri mbi eficencën energjetike është duke u përgatitur, i njoftuar fillimisht nga qeveria pararendëse në janar të 2013-s, me synim për ta përfunduar dhe bërë të zbatueshëm brenda këtij viti. Objektivat e qeverisë re janë po këto. Ligji i ri, në përgatitje e sipër – një draft i të cilit ende nuk ekziston i publikuar – synon që çdo leje ndërtimi apo rindërtimi të jepet nga autoritetet vetëm nëse projekti do të jetë i pajisur me një Certifikatë të Performancës së Energjisë duke përmbushur kriteret minimale të lejuara. Gjithashtu, në një intervistë të dhënë më parë për “Java”, Gjergj Simaku vëren se “tashmë qumështi do të shkojë për të rregulluar shëndetin e ‘lopës’ së dobësuar në ekstrem. Personalisht kam dhënë dhe po jap ndihmesën si çdo specialist tjetër për një model tregu, ligji për energjinë dhe eficencën në përputhje me kërkesat e Komunitetit të Energjisë”. Ndërkaq, ligji i ri është ende në “laborator”, ndërsa për kushtet e zbatimit të tij, afërmendsh do të nevojitet një punë e stërmadhe institucionale.

Revista Java, 25.02.2014